E Shtunë, 31 Tetor 2026

Histori dhune në stadiume shqiptare

(ALBANIA SPORT) - Rastet e dhunës në stadiumet shqiptare nuk janë të pakta. “Albania-sport.com” prezanton disa prej tyre të ndodhura gjatë këtij sezoni në kompeticionet e ndryshme futbollistike që organizon Federata Shqiptare e Futbollit, ato të Superligës, Kategorisë së Parë dhe të Dytë.
LOJTARI PA NDJENJA - Sulmuesi i Laçit, Jetmir Nino, rrezikoi jetën në Ersekë në ndeshjen Gramozi-Laçi (1-2, java 13). Futbollisti laçjan u godit me shkelma e grushte në hyrje të dhomave të zhveshjes. Nino shkëmbeu fjalë me tone të ashpra me sulmuesin e Gramozit, Genn Hyseni (autori i golit të vetëm të kolonjarëve), dhe ky i fundit e goditi me grushte. Pas kosovarit ndaj Ninos qëlluan edhe lojtarë të tjerë të Gramozit. Nino ra pa ndjenja dhe u dërgua me ambulancë, ku mjekët e risollën në vete. Tifozët e Gramozit sulmuan me gurë dhe autobusin e Laçit. Trajneri i Gramozit, Agim Canaj, akuzoi treshen e gjyqtarëve me në krye Kridens Metën, duke pohuar se arbitri nuk ka një penallti dhe i mohoi një gol kolonjarëve.
SHERR PRESIDENTËSH – Presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj dhe homologu i tij te Bylisi, Besnik Kapllanaj, shkëmbyen replika të forta me njëri-tjetrin gjatë ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, Dinamo-Bylis (3-0, turi i dytë), aq sa është ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën. Gjithçka ndodhi pas golit të dytë të Dinamos, të realizuar nga Elis Bakaj dhe festimeve të këtij të fundit. Në konfrontim u përfshinë edhe trajneri i portierëve të Bylisit, Arbër Sino, me zëvendëspresidentin e Dinamos, Avni Braçe. Forcat e policisë nxorën nga stadiumi me forcë presidentin e Bylist, Besnik Kapllanaj dhe trajnerin e portierëve të Bylisit, Arbër Sino.
SHKELMA GJYQTARIT - Lojtarët e Vlorës zunë me shkelma e grushte gjyqtarin nga Erseka, Mane dhe ndihmësit e tij, Qiriazi e Maze, të cilët i konsideruan fajtor në humbjen 1-0 me Domosdovën të zhvilluar në Përrenjas.  Takimi ishte i vlefshëm për javën e 12-të të Kategorisë së Dytë, Grupi i Jugut. Golin e vetëm të takimit e shënoi Karaj në minutën e 13-të. Në minutën e 80-të trajneri i Vlorës, Rrapo Taho, tërhoqi skuadrën nga fusha, ndërkohë që lojtarët iu sulën me shkelma gjyqtarëve. Gjyqtaret u morën në mbrojtje nga policia lokale.
GODITET TRAJNERI - Trajneri i Tiranës, Alban Tafaj, është goditur me një send të fortë në krah gjatë një dalje të tij nga bankina në ndeshjen Besa-Tirana (1-1, java 15). Pasuesi i kroatit Ilija Lonçareviç ishte duke i kërkuar sqarime njërit prej anësorëve të ndeshjes, kur një objekt e goditi në krah. Alban Tafaj u pa të dilte nga stadiumi me krahun e lidhur. “Jam goditur me një send të fortë nga ndonjë tifoz i papërgjegjshëm”, - tha Tafaj pas ndeshjes.
ZENKA MASIVE – Dhuna në stadiume vazhdoi serialin e telenovelës së saj. Në takimin Këlcyra-Tomori (0-1, 06.12.2009, java 11 e Kategorisë së Dytë, Grupi i Jugut), loja u ndërpre në minutën e 80-të nga gjyqtari Shkëlqim Balliu, pasi ndeshje u shoqërua nga tensioni i lartë. Në minutën e 50-të anësori Dyrmishi u godit me gur, ndërsa gjyqtarët në shenjë proteste ndërprenë për dhjetë minuta takimin, për të rifilluar më pas.
BRAKTISET NDESHJA - Në takimin Domosdova-Butrinti (3-2, i vlefshëm për javën e 11-të të Kategorisë së Dytë, Grupi i Jugut), skuadra nga Saranda braktisi fushën në minutën e 83-të, menjëherë pas golit të Domosdovës të realizuar nga Karriqi, duke pasur kontestime të forta ndaj gjyqtarit korçar Kello. Maloku i Domosdovës në minutën e 65-të nuk realizoi nga pika e bardhë, asistenti Kaçani urdhëroi përsëritjen e penalltisë, sarandiotët kundërshtuan fort, por në gjuajtjen e dytë, Maloku realizoi golin 2-2 të ndeshjes. Butrinti protestoi edhe për golin e tretë të Domosdovës, pasi sipas tyre Karriqi ishte në pozicion jashtë loje. Zënka ka pasur edhe në sfidën Veleçiku-Mamurrasi(2-0, vlefshëm për javën e 11-të të Kategorisë së Dytë, Grupi i Veriut). 
SHPULLA ANËSORIT - Futbollisti i Flamurtarit, Halim Begaj, goditi me shpulla gjyqtarin anësor Biçaku, duke protestuar për golin e shënuar nga Dinamo në humbjen 1-0 (java 13) në Tiranë. I nervozuar nga pësimi i golit vetëm pesë minuta përpara përfundimit të ndeshjesh, Halim Begaj, nuk i mbajti nervat duke goditur me shpulla e duke lëshuar një lumë të sharash, përpara se gjyqtari Lorenc Jemini ta ndëshkonte me karton të kuq. Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, e ndëshkoi veprimin e lojtarit të tij. Pas ndeshjesh, presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, bëri një debat normal me trajnerin e Dinamos, Shkëlqim Muça, në lidhjen me golin që solli edhe fitoren e vuajtur të kryesuesve të Superligës.
GRUSHTE NË DERBI - Katër kartonë të kuq, tre gola, penallti, sherre e grushte midis lojtarëve, konfrontim midis tifozëve në fushë, ndërhyrje fortë e policisë për të vënë rregull, e më në fund fitore 2-1 e Dinamos (java 18), në një pjesë të dytë që zgjati gati 60 minuta. Kapiteni i Tiranës, Devi Muka, goditi me shkelm e më pas me grusht sulmuesin e Dinamos, Elis Bakajn, menjëherë sapo lojtari më i mirë shqiptar i vitit 2009 shënoi golin e fitores për kryesuesit e kampionatit dhe të 11-in sezonal. Bakaj doli nga fusha i gjakosur dhe i fashuar. Gjithçka më pas nuk është futbolli, por një turp për dy skuadrat e elitës shqiptare të futbollit dhe në mes të kryeqytetit shqiptar, jo në ndonjë fushë të kategorisë së dytë. Tifozët e të dyja skuadrave hynë në fushë, ndërkohë që në tapetin e “Qemal Stafës”, policia ndërhyri për të rivendosur rregullin. Burimi: Albania-sport.comE Marte, 26 Janar 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›