E Shtunë, 31 Tetor 2026

I katërti, Xhorxh W. Bush.

Një katërshe e madhe për ne

Në përditshmërinë shqiptare thuhet që, edhe për Diellin s’mund t’i bësh bashkë, në një mendje, të gjithë njerëzit. Disa ankohen se ai përvlon sa nuk e durojnë dot. Ca luten të nxehë edhe më se mërdhijnë. Të tjerë ndjehen të kënaqur nën ngrohtësinë e tij.
Kjo laryshi mendimesh varet nga vendodhja e tyre përkundruall me të apo nga gjendje vetjake shëndetësore.
Shprehja e dendur e pikëpamjeve politike rreth mandatit presidencial të Xhorxh Bush ngjet si me sjelljet e natyrshme ndaj motit. Gjithë javës, para datës 20 janar 2009,  dita e inaugurimit të Presidentit Barak Obama dhe e largimit të Presidentit Xhorxh Bush për në Teksas, u thanë plotë gjykime mbi qeverisjen e tij, një ndër më të vështirat e Amerikës, që pas Luftës së Dytë Botërore. Binin në sy edhe tri përcaktime protokollare:
Konferenca e fundit për shtyp.
Takimi i fundit me kabinetin.
Fjalimi i fundit drejtuar kombit.
Ndër të vërtetat e padiskutueshme që shqiptoi Presidenti Bush ishte edhe ai rreth ngjarjes tragjike, e cila ndryshoi përgjithmonë Shtetet e Bashkuara dhe Botën: “Me kalimin e viteve, shumica e amerikanëve arritën t’i kthehen jetës normale, asaj të para 11 shtatorit të 2001-it. Por unë nuk arrita kurrë ta bëja këtë”.
Pas goditjes së egër të terrorizmit, më 11 shtator 2001, dhe fjalimit të Presidentit Bush po atë ditë, as mendohej që ai të kishte një presidencë pa telashe të mëdha. Ishte pasinaugurimi më i vështirë për një president. Asgjë tjetër nuk do të mendonte më me shqetësim, pas sulmit m’u në zemër të Amerikës, se sa të mos lejonte të përsëritej një 11 shtator i dytë. Shfaqja edhe më e vogël e pafuqisë së Shteteve të Bashkuara apo të pavendosmërisë së presidentit të saj, do të bënin që, nën presidencën e tij të ishte përsëdytur një tjetër goditje asisoji. Por kjo nuk ndodhi. Siguria që iu dha SHBA përbën një meritë të jashtëzakonshme të vendosmërisë së Xhorxh Bush, për të mbrojtur SHBA dhe luftuar terrorizmin deri në strofkën e tij. Mbrojtja e vendit nuk pranon ulje - ngritjet, siç ndodh me ekonominë, sepse kur shpërfaqet sekonda e dobësisë, goditja nuk vonon, jepet  pa një pa dy. Ndërsa ekonomia, edhe pse pa të nuk ka forcë e mirëqënie, i ngjan shëndetit të qenies humane - njeriut, i cili,  në kushte më të mira përmirësohet, nga lëngimet dobësohet. Shtetet e Bashkuara me Bush arritën sigurinë, me Presidentin Obama synojnë të kapërcejnë krizën e të ruajnë rolin e pazëvendësueshëm në stabilitetin e rendit botëror, sepse siç tha Bush, “Nëse Amerika nuk e drejton çështjen e lirisë, kjo çështje nuk do të drejtohet”.
Vështrimin mbi Amerikën nuk e kanë vetëm vendet e mëdha, të cilat më shumë se sa për të bashkërenduar, punojnë për ta rivalizuar. Tek Amerika shohin sidomos popujt e vegjël, të cilët ndjejnë nëvojën dhe kërkojnë mbështetjen e saj. Popuj të ndryshëm, të cilët, kanë kohë që ia kanë hedhur të keqes, bëjnë të habiturin kritik pse, ta zëmë, shqiptarët vetndjehen kampionë të amerikanizmit. Është diçka si mes të ngimit dhe të untit. I ngopuri nuk ia beson të uriturit, sepse i ngimi e ka harruar vuajtjen dhe shkaqet që sjellin urinë.
Rrëzimi i sistemit komunist në Shqipëri lidhet me SHBA - Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO pati përkrahjen e fuqishme të SHBA. Mbështetja mbarëshqiptare nga SHBA u vulos me ardhjen e Presidientit Bush në Shqipëri, më 10 qershor 2007.
Çlirimi i Kosovës u udhëhoq nga Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Bill Klinton. Pavarësia e Kosovës u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Bush.
Shqiptarët e Maqedonisë nuk do të mund të kishin shkuar drejt afirmimit të të drejtave kombëtare, pa luftën e tyre dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Presidenti Bush, në fjalimin e fundit tha që, pas 11 shtatorit 2001, nuk arriti kurrë t’i kthehej jetës normale. Por, pa vendosmërinë e Presidentit Bush në  mbështetje të pavarësisë së Kosovës, një popull i tërë nuk do të mund t’i ishte kthyer jetës normale. Ashtu, siç, pa vendosmërinë e Presidentit Klinton për të çliruar Kosovën, nuk do të kishte një Kosovë me jetë normale. Ashtu, siç, pa paralajmërimin e Presidentit Bush - ati, Kosova nuk do të kishte pasë mundësinë e një vendi me jetë normale.
Ata që arsyetojnë me politikën e gjuajtjes së këpucës, u duhet thënë: hapini sytë e shihni sigurinë në SHBA, pavarësinë në Kosovë, lirinë në Irak, shtetin në Afganistan dhe përballimin e rreziqeve të tjera botërore, që më shumë vërehen se sa thuhen.
Presidenti Bush, që nga Shqipëria, u tha shqiptarëve të Kosovës të kishin durim se pavarësia do të ishte fundi i sakrificave të tyre. Nuk besohet të jetë diçka e papritur që, ai do të gjejë kohën e duhur për të udhëtuar për në shtetin më të ri të botës, të cilin e njohu i pari. Ashtu pati bërë edhe Klinton: Presidenti i çlirimit shkoi në vendin e sapoçliruar. Presidentin e pavarësisë e pret vendi i pavarësuar. Bush sapo tha në fjalimin drejtuar kombit që, “Të lirosh njerëzit nga shtypja dhe vuajtja do të jetë përjetësisht e drejtë”.
Në një shekull kohë të historisë së vështirë të shqiptarëve janë këta katër numra amerikanë: 28, 41, 42, 43. Presidenti i 28 ishte Uillson, që shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi tjetër. Presidenti i 41 ishte Bush - ati, që paralajmëroi me “red line” (vijën e kuqe), Serbinë e Millosheviçit. Presidenti i 42 ishte Klinton, që udhëhoqi çlirimin e Kosovës. Presidenti i 43 ishte Xhorxh Bush, i cili shqiptoi nga Tirana: Për Kosovën vetëm Pavarësi.
Një katërshe e madhe për ne. I katërti Xhorxh W. Bush.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›