E Diel, 1 Nëntor 2026

Histori të forta dhe emocione pa fund në “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”



Në një natë të paharrueshme u shndërrua e shtuna e kaluar për shumë familje në programin social “Rudina Magjistari- Misioni Vazhdon”, në kanalin televiziv Vizion Plus. Dy prindërit e Fadil Albrahimit, Muharremi dhe Liria, arritën të flisnin pas 11 vitesh me djalin e tyre nga Greqia. Djali 35-vjeçar nga Librazhdi ishte larguar drejt shtetit grek në vitin 1997 dhe kishte mbajtur lidhje me familjen nëpërmjet një kushërire të tyre përreth 1 vit. Më pas, asnjë gjurmë jete e tij. Deklarimi i historisë në program dhe publikimi i herëpashershëm i tij në revistën e përditshme të “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” në Vizion Plus bëri që shqiptarë, të cilët jetonin në Greqi, të jepnin informacione rreth vendndodhjes aktuale të djalit nga Librazhdi. Biseda, pas 11 vitesh, nëpërmjet telefonit mes prindërve dhe Fadilit u shoqërua me momente mallëngjimi prekëse. Prindërit nuk e kanë imagjinuar që atë natë ato do të mund të flisnin me djalin e tyre. Bilbili i këngës kosovare dhe i trevave shqiptare Liljana Çavolli, e njohur me këngën e saj të suksesshme “Zambaku i Prizrenit”, si dhe e cilësuar gjithmonë për zërin e saj të veçantë, ishte personazhi i dytë i ftuar në programin e Rudina Magjistarit. E karakterizuar nga hijeshia dhe natyrshmëria, Liljana ka rrëfyer për lidhjet me të afërmit e saj në Shqipëri që në vitet `70, për origjinën e mamasë së saj nga Korça, për fëmijërinë e saj dhe për pasionin e madh për këngën. Liljana e kishte përjetuar gjithmonë fort lidhjen që ekzistonte mes Tiranës dhe Prishtinës, kjo edhe për shkak të një pjese të të afërmve të saj që banonin në Shqipëri. Liljana Çavollit në program iu përgatit një takim surprizë me kushëririn e saj Piro Spahiu, një takim që do të mundësohej për herë të parë në jetën e saj. Liljana nuk e ka besuar kur ka dëgjuar nga Rudina Magjistari se personi që mbartte gjakun e saj do ta takonte në ato çaste në atë studio. Ishte një takim i mezipritur plot nostalgji, mall dhe dashuri. Një kënaqësi e dyfishtë, por dhe një bashkim pas shumë vitesh që u realizua në skenën e “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”. Një insert filmik i përgatitur rreth pushimeve të çiftit Bardha dhe Xhelal Terziu, të cilët javë më parë kishin ardhur në program për t`i shprehur një “Faleminderit” njëri-tjetrit. Rudina Magjistari kishte përgatitur për ta një surprizë, një fundjavë çift në hotelin Internacional në Vlorë. Disa ditë pushimesh, pas gjithë atyre vështirësive të kaluara në jetë, pasi në fund të fundit mesazhi se dashuria nuk njeh as moshë e as pengesa i shkonte më së miri çiftit Terziu. Një ngjarje e tmerrshme e ndodhur 4 vjet më parë, pasojat e së cilës duken ende në trupin e tyre. Dy vëllezërit, Halili 10 vjeç dhe Xheljani 12 vjeç nga Berati, përjetuan në datën 14 janar të vitit 2004 ngjarjen që do të mbahet mend gjatë në jetën e tyre. Një të shtunë, teksa fëmijët kanë qenë duke ngrënë drekë, një shpërthim i fortë i bombulës së gazit i shkaktoi atyre djegie të gradës së tretë në fytyrë dhe duar. Të dy fëmijët janë ende shumë të brishtë. Ata nuk munden të durojnë ujin e ngrohtë, nuk mund të qëndrojnë nën diell dhe disa lëvizje i kanë të vështira t`i kryejnë vetëm. Pas vdekjes së babait të fëmijëve vitin e kaluar, nënës i duhet të përballojë e vetme të gjithë barrën e kësaj fatkeqësie. Familja kishte nisur bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë që para 4 vitesh për operimin e fëmijëve jashtë shtetit, por procedurat e ngadalta në kësi lloj rastesh nuk ndihmonin që fëmijët t`i riktheheshin shpejt gjendjes së tyre të mëparshme. U desh ndërhyrja e programit “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë që këto procedura të përshpejtoheshin dhe fazat e njëpasnjëshme të kryerjes së operacioneve në Greqi të bëheshin duke pasur parasysh gjendjen emergjente të fëmijëve. Nata e tetë u mbyll me historinë e Pranvera Lumanit. Në moshën 18-vjeçare Pranvera largohet drejt shtetit grek duke lënë pas bashkëshortin e saj dhe djalin 2-vjeçar, Kristaqin. Pas 2 javësh, ajo njofton prindërit duke pohuar se jetonte në Greqi në zonën e Argosit dhe se bashkëjetonte me një shtetas grek. Në telefonatat e saj të shpeshta ajo pyeste vazhdimisht për djalin që kishte lënë pas, por ky i fundit përfundoi në shtëpinë e fëmijës, në Sarandë, pasi babai i tij nuk kishte mundësi të kujdesej për të. Në prill të vitit 2000, Pranvera humb përfundimisht lidhjet me familjen e saj. Kërkimet e para të stafit të gazetarëve u përqendruan në Argos duke nisur dhe bashkëpunimet paraprake me policinë e kësaj zone duke pasur parasysh që Pranvera ka humbur kontaktet nga kjo zonë. Cilat do të jenë surprizat dhe të rejat që do të sjellë “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” këtë të shtunë? Histori njerëzore dhe tema aktuale, të cilat prekin çdonjërin prej nesh, të trajtuara në këndvështrimin e solidaritetit që duhet të ekzistojë mes njëri-tjetrit. Mos humbisni sonte, në orën 21:00, emisionin “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” në Vizion Plus.

13 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›