Arrestohet në Itali për trafik droge sulmuesi i Tiranës, Albert Allushi
Forcat speciale të qytetit të Komos në Itali kanë arrestuar pasditen e djeshme Albert Allushin, 50 vjeç, ish-sulmues i ekipit të Tiranës. Atij iu gjetën në momentin e arrestimit rreth 100 gramë kokainë e pastër. Policia italiane e survejonte prej gjashtë muajsh Allushin, ndërsa mendohet se ai është “përdorur” prej tre vjetësh nga një organizatë shqiptare e narkotrafikut. Allushi nuk ka bërë kurrfarë rezistence kur është ndaluar në makinën e tij, ndërsa forcat speciale që kryen arrestin prisnin të zbulonin një sasi më të madhe kokaine në makinën e tij, pasi kështu i kishin informacionet e mbledhura në rrugë operative. Si pasojë e të njëjtit aksion është arrestuar dhe Andrea Llazari vetëm 15 minuta pas Allushit. Të dy këta persona shoqëroheshin së bashku, ndërsa Policia italiane është e interesuar të shkojë në gjurmët e “kapove” të grupit shqiptar të narkotrafikut, që i furnizonte dy të arrestuarit. Allushi jetonte prej disa vitesh në Komo të Italisë, ndërsa mediat italiane, si me keqardhje, theksonin faktin se “Allushi ka qenë një sulmues i njohur i viteve ’80 i ekipit të Tiranës dhe pjesëmarrës në disa kampionate në nivel europian”. Arresti i Allushit vjen 2 muaj pas arrestit të shkrimtarit Zyhdi Morava, të cilit gjithashtu iu gjet kokainë në makinën e tij. Ky është i disati rast ku ikona të sportit, artit dhe kulturës detyrohen të kthehen në korrierë droge në emigracion si pasojë e skamjes dhe vështirësive që kanë hasur në Shqipëri.
13 Dhjetor 2008