E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli rikthen në qeli për mashtrim Marian Grykën



SHKODËR – Gjykata rikthen në qeli Marian Grykën, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër kishte vendosur masën e sigurisë gjykim kundrejt “garancisë pasurore”. Policia e arrestoi 37-vjeçarin Gryka menjëherë sapo Gjykata e Apelit dha vendimin “arrest me burg”. Ndaj tij kanë nisur hetimet nga organi i akuzës, pasi dyshohet se ka mashtruar përmes vetëplagosjes, të cilën ai e paraqiti publikisht si atentat. Kjo pistë u zbulua disa javë pas ngjarjes që ndodhi në qytetin e Shkodrës, ku mbeti i plagosur Gryka, i cili lëshoi më pas akuza për një atentat me karakter politik.
Arrestimi
Rreth orës 13:30 të ditës së premte, policia i ka vënë prangat shtetasit Marian Gryka. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut bëjnë të ditur se dje është bërë ekzekutimi i urdhër-ndalimit nga Prokuroria e rrethit të Shkodrës ndaj 37-vjeçarit Gryka, lindur dhe banues në Shkodër. Sipas tyre, ndalimi është bërë pikërisht në të njëjtën ditë kur Gjykata e Apelit rrëzoi kërkesën e këtij shtetasi për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në atë të “garancisë pasurore”, duke vendosur si masë sigurimi “arrest me burg”. Zëdhënësja e Policisë, Fatbardha Çelepia, bën të ditur se menjëherë u bë shpallja në kërkim dhe më pas ndalimi i shtetasit Marian Gryka”.
Ngjarja
Marian Gryka, i cili njihet si një ndër personat që ka qenë për një kohë të gjatë pranë udhëheqësit të dhjetorit, Azem Hajdari dhe njëherësh kryetar i shoqatës që mban emrin e tij, është arrestuar më 9 tetor të këtij viti, pasi akuzohet se ka bërë kallëzim të rremë lidhur me ngjarjen e denoncuar më 25 shtator 2008, kur ai deklaroi se mbeti i plagosur nga një atentat me armë zjarri nga persona të panjohur. Nga hetimet e kryera doli se i dyshuari Gryka ka bërë deponime të rreme kur tha se u qëllua nga persona të paidentifikuar, teksa ai po kalonte me makinë në aksin rrugor “Shirokë-Zogaj”. Sipas hetuesve, Gryka ka aluduar për një plagosje në atentat, por, në fakt, hetimet policore dolën me përfundimin se ishte një vetëplagosje e realizuar nga vetë i arrestuari. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje morën pjesë edhe ekspertë nga Tirana. Ndaj tij rëndojnë dy vepra penale: “kallëzim i rremë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Tashmë ai do të përballet në sallën e gjyqit me akuzat që rëndojnë ndaj tij.

13 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›