E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundjet që shkaktohen nga mbipesha dhe rastet më të përhapura

Rreth 20% e të rinjve dhe 26% e femrave vuajnë nga mbipesha. Obeziteti, rritet numri i vdekjeve për shkak të shtimit të sëmundjeve

Emanuela Sako

Mbipesha është një nga shkaktaret kryesore të shtimit të sëmundjeve me pasojë vdekjen. Sipas studimeve të kryera nga Ministria e Shëndetësisë, numri i personave mbi peshë ka ardhur duke u rritur. Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se rreth 20% e të rinjve të shkollave të mesme janë mbi peshë, ndërsa te femrat kjo shifër shkon deri në 26%. Duke u bazuar në studimin e kryer në Tiranë del se mbipesha vërehet në shifrat 28.6 për qind në moshat mbi 55 vjeç. Mbipesha bëhet shkak për shtimin e një numri të madh sëmundjesh të rënda, të cilat bëhen të pashmangshme te personat që vuajnë nga masa të mëdha dhjamore. Të gjithë personat obezë kanë një gjendje psikologjike të rënduar për shkak të trupit të tyre dhe problemeve që hasin çdo ditë me shëndetin. Obeziteti quhet ndryshe dhe shëndet i tepërt, ku personat kanë masë të madhe dhjamore, që vjen si rezultat i ngrënies së tepërt dhe djegies së pakët të kalorive të marra, apo depozitimi i tepricave kalorike. OBSH-ja qe e para që me raportin e saj të vitit 2002, “Strategjia globale për dietën, veprimtarinë fizike dhe shëndetin” që reagoi fuqishëm ndaj shtimit të rreziqeve për shëndetin dhe të sëmundshmërisë kronike të lidhur me to. Ajo rekomandoi 6 drejtime strategjike për kontrollin, minimizimin dhe parandalimin e tyre.
Sëmundjet
Banka Botërore ka kryer një studim në vendin tonë, ku thekson se në krahasim me 10 vjet më parë, në Shqipëri vdekshmëria nga sëmundjet e zemrës, të vazave të gjakut dhe kancerit është rritur në masën 40%. Vetëm sëmundjet kardiovaskulare zënë 50% të totalit të vdekjeve në vendin tonë dhe në këtë fakt alarmant ndikon dhe mbipesha. Mbipesha përbën rrezik për një sërë sëmundjesh, ku mund të renditen; diabeti tip 2, hipertensioni, sëmundje ishemike të zemrës e të arterieve të trurit, sëmundje të tëmthit, disa tipe kanceri, si të mitrës, ovareve, gjirit, zorrës, tëmthit, prostatës, mëlçisë etj. Për të ndryshuar këto raporte duhet që të gjithë personat obezë t’i nënshtrohen një diete të fortë ushqyese dhe t’i rikthehen jetës aktive. Disa sëmundje të shkaktuara nga obeziteti mund të shmangen në disa mënyra. Mund të parandalohen mbi 80% e sëmundjeve ishemike të zemrës, 90% e diabetit të të rriturve dhe një e treta e numrit të të sëmurëve me kancer, si dhe të rasteve të vdekjeve ose vuajtjeve të lidhura me to. Sipas udhëzimeve të specialistëve të shëndetësisë, rekomandohet të konsumohen ushqime me origjinë bimore, drithërat, orizi dhe varietete zarzavatesh e frutash disa herë në ditë. Rekomandohet që të gjitha këto ushqime të konsumohen në masën 400 gramë në ditë.
Statistika
Prevalenca e sindromës metabolike në botë llogaritet deri në 35%. Në vendet e Europës kjo sindromë llogaritet në 25%, në Amerikën Latine në 24-25% dhe në Azi rreth 20%. Në vendin tonë, edhe pse mungojnë shifrat e sakta mbi këtë sindromë, mendohet se ajo ka tendencë për rritje të prevalencës së saj, duke qenë se ka një prirje të tillë për obezitet dhe mbipeshë në popullatë. Sot, në botë vuajnë nga obeziteti 600 milionë njerëz me hipertoni arteriale, 177 milionë me diabet tip 2, 20 milionë me kancer dhe 20 milionë me sëmundje ishemike të zemrës e të arterieve të trurit. Për shkak të obezitetit çdo vit në rajonin europian vdesin një milion veta. Me plakjen e popullatës prevalenca rritet më shumë, por kjo sindromë shfaqet dhe në moshat fëminore. Kështu, sipas mjekëve, në Amerikë te fëmijët e moshës 9-12 vjeç prevalenca është 9.2.

OBSH-ja, 6 drejtimet strategjike për kontrollin, minimizimin dhe parandalimin e mbipeshës

- Përdorimi sa më i shumtë në ushqimin e përditshëm të popullatës i zarzavateve dhe frutave të freskëta (minimum 400 gramë në ditë) dhe ushqimeve me përmbajtje të lartë fibre;
- Ushtrimi i veprimtarisë së përditshme fizike, (minimum 30 minuta ecje në ditë);
- Minimizim i konsumit të yndyrave shtazore në raport me ato me origjinë bimore;
- Kufizimin e produkteve ushqimore me përmbajte të lartë të yndyrave, kripërave dhe sheqernave të lira;
-Mbajtjen e peshës trupore në shifra optimalë, evitimin e shtimit në peshë;
- Mospirjen ose ndërprerjen e duhanit.

13 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›