E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina bie në det, mbyten dy shqiptarë në Greqi



GREQI – Një tragjedi rrugore ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në një ishull grek, i cili ka përfunduar me vdekjen e dy shqiptarëve. Burimet zyrtare pohojnë se ngjarja ka ndodhur në ishullin Kefalonia, kur 38-vjeçarja Angjelina Alia, vajza Anxhela, 18 vjeçe, dhe djali 16-vjeçar Mario, po përshkonin rrugën pranë portit të Poru-së, me një autoveturë që e drejtonte adoleshenti. Në një moment të humbjes së kontrollit të drejtimit të makinës, familja me tre persona u gjend në detin pranë portit Poru së bashku me autoveturën. Për pasojë, kanë gjetur vdekjen nëna 38-vjeçare dhe vajza e saj, ndërsa ka marrë plagë pa rrezik jete djali ende në moshë të mitur. “Gruaja 38-vjeçare dhe vajza 18 vjeçe nuk mundën të shpëtonin, ndërsa djali 16-vjeçar arriti të dilte nga makina i gjallë dhe të ngjitej në tokë duke i shpëtuar vdekjes”, - bënë të ditur burimet policore lokale.
Nga hetimet e para policia bën të ditur se dyshohet që moti i keq me shtrëngata shiu të ketë shkaktuar devijimin e makinës nga rruga në det të hapur. Por policia nënvizoi dhe faktin se djaloshi nuk kishte leje drejtimi për automjet.

Box 1

Përplasja në rrugë, një i vdekur dhe dy të plagosur

BERAT- Përplasja mes një fuoristrade dhe një biçiklete ka shkaktuar një të vdekur dhe dy persona të plagosur. Ngjarja ndodhi dje, rreth orës 15:30, në aksin rrugor “Berat-Ura Vajgurore”. Në kthesën e Lapardhasë, një mjet tip fuoristradë ka dalë nga kontrolli duke aksidentuar për vdekje një 54-vjeçar që udhëtonte me biçikletë dhe duke plagosur rëndë dy të tjerë, njëri prej të cilëve ndodhet aktualisht në sallën e operacionit në Spitalin e Beratit. Policia po heton shkaqet e kësaj ngjarjeje, ndërkohë që ka ndaluar shkaktarin e aksidentit.

E përplas makina, 20-vjeçari në gjendje të rëndë

FIER - Një i ri ka mbetur i plagosur rëndë kur një makinë e ka marrë përpara dhe e ka hedhur në një kanal. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm, në rrugën Fier-Patos, kur shtetasi Fatjon Mustafaj ishte duke udhëtuar me biçikletë. Sipas burimeve të policisë, 20-vjeçari i dëmtuari është goditur nga automjeti me targa të huaja, që drejtohej nga shtetasi Ardian Lulaj. Policia e shoqëroi shoferin Lulaj pasi dyshohet se ka ecur me shpejtësi më të madhe se normat e lejuara.

Helmohet një familje shqiptare me katër anëtarë

ITALI - Një familje shqiptare është intoksikuar mëngjesin e djeshëm në Itali. Burimet zyrtare të Policisë italiane pohojnë se katër anëtarët e familjes janë helmuar me monoksid karboni. Dy shqiptarët, bashkë me fëmijët e tyre, kanë qenë në gjumë kur lënda helmuese ka dalë nga soba që përdorej për t’u ngrohur dhe i ka lënë të intoksikuar. Dy prindërit dhe fëmijët, 5 dhe 7 vjeç, janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Fidencës në Reggio Emilia dhe sipas mjekëve, ndërhyrja është bërë në kohë. Për fat ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

13 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›