Dyshime për abuzime me fondet e shpronësimeve të Aeroportit të Kukësit
KUKËS – Menjëherë pas protestave të banorëve që pretendojnë dëmshpërblimin për pronat ku është ndërtuar Aeroporti lokal i Kukësit janë hedhur dyshime për abuzime me fondet që janë përdorur. Gjatë një takimi të organizuar në Prefekturën e Kukësit me banorët e zonës, eksperti i Drejtorisë së Aviacionit Civil, Feim Godo, ka deklaruar se me fondet e buxhetit të shtetit kanë dëmshpërblyer gjithë sipërfaqen private mbi të cilën është ngritur aeroporti. Të gjithë ish-pronarët janë dëmshpërblyer në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave numër 95, nënvizuan ekspertët e Drejtorisë së Aviacionit Civil. Sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës së Kukësit, Rexhep Cena, tha se po bëhen verifikime për personat e shpronësuar nga ndërtimi i këtij objekti dhe do të evidentohen edhe personat që kanë përfituar padrejtësisht e që do të detyrohen të rikthejnë paratë. "Tashmë janë 4 ish-pronarë në proces gjyqësor për të rikthyer paratë, që kanë marrë padrejtësisht", - tha eksperti i Drejtorisë së Aviacionit Civil, Ylli Spaha.
Për zgjidhjen përfundimtare të problemit po hartohet harta e tokës së aeroportit, sipërfaqja e saj, si dhe sipërfaqja e dëmshpërblyer e pronarëve. "Me përfundimin e kësaj harte do të shihet realisht sa familje kanë mbetur pa u dëmshpërblyer e sa të tjera kanë përfituar padrejtësisht me synim që problemi të zgjidhet përfundimisht e në mënyrë të drejtë", - theksoi Godo.
13 Dhjetor 2008