Ndërrimi i viteve, varfëria i detyron shqiptarët t’i rikthehen festimit në shtëpi
Jonida Tashi
Nata e ndërrimit të viteve do ta gjejë pjesën më të madhe të shqiptarëve rreth tryezës tradicionale familjare. Megjithëse zbukurimet dhe atmosfera festive kanë filluar të pushtojnë rrugët e qyteteve, sidomos të kryeqytetit, këtë vit vihet re një stepje e qytetarëve për të prenotuar darkën në lokale dhe hotele luksoze. Të detyruar nga rritja e çmimeve dhe varfëria, mjaft qytetarë kanë vendosur që Vitin e Ri ta festojnë në familje, ndërsa pas orës 12.00 të mbrëmjes të dalin nëpër lokale me muzikë live ose pab-e. Përjashtim nga këto familje, që do ta festojnë Vitin e Ri sipas mënyrës tradicionale, në shtëpi, sigurisht që do të bëjnë familjet e kamura dhe ato të politikanëve, për të cilët festimi i kësaj feste pa luks nuk “përtypet” dot. Si gjithmonë, këto familje të pasura edhe këtë vit do të jenë prenotueset e para, ndoshta edhe të vetmet, të hoteleve luskoze në kryeqytet.
Çmimet
Çmimet e darkës për natën e ndërrimit të viteve, që hotelet e njohura të kryeqytetit kanë vendosur, variojnë nga 100-170 euro për person. Ndërkohë që një familje me ekonomi mesatare kaq lekë do t’i shpenzojë për blerjen e gjërave më të domosdoshme për këtë festë. Të kontaktuar nga gazeta, punonjës të këtyre hoteleve shprehen se këto ditë nuk kanë filluar mirë prenotimet për festat. Madje, mjaft lokale dhe hotele nuk kanë përgatitur ende fletëpalosjet informuese për qytetarët, në të cilat tregohet menyja e darkës, çmimet për person, si dhe aktivitetet që do të zhvillohen në natën e Vitit të Ri në ambientet e tyre. Po ndërsa festat e fundvitit po afrojnë, vëmendja e të gjithë njerëzve është përqendruar rreth mënyrës se si do t’i kalojnë këto festa. Disa kanë zgjedhur të festojnë sipas mënyrës tradicionale, pranë familjeve të tyre. Kjo pikësëpari për arsye edhe të çmimeve të “kripura” që ofrojnë restorantet luksoze të kryeqytetit. Ndërsa të tjerë, ata më të njohurit, politikanët, biznesmenët, familjet e pasura, ashtu si çdo vit do të kenë luksin që natën e ndërrimit të viteve ta kalojnë në lokalet më luksoze të Tiranës.
Vëzhgimi
Gazeta “Albania” ka vëzhguar disa prej hoteleve dhe lokaleve të kryeqytetit për t’u interesuar se çfarë do t’u ofrojnë klientëve me rastin e festave këto ambiente luksoze. Prenotimet në këto restorante ende nuk kanë nisur, por atmosfera është përgatitur, menyja po ashtu, ndërkohë që edhe çmimet janë përcaktuar. Secili prej tyre ka klientelën e vet të përzgjedhur, por ajo që mbetet e pandryshueshme për të gjithë është fakti se të festosh në këto restorante duhet të jesh me xhepin plot. Restorantet e njohura të Bllokut do të jenë vendi më i preferuar për të festuar nga qeveritarët, opozitarët dhe biznesmenët. Ky fakt pohohet nga menaxherët e këtyre restoranteve, të cilët bëjnë të ditur se deri tani prenotimet aty janë bërë nga kjo kategori e të pasurve. Ndërsa qytetarët e thjeshtë edhe për këtë vit do të jenë të “dënuar” të festojnë në shtëpi duke iu lutur Zotit që të mos u fiken dritat, siç ndodh rëndom në raste festash, megjithëse vazhdimisht nga qeveritarët deklarohet se nuk do të ketë kufizime.
Kalendar i varfër kulturor për festat e fundvitit
Një kalendar i varfër, me mungesë premierash dhe shfaqjesh të reja, është ajo që ofrojnë institucionet kryesore të kulturës në kryeqytet. Kjo gjë ndodh pavarësisht faktit që këto institucione mbajnë nga pas emrave të tyre cilësimin si “kombëtare”. Me përjashtim të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, i cili zhvillon sipas një tradite të përvitshme mbrëmjen e madhe gala të fundvitit, Teatri Kombëtar, Muzeu Historik Kombëtar dhe Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, duket se ende nuk dinë se çfarë do të ofrojnë me këtë rast. Më saktë, ajo që do të ofrohet nga këto institucione nuk është aspak e re, për më tepër që disa prej tyre do t’i kenë të kyçura dyert për publikun artdashës që më datën 24 dhjetor. Deri në datën 23 të këtij muaji, Teatri Kombëtar do të vijojë me shfaqjen e dramës “Fërshëllimë në errësirë” pa servirur asgjë tjetër të re për publikun, ndërkohë që nuk ekziston ndonjë projekt enkas për festat e fundvitit as në Muzeun Kombëtar dhe e as në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në këtë prizëm, ndonjë galeri private është për t’u admiruar pasi ka menduar të organizojë me rastin e ndërrimit të viteve “party” të hapur me publikun, ku të pranishëm do të jenë të gjithë artistët që kanë ekspozuar gjatë vitit. Sa u takon atyre që duan të argëtohen me shfaqje artistike në fundvit, na vjen keq por kjo në Tiranë nuk është e mundur. E shumta mund të shohin një film në kinema ose të dalin në ndonjë koncert të zhvilluar në rrugë nga Bashkia.
Kryeqyteti, prej tetë vitesh me të njëjtin dekor për festa
Kryeqyteti po zbukurohet prej tetë vitesh me të njëjtin dekor për Vitin e Ri. Me përjashtim të disa ndryshimeve të vogla, pamja e qytetit për çdo fundviti mbetet e njëjtë. Për pasojë, ardhja e vitit 2009 në Tiranë do të pritet me të njëjtat zbukurime që janë përdorur edhe tetë vite më parë. Mesa duket, buxheti i Bashkisë nuk e përballon dot blerjen e stolisjeve të përvitshme, siç bëhet çdo vit në kryeqytetet e tjera europiane. Kryeqyteti i vendit tonë edhe këtë vit është zbukuruar po me të njëjtin dekor, veçse këtë herë ai është edhe më i vjetëruar se një vit më parë. Figurave, në pjesën më të madhe, nuk u ndizen të gjitha dritat, kjo pasi gjatë vendosjeve dhe heqjes sërish janë dëmtuar. Ndërsa sipas Bashkisë së Tiranës, edhe këtë vit nuk do të mungojnë risitë në dekorimin e qytetit. Në bulevardin kryesor “Dëshmorët e Kombit” nuk do të vendosen vetëm dritat mbi pemë, por do të fiksohen edhe figura të ndryshme me drita. Kryesisht ato do të jenë në formën e yjeve, por nuk do të kenë të njëjtën madhësi. Risi gjithashtu do të ketë edhe në Rrugën e Durrësit dhe “Luigj Gurakuqi”. Sipas burimeve nga Bashkia, këto zbukurime kanë ardhur si dhuratë nga shteti fqinj, Italia. Pra edhe kësaj here Bashkia ato pak ndryshime, që do të bëjë në dekorin tashmë tejet të vjetëruar të vitit të ri, i ka dhuratë dhe nuk po shpenzon asnjë monedhë për të. Dhe pema e Vitit të Ri, e cila është vendosur përballë godinës së Bashkisë, po shënon vitin e tretë që po përdoret. Normalisht ajo duke qenë pemë artificiale ishte deklaruar edhe më parë që do të përdorej disa vite për dekorin e Bashkisë. Por këtë vit do të ketë ndryshime në zbukurimin e saj, pasi do t’i shtohen dritat dhe llojet e zbukurimeve që përdoren për pemën. Pjesë e stolisjeve të kësaj peme do të jenë 4500 drita, të cilat më datën 16 dhjetor do të ndizen në mënyrë simbolike nga kryetari i Bashkisë, pasi është një ceremoni që bëhet në të gjitha vendet e botës.
13 Dhjetor 2008