Miratohet rregullorja e re për përfitimin e pensionit
Jonida Tashi
Miratohet rregullorja e re për përfitimin e pensionit. Këshilli i Ministrave ka miratuar rregulloren e përpiluar pak kohë më parë nga specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve. Në këtë rregullore janë përcaktuar të gjitha procedurat që ndiqen për përfitimin e pensionit, duke filluar që nga plotësimi i kërkesës paraprake deri në marrjen e vendimit për caktimin e masës së pensionit. Për të përfituar të gjitha llojet e pensioneve të pleqërisë personi i interesuar, fillimisht 1 vit para se t’i lindë e drejta për pension, duhet të paraqesë kërkesë paraprake me shkrim pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH), te inspektori pritës. Kur personi që do të fillojë procedurën e kërkesës paraprake paraqitet për herë të parë te inspektori pritës i ALSSH-së, ky i fundit, krahas sqarimeve ligjore, është i detyruar ta pajisë të interesuarin me formularin e dokumenteve që duhet të paraqesë për efekt pensioni. Kërkesa paraprake plotësohet në ALSSH nga vetë personi, ose i autorizuari prej tij me prokurë të posaçme, në prani të inspektorit pritës. Kjo kërkesë plotësohet në dy kopje, nga të cilat, kopja e parë shoqëron dosjen e përpiluar sipas kërkesave të nevojshme dhe kopja e dytë i jepet personit të interesuar të dalë në pension.
Dokumentet
Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake për pension janë: fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj, deklaratë për vitet e punës; certifikatë lindje me fotografi; certifikatë martese për kërkueset femra.
Inspektori pritës ka për detyrë dhe mban përgjegjësi për: informimin e të interesuarit për kohën e saktë se kur i lind e drejta për pension si dhe procedurën që duhet ndjekur pas dorëzimit të dokumenteve paraprake; kontrollin e kërkesës dhe të dokumenteve të paraqitura, të cilat, pasi i kontrollon, i vulos me vulën personale dhe i nënshkruan; regjistrimin e kërkesës në librin e pritjes në rubrikën “Kërkesa paraprake për pension”, dhe më pas vendosjen në kërkesë të datës së marrjes në dorëzim, vendosjen si në numër të numrit që ka kjo kërkesë në librin e pritjes; pajisjen e të interesuarit ose personit të autorizuar me prokurë të posaçme me një kopje të kërkesës së nënshkruar dhe të vulosur me vulën personale të inspektorit; krijimin e dosjes me dokumentet e kërkuesit të pensionit, në kapakun e së cilës shënohet numri i kërkesës, emri, atësia, mbiemri, adresa e plotë e kërkuesit, numri i Sigurimit Shoqëror; dorëzimin në fund të ditës të kërkesave me dokumentet shoqëruese te përgjegjësi i Agjencisë. Ky i fundit, pasi kontrollon procedurat, merr në dorëzim kërkesat dhe dokumentet shoqëruese dhe i regjistron në regjistrin përkatës. Përgjegjësi i ALSSH-së, një herë në javë, sipas grafikut të miratuar nga DRSSH-ja, dosjet e pranuara i dorëzon në DRSSH me protokoll të rregullt, me shkresë përcjellëse. Ndërsa për ALSSH-të e qyteteve ku kanë selitë DRSSH-të, dorëzimi bëhet çdo ditë me postë. Në DRSSH, dokumentet, së bashku me kërkesat paraprake për pension, protokollohen dhe i kalohen drejtorit të DRSSH-së, i cili i adreson më pas te kryetari i Degës së Përfitimeve. Ky i fundit, pasi bën regjistrimet përkatëse në një regjistër tip, i kalon dokumentet për verifikim. Kur verifikimi duhet të bëhet jashtë DRSSH-së, shkresa përcjellëse e kërkesës për verifikim nënshkruhet nga drejtori i DRSSH-së dhe përmes zyrës së protokollit i dërgohet me postë DRSSH-së përkatëse. Ndërsa në rastet kur verifikimi duhet të bëhet brenda DRSSH-së, kryetari i Degës së Përfitimeve ia kalon përgjegjësit të Sektorit të Arkivës për verifikim, sipas rastit në arkivën e DRSSH-së ose në ASHV-të apo në subjektet që kanë aktivitet brenda territorit të kësaj DRSSH-je. Afati i verifikimit në këtë rast është 30 ditë kalendarike.
Verifikimi
DRSSH-ja fillon procedurat e verifikimit. Afati për çdo rast verifikimi dhe i kthimit të përgjigjes DRSSH-së kërkuese është 60 ditë kalendarike. Procedurat e verifikimeve janë të njëjtat me ato të sipërmet edhe në këtë rast. Kryetari i Degës së Përfitimeve përgatit shkresën përcjellëse, e cila, pas nënshkrimit nga drejtori i DRSSH-së, së bashku me dokumentet dhe akt-verifikimet e bëra, i adresohet ALSSH-së. Për rastet kur si rezultat i verifikimeve nuk konfirmohet vjetërsia në punë, shkresa përcjellëse e nënshkruar nga drejtori i DRSSH-së i adresohet edhe personit të interesuar, duke iu bërë e ditur nëpërmjet ALSSH-së. Përgjegjësi i ALSSH-së, ku është paraqitur kërkesa paraprake, ruan në një dosje me ngjyrë të ndryshme nga ato të dosjeve të kërkesave për pension: kërkesën paraprake; dokumentet shoqëruese; akt-verifikimet e kryera. Përgjegjësi i ALSSH-së i kthen përgjigje kërkuesit mbi konfirmimin e vjetërisë në punë në përgjigje të kërkesës paraprake. Kur nga verifikimet dokumentacioni rezulton i rregullt në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfundon procesi i marrjes së akt-verifikimeve. Kurse në rastin e kundërt, kur nga verifikimi, dokumentacioni rezulton jo i rregullt, përgjegjësi i ALSSH-së harton shkresën përcjellëse, ku paraqet arsyet e moscaktimit të pensionit dhe ia dorëzon atë jo vetëm personave përgjegjës në DRSSH, por edhe personit të interesuar për pension. Inspektori përpunues, pas përfundimit të llogaritjes së pensionit, plotëson: fletën e llogaritjes së pensionit; fletën e kartelizimit të programit të pensioneve; kartelën finaciare; urdhër-pagesën; librezën e pensionit; vendimin e shkurtuar; formularin me 36 pagat.
Dosja
Dosja e pensionit, e plotësuar me të gjitha dokumentet e nevojshme dhe e inventarizuar plotësisht, i dorëzohet kryetarit të Degës së Përfitimeve. Ky i fundit kontrollon dhe është përgjegjës për procedurat. Nëse i gjen ato të respektuara, nënshkruan në rubrikën përkatëse të vendimit të caktimit të pensionit dhe të urdhër pagesës. Më pas dosja i dorëzohet kryetarit të Degës së Financës, i cili, pasi bën kontrollin sipas rregullave financiare në fuqi, nënshkruan vendimin e caktimit të pensionit, kontrollon të dhënat në kartelën financiare nëse janë të sakta dhe të njëjta me urdhër-pagesën dhe bën nënshkrimin e tyre. Më pas dosja e pensionit i dorëzohet kryetarit të Degës së Informatikës, i cili i vendos numrin dhe mbështetur në vendimin e caktimit të pensionit, në fletën e kartelizimit dhe në urdhër-pagesë, regjistron të dhënat në programin e kartelizimit dhe në programin “exel” të postave paguese. Drejtori i DRSSH-së, pasi kontrollon procedurat, nënshkruan vendimin e caktimit të pensionit, urdhër-pagesën dhe ia kalon atë Degës së Financës për veprimet e mëtejshme. Urdhër-pagesa e vulosur dhe e shoqëruar me shkresë përcjellëse të sigluar nga kryetari i Degës së Financave dhe të nënshkruar nga drejtori i DRSSH-së, me protokoll të veçantë ose me postë, i dërgohet filialit/degës së Postës Shqiptare, e cila, në bazë të akt-marrëveshjes, ia kalon qendrave paguese brenda 24 orëve.
Transferimi i dosjes së pensionit
Kërkesa për transferimin e pensionit bëhet në ALSSH-në ku ka vendbanimin e ri pensionisti. Kjo kërkesë duhet të shoqërohet me certifikatën e vendbanimit të ri dhe dërgohet në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore (DRSSH). Kjo e fundit, me shkresë zyrtare, kërkon dosjen e pensionit nga DRSSH-ja që e ka në administrim. Nuk lejohet të transferohet një dosje pensioni nëse nuk është paguar minimumi një këst mujor pensioni në agjencitë paguese të rrethit ku DRSSH ka caktuar pensionin. Në shkresën shoqëruese të dosjes që transferohet shënohet data e pagesës së fundit, kjo shkresë konfirmohet nga financa. Dosjet transferohen vetëm me protokoll dhe evidentohen në një regjistër të veçantë në DRSSH. Kur nuk gjendet në rregull sipas rastit, bëhet verifikimi i dokumenteve që shihen të nevojshme.
Dokumentet për kërkesën paraprake
Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake për pension janë:
Fotokopje e librezës së punës (në mungesë të saj, deklaratë për vitet e punës)
Certifikatë lindje me fotografi
Certifikatë martese për kërkueset femra
9 Nentor 2008