Historia XII, tërhiqet MASH, Tafaj: “Teksti do të korrigjohet brenda vitit”
Ka mjaftuar deklarata e kryeministrit të vendit për ndryshimin e librit të Historisë, si dhe protesta në tentativë e nxënësve të “Çajupit” në kryeqytet, që Ministria e Arsimit të tërhiqet nga qëndrimi i saj për tekstin e Historisë së klasës së XII. Ministria e Arsimit ka pranuar dje të ndryshojë qëndrimin e saj për librin e Historisë, duke vendosur që ta rishohë tekstin e shumëdebatuar dhe të kundërshtuar nga jo vetëm nga ekspertë të fushës, por edhe nga vetë nxënësit. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj pranoi gabimet në librin e Historisë për klasën e XII dhe deklaroi dje publikisht se teksti do të rishkruhet brenda këtij viti. “Teksti do të korrigjohet, do të korrigjohen të gjitha tekstet që kanë gabime. Që këtë vit ne kemi ngritur një grup specialistësh, të cilët do të shohin tekstin dhe do të bëjnë korrigjimet e duhura”,-deklaroi Myqeren Tafaj. Ministri i Arsimit është ndalur edhe në procesin e pranimit në universitete, sipas të cilit, pas datës 4 tetor, do të sqarohet gjithçka edhe përsa i përket vendeve të mbetura në fakultete. Deklaratat e mësipërme ministri i Arsimit, i bëri dje pas një tryeze së bashku me ministrin e Mjedisit, Fatmir Mediu, në të cilën ata kanë folur rreth politikave për mbrojtjen e mjedisit, të cilat duhet të integrohen në tekstet mësimore.
Studentët e Juridikut në Vlorë, MASH premton diplomë 4-vjeçare
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj kërkon që studentët e diplomuar në Juridik në Universitetin e Vlorës të dalin nga greva, pasi ata do të pajisen me diplomën që kërkojnë. Nëpërmjet një njoftimi të posaçëm për shtyp, Ministria e Arsimit sqaron edhe një herë të gjithë studentët që kanë përfunduar studimet universitare 4-vjeçare në të gjitha universitetet në vitin akademik 2008-2009, përfshirë studentët e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, se diplomat e tyre janë tërësisht njëjta me diplomat e marra nga studentët e viteve paraardhëse. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë dallim në të drejtat që gëzojnë studentët për të vazhduar studimet e mëtejshme universitare dhe për punësim. “Sqarojmë se mbi këtë bazë të gjithë studentët e diplomuar në fakultetet e Drejtësisë në universitetet e vendit, me kohëzgjatje studimi katër vjet, u pranuan në konkursin e zhvilluar para disa ditësh nga Shkolla e Magjistraturës”,- thuhet në njoftimin e MASH-it. Por megjithë deklaratën e dalë dje nga MASH-i, studentët e Vlorës janë të vendosur për të vazhduar grevën e urisë derisa të pajisen me diplomë 4-vjeçare në të cilën të përcaktohet edhe titulli “Jurist”.
30 Shtator 2009