E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtria Profesioniste, fluks kërkesash në Drejtoritë e Rekrutimit



Laureta Rryçi

Një nga sfidat më të mëdha të ushtrisë shqiptare për vitin 2009 është përmbyllja e procesit të shndërrimit në një trupë profesioniste, me standarde të njëjta me ato të vendeve anëtare të NATO-s. Deri në më 31 dhjetor të këtij viti merr fund procesi i rekrutimit të detyrueshëm për kryerjen e shërbimit ushtarak. Nga 1 janari i vitit 2010 Shqipëria do të ketë vetëm një ushtri profesioniste, me pagesë dhe hierarki në bazë të funksioneve dhe gradave. Rekrutimi i ushtarëve profesionistë ka nisur që prej një viti dhe procesi është konsultuar dhe monitorohet dhe nga ekspertë të NATO-s. Ministria e Mbrojtjes dhe Qendra Kombëtare e Rekrutim Mobilizimit kanë zhvilluar dhe zhvillojnë një fushatë të gjerë propagandistike për kushtet dhe kërkesat, që duhet të plotësojë cilido aplikant nga mosha 19 deri në 30 vjeç, që ka kryer të paktën arsimin e mesëm. Burime pranë kësaj qendre shpjeguan se çdo ditë e më tepër të rinjtë po shfaqin interes që të jenë pjesë e Ushtrisë Profesioniste. Mirëpo përveç dosjes që duhet të përgatisin me disa dokumente, ata duhet të kalojnë edhe dy testet para se të bëhen pjesë e kësaj ushtrie. Të njëjtat burime sqaruan se Drejtoritë e Rekrutimit gjatë kësaj kohe kanë hequr dorë aksionet për grumbullimin e të rinjve për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak por, po i përkushtohen përzgjedhjes së kandidatëve për Ushtri Profesioniste.
Qendra e rekrutimit
Në qendrën e rekrutimit në Tiranë zhvillohet një ditë në javë testimi për ata, që kanë plotësuar formularët e aplikimit. Janë djem e vajza nga 19 deri në 30 vjeç nga të gjitha rrethet e vendit, që i nënshtrohen dy testimeve bazë, atij fizik dhe psikologjik. Modeli është ndërtuar me asistencën e ekspertëve të NATO-s, të cilët janë prezent vazhdimisht dhe gjatë konkurrimit të aplikantëve. Pasi mbarojnë provat fizike, kryesisht vrapim dhe ushtrime rezistente, aplikantëve iu duhet të përballojnë edhe provimin me pyetje të karakterit psikologjik. Ushtria shqiptare synon që të ketë një trupë me rreth 3600 vetë, ndër këta rreth 12 për qind ose 430 prej tyre të jenë nga radhët e femrave. Aktivizimi i tyre krahas meshkujve shikohet si një mundësi reale për karrierë, arsimim dhe kualifikim të mëtejshëm, aftësim dhe pasurim të përvojës jetësore e kulturore. Pse jo dhe garancia e një pagese të kënaqshme dhe mundësia për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse jashtë vendit, ashtu siç kanë operuar deri më sot dhe meshkujt. Sipas specialistëve në këtë drejtori të rinjtë që plotësojnë kriteret për t’u bërë ushtarë profesionistë, në vend të shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv i ofrohet vetëm 9 (nëntë) javë stërvitje bazë në Br.S. Bunavi dhe pastaj punësim në Forcat e Armatosura si Ushtar Profesionist.
Vendimi
Qeveria vendosi në vitin 2008 heqjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe kthimin brenda vitit 2010 në Ushtri Profesioniste. Falë atij vendimi u përcaktua që kjo ushtri profesioniste të arrihej në bazë të rekrutimit të ushtarëve të rinj, të cilët do të paguhen për shërbimet në Forcat e Armatosura shqiptare.
Në ndryshimet e miratuara nga kabineti qeveritar, në ligjin “Për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë”, theksohet se gjithkush që do të bëhet pjesë e ushtrisë shqiptare do të paguhet. “Qendra e rekrutim-mobilizimit përgjigjet për zbatimin e programit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, sigurimin e personelit të nevojshëm për shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv, rezervist, dhe të personelit profesionist (me pagesë), për plotësimin e njësive e të reparteve të Forcave të Armatosura”, përcaktohej në ligjin e ri duke ngarkuar përgjegjësi konkrete për këtë tjetërsim të Ushtrisë.

Kriteret
Kriteret e përcaktuara nga Ministria e Mbrojtjes do të jenë bazë në pranimin e ushtarëve që do të pozicionohen në forcat e ushtrisë në profile të ndryshme. Kështu, do të pranohen ushtarë të gjithë shtetasit e moshës 19 deri në 30 vjeç, që janë të aftë për t’u bërë pjesë e ushtrisë. Të gjithë kandidatët duhet të kenë minimalisht arsimin e mesëm dhe detyrimisht ata që kanë arsimin e lartë dhe kanë dëshirë të rekrutohen ushtarë profesionistë me pagesë për të shërbyer në njësitë e repartet prioritare të FA të RSH-së. Kandidatët duhet të paraqiten në Qendrën e Rekrutimin- Mobilizimit në Tiranë, për të bërë aplikimin dhe më pas përzgjedhjen e tyre.

Pagesa
Të përzgjedhurit do të kenë pagë minimale shumën e 35 mijë lekëve, për meshkujt dhe femrat e rekrutuara ushtare. Më pas rritja e pagës presupozohet sipas gradave të fituara gjatë qëndrimit në detyrë. Kështu që, kushdo që rekrutohet ushtar profesionist, siguron punësim e pagesë relativisht të krahasueshme me sektorë të tjerë të jetës civile, motivim për kryerjen e detyrës, Njëkohësisht, siguron mundësi kualifikimi brenda dhe jashtë vendit, mësim të gjuhës angleze, si dhe pjesëmarrje në misione paqeruajtëse brenda dhe jashtë vendit. Pjesëmarrja në ushtrinë profesioniste siguron aftësim në profesione të ndryshme.

Vendet
Pozicionet e punësimit që do të vendosen këto forca janë në pozicionet më të rëndësishme të ushtrisë shqiptare, ku deri sot janë mbuluar nga profesionistë me kualifikime dhe shkollim përkatës. Sipas njoftimit të nxjerrë nga Qendra e Rekrutim- Mobilizimit, punësimi i shtetasve kërkohet në Brigadën e Reagimit të shpejtë në Zall- Herr, Brigadën e Mbrojtjes Rajonale Tiranë, në Policinë Ushtarake Sauk, Komanda Mbështetëse Tiranë, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes Tiranë, Brigada e Logjistikës Tiranë, si dhe në Brigadën e Xhenios Tiranë. Të gjitha këto hapësira apo pozicione do të jenë të hapura për rekrutët, të cilët do të profilizohen sipas nevojave të Ushtrisë në RSH.

Si prioritete për përgatitjen e ushtarëve profesionistë janë:
•Kryerja e stërvitjes bazë në BrS Bazë, Bunavi
•Kurseve instutucionale dhe funksionale
•Kualifikimet e ndryshme si benda vendit ashtu dhe jashtë tij
•Kurse për specialitete të veçanta, si shoferë, manovratorë, mekanikë

30 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›