E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mos ratifiko marrëveshjen detare!”



Prof. Myslim PASHA

Ata që kanë qenë në bisedime, ata dhe vetëm ata, të zgjedhurit e vendit të tyre, në një klimë miqësie, përballë: Vallë, a e kanë parë veten si në një “formacion luftarak”, po pa pasur mjetet e luftës ujore klasike; as anije lufte; as kaçatorrpedenierë, as nënujëse, as ndërthurje të forcave tokësore, ajrore me ato detare…as… Po kanë pasur një Marrëveshje, Konventë, me rregulla dhe instruksione paqësore, ligje të brendshme dhe ndërkombëtare, të vëna në tavolinën e shahut, apo në atë fushë të përfytyruar të ndeshjes “së butë”, e në këtë infrastrukturë ngrihen të gjitha planet e ndeshjes, lëvizjet, armët, mësymja, rreshtimi, hedhje e forcës, ruajtje e rezervës, synimi gjeostrategjik, sulmi përfundimtar, mes nënbuzëqeshjeve, për të përfituar atë që është synim, gjeohapësirën detare, afërsinë apo largësinë, daljen në hapësira ku ka pasuri nënujore dhe xeherorë, apo shkurtim udhësh detare, apo ç’tjetër vallë...?
S’na ka ngelur asgjë për të përfytyruar më, sepse atë e dinë vetëm ata që janë ulur në ato tavolina, që kanë qenë në sallat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Ministrinë e Mbrojtjes së të dy vendeve.

Gjeni se kush ka humbur?
“Dëshpërimi i Detit të Shqipërisë në këtë kirurgji s’mund ta kuptoj dot arsyen pse është në kësi vuajtje dhe pse vallë iu rikthye izolimi; një izolim i matur dhe i thurur vetë, mbështjellë pas trupit të Dheut, ndanë Karaburunit. Vuajtja vjen falë një gatimi në një magje diplomatike, kur biseduesit e prerjes nuk dinin se në cilën drekë apo darkë detare ishin të ftuar dhe si kishin lundruar për atje. Harruan që s’dinin se në cilin det lëkundeshin, ku ishte kreu dhe fundi i tij. Befas, në rrugën detare, në të cilën lundroi Pirro drejt Tarantit, hasën Epirotin e Madh tek zihej me Zotin e Detit, Poseidonin.
”Këto janë ujërat e mia!” - thoshte Epiroti.
Poseidoni as që i ktheu përgjigje, por ngriti prej dallgësh sfurkun e tij të zemërimit. “Bëj ç’të duash, ktheje përmbys! Unë nuk luaj nga e imja. Këtu jam unë zot!”.
... Biseduesit u kujtuan për pronësinë, por ishte vonë. Ishte endur një pëlhurë, si perde ujore, dhe Deti, në mospajtim, u kishte lidhur këmbët. Po kështu edhe sy nuk kishin, kah Perëndimi.
“Mësymja hapësinore detare nuk pyet se mbi cilat syprina sovrane lundron. Çdo matje, përcaktim gjeodezik apo hidrografik i mëtejshëm është pjesë e një teatri absurd, ku aktorët, teksa kanë hipur në anijen hidrografike, në atë Jon të bukur e të magjishëm, mes një romantike dhe idili miqësor, befas gjenden në një skenë të panjohur, e cila nuk dihet se kush regjisor e kishte përfytyruar, e përgatitur si një surprizë, nga pala e aktorëve komedianë shqiptarë, pikërisht poshtë kepit të Gjuhëzës dhe përballë Otrantos. Kjo ishte e pabesueshme për palën greke”.
“Gjenealogjia e një vepre, tashmë të varur në murin e turpit të asaj harte detare, e cila thuhet se është një e mirë që ia kemi bërë vetes, po që përkthehet si një dhurim jonik që ia kemi blatuar fqinjit, përcillet prej një binomi, tej barazimit të të cilit rezultati që përftohet nuk është sa mbledhja e të dy faktorëve, por veçse një mosbarazim. Binomi s’mund të quhet më i tillë. Ngelet për të thënë, pa mëdyshje, se në epilog, s’mund të kumtohet asgjë më shumë sesa një dështim i plotë i veprës diplomatike, më antikombëtare që ka historia afër njëshekullore e shtetit shqiptar”.

30 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›