Jo tërheqje, por vendim për pavlefshmëri të Enciklopedisë
Arben RATKOCERI
Në këto ditë debatesh rreth "Enciklopedisë maqedonase", ajo që duket se është më imediate ka të bëjë me gjetjen e modaliteteve adekuate për përgjigje, por me një kusht; që kjo të reflektojë një efekt konkret. Ky modalitet mendoj se duhet të jetë i shtrirë në dy rrafshe; atë politik dhe atë shkencor. E keqja, ndoshta, qëndron në atë se hapësirat manovruese rreth asaj se çka më tutje janë shumë të limitizuara për shkak të peshës shkencore, por edhe politike që ka ky publikim. Qoftë opinionistët, të cilët s'kanë të ndalur duke dërguar mendimet e tyre në gazetë, apo edhe prononcimet tjera si të politikanëve, OJQ-ve dhe intelektualëve të ndryshëm, duhet t'i përqendrojmë idetë tona në kërkesë konkrete, ku në "punë" nuk do hynte as kompromisi eventual.
Në rrafshin politik është e padiskutueshme që duhet të insistohet te kreu më i lartë shtetëror, që të distancohet e ta dënojë këtë publikim; para së gjithash, kjo duhet të dalë nga goja e kryeministrit Gruevski. Për shkak të funksionit që ka, nuk duhet të shmanget as presidenti Ivanov, ani pse të gjithë e dimë se si funksionon ai. Për rëndësinë politike të distancimit dhe njëkohësisht dënimit të këtij nuk ka edhe aq nevojë të shkruhet se kjo çështje është devalvuar aq shumë sa mund edhe të biem në përsëritje, ndoshta me shumicën e atyre intelektualëve apo politikanëve shqiptarë që nuk kanë qenë më aktivë sesa tani.
Sot nuk mund të shkruash pa polemizuar me arsyetimet banale që dëgjohen nga politikëbërësit maqedonas se "MANU" është institucion i pavarur dhe s'ka çka kërkon politika. Duhet kujtuar atyre dhe të tjerëve se edhe Adolf Hitleri kishte publikuar librin “MEIN KAMPF”, por, thuajse e gjithë bota dhe pjesa dërmuese e gjermanëve u distancua apo e dënoi këtë libër.
"Targeti" kryesor i shqiptarëve, sidomos i politikëbërjes, duhet të jetë në shpalljen e pavlefshme të kësaj Enciklopedie, apo të paktën, të atyre pjesëve që i prekin shqiptarët. Nuk mjaftojnë përmirësimet, plotësimet, ribotimi i përmirësuar, tërheqja apo variacione të tjera, sepse botimi aktual edhe më tej do të vazhdojë të ketë relevancën e vet, pavarësisht se sa kopje të Enciklopedisë janë në qarkullim. Pra, imediate është që të sillet një vendim zyrtar shkencor si i pavlefshëm po nga institucioni që e hartoi këtë Enciklopedi skandaloze, pra "MANU", në mënyrë që sadopak të përmirësohet krimi shkencor, që ky institucion, përmes falsifikimit, ua bëri shqiptarëve, por edhe të tjerëve. Krahas kësaj, shpallja e pavlefshme e Enciklopedisë parandalon apo e bën të paefektshëm rëndësinë e saj si dokument shkencor, jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen, për këdo që do të gjurmojë në arkiva dhe, me qëllim apo paqëllim, do të tentonte që ta shfrytëzojë si dokument shkencoro-historik. Pra, thënë shkurt, vendimi eventual për tërheqje nuk nënkupton mosrelevancën e saj si dokument shkencor, sepse tanimë ajo është publikuar. Enciklopedinë, si pronë të tyre, e kanë arkivat, bibliotekat, universitetet, institutet hulumtuese, media e shumë të tjerë….
Kjo Enciklopedi, nëse nuk shpallet e pavlefshme nga institucioni që e ka prodhuar, tash e një mijë vjet, për shumëkënd, sidomos për qarqet shoviniste antishqiptare, do të jetë pikë referimi për publikime e debate tjera.
Këtë e parandalon vetëm një veprim i shpalljes së pavlefshme nga institucioni që e ka publikuar, respektivisht Akademia e Shkencës dhe Arteve të Maqedonisë.
*
Autori është drejtor i gazetës “Koha” në Maqedoni, e cila denoncoi për herë të parë skandalin e Enciklopedisë. Shkrimi publikohet në gazetën “Albania” përmes një bashkëpunimi me gazetën shqiptare në Shkup
30 Shtator 2009