E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësuesit, Ministria dhe Sindikata do të hartojnë kontratë të re kolektive të punës

Kreu i Sindikatës së Arsimit sqaron pikat e reja që pritet t’i shtohen kësaj kontrate. Tafaj pranon paraprakisht propozimet, pritet hartimi i tekstit sipas kritereve

Jonida Tashi

Nis hartimi i kontratës së re kolektive të punës për punonjësit arsimorë. Sindikata e Arsimit, bën të ditur se kontrata e re pritet të hyjë në fuqi në dy muajt e parë të vitit 2010. Kreu i Sindikatës së Arsimit, Xhaferr Dobrusha, sqaron se baza e kontratës kolektive do jetë ajo e vjetra, por në të do të përfshihen edhe disa ndryshime të propozuara jo vetëm nga kjo sindikatë, por edhe nga Ministria e Arsimit. “Duke qenë se kontrata aktuale mbaron në fund të këtij viti, do të nënshkruhet e reja, e cila besoj se do të hyjë në fuqi nga janari apo shkurti i 2010”,- pohon Dobrusha.
Kontrata
Ndër pikat kryesore që janë diskutuar për t’u përfshirë në kontratën e re të punës, është kohëzgjatja e ushtrimit të profesionit, e cila pritet të jetë për katër vjet. Por, deri në mbyllje të këtij viti, mësuesit do të vijojnë të punojnë me kontratat ekzistuese. Një pikë tjetër e propozuar nga Sindikata e Arsimit për kontratën e re të arsimtarëve është rritja e kërkesave për përgatitjen dhe kualifikimin e mëtejshëm të mësuesve. Dobrusha deklaron se një ndër pikat kryesore të kontratës do të jetë edhe lëvizja e mësuesve. Ai pohon se kësaj pike do t’i mëshohet fort, në mënyrë që mësuesit të mos lëvizin pambarimisht. “Kërkojmë përmirësimin e kushteve të emërimit të mësuesve, ose më saktë të arsimtarëve që do të emërohen rishtazi në arsim, dhe jo të atyre ekzistues”,- sqaron më tej kreu i Sindikatës së Arsimit në vend. Por një kërkesë tjetër, jo pak e dëshiruar nga arsimtarët në vend, që Sindikata e Arsimit do t’i parashtrojë Ministrisë së Arsimit është edhe rritja e pagave të mësuesve. Konkretisht Xhaferr Dobrusha shprehet: “Do kërkojmë rritje pagash, certifikim të mësuesve. Do shikojmë mundësinë e uljes së viteve të marrjes së vjetërsisë së punës nga 5-10-20 që është aktualisht në më pak vite”. Ndërsa përsa i përket sjelljes së mësuesve në ambientet e shkollave, Dobrusha bën të ditur se është përgatitur dhe drafti për Kodin e Etikës së mësuesit, por që ende nuk është diskutuar në institucionet përkatëse.
Takimi
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj dhe zëvendësministri, Halit Shamata zhvilluan dje një takim pune me kryetarët e sindikatave të arsimit, Xhafer Dobrushi dhe Bajram Kruja lidhur me objektivat e partneritetit social midis të dy palëve. Ministri Tafaj gjatë takimit, vlerësoi arritjet e deritanishme në zhvillimin e partneritetit social midis dy palëve, duke theksuar nevojën që ky partneritet të bëhet më efektiv dhe real, edhe në nivelin e drejtorive dhe zyrave arsimore dhe seksioneve sindikale. Ndërsa për hartimin e kontratës së re të punës së arsimtarëve, kreu i Arsimit shprehu mirëkuptimin dhe gatishmërinë e MASH-it për të ngritur grupet dhe për të filluar punën së shpejti për përgatitjen e Kontratës së re Kolektive të Punës, të nivelit të parë. Për këtë, Tafaj theksoi se të dyja palët duhet të jenë korrekte dhe të përgjegjshme për zbatimin e dispozitave që do të rrjedhin nga kjo kontratë. Gjithashtu, ministri Tafaj kërkoi mirëkuptimin dhe mbështetjen e sindikatave për rritjen e kërkesave ndaj mësuesve, për aftësi më të larta profesionale, pedagogjike e shkencore, për t’iu përgjigjur kërkesave të sotme për një arsim cilësor dhe përfshirjen e tyre si aktorët më të rëndësishëm në reformat e MASH-it. Nga ana e tyre, drejtuesit e Sindikatave të Arsimit, Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit Shqiptar, e njohën ministrin me angazhimet konkrete të tyre për thellimin e procesit të reformimit e modernizimit të arsimit në vendin tonë, me theks zhvillimin e një arsimi cilësor publik, aftësimin profesional të mësuesve, punën që bëjnë sindikatat për uljen dhe minimizimin e numrit të nxënësve që braktisin shkollën etj. Drejtuesit e sindikatave kërkuan fillimin e përgatitjeve nga të dy palët për hartimin e Kontratës së re Kolektive të Punës. Në fund të takimit, të dy palët kanë rënë dakord për zhvillimin e takimeve periodike për të zgjidhur në proces problemet e përbashkëta.

Propozimet për kontratën e re

Rritja e kohëzgjatjes së ushtrimit të profesionit e cila pritet të jetë për katër vjet
Rritja e kërkesave për përgatitjen dhe kualifikimin e mëtejshëm të mësuesve
Përmirësimi i kushteve të emërimit të mësuesve të rinj
Rritja e pagave për të gjithë punonjësit mësimorë
Certifikim të mësuesve të kualifikuar
Ulja e viteve të vjetërsisë në punë

30 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›