E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës, formulari që duhet të plotësojë biznesi për abuzimet me taksat



Emanuela Sako

Subjektet taksapaguese pranë Bashkisë së Tiranës, shpeshherë kanë ankesa ndaj mënyrës së pagesës së taksave apo mjaft raste kur pretendojnë se janë shkelur rregullat. Për të gjitha rastet e paraqitura nga subjektet, Bashkia e Tiranës pret ankesat, duke vënë në dispozicion një formular ankimimi. Formulari përmban të gjitha të dhënat të detajuara për biznesin, taksat e paguara, arsyen e ankesës etj. Subjekti ankimues, duhet të shprehë qartë motivin e ankesës dhe duhet të paraqesë prova bindëse për situatën, si dhe arsyen se përse ka ndodhur një situatë e tillë për të cilën po i drejtohet Bashkisë së Tiranës. Kjo është një e drejtë e tillë, që u njihet të gjitha bizneseve të vogla, të cilat paguajnë taksat pranë Bashkisë.
Ankimi
Specialistët bëjnë të ditur se si duhet plotësuar formulari dhe afatet e dorëzimit të formularit të ankimimit. Sipas të dhënave të Bashkisë, ankimi bëhet me shkrim dhe dorëzohet brenda 30 ditëve kalendarike nga data kur akti i administratës është marrë ose vlerësohet i marrë nga tatimpaguesi. Ankimi merret në shqyrtim vetëm nëse taksapaguesi ka paguar detyrimin tatimor, që është subjekt i ankimit pa përfshirë gjobat. Ndërkohë që detyrë për paraqitjen e provës për të vërtetuar se një akt administrativ është i pasaktë bie mbi taksapaguesin. Vendimi i organit apelues mund të kundërshtohet në Gjykatë brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për këtë. Nëse Organi i Apelimit nuk shprehet brenda 3 muajve nga marrja e ankimit, taksapaguesi mund të ankohet drejtpërsëdrejti në Gjykatë. Taksapaguesi ka të drejtë të paraqesë personalisht çështjen ose të caktojë një person për ta përfaqësuar.
Dokumentet
Për të bërë një ankesë pranë Organeve përkatëse, subjekti tatimpagues duhet të paraqesë dokumentacionin përkatës që të mund të bëjë të vlefshme ankesën e paraqitur. Pjesë e dokumentacionit të detyruar për të paraqitur është pagesa e detyrimit tatimor të përcaktuar në njoftimin e vlerësimit të administratës tatimore (fotokopje); dokument identifikimi i ankimuesit ose përfaqësuesit ligjor (fotokopje); Akti Administrativ i cili ankimohet (fotokopje). Nga ana tjetër ankimuesi ka të drejtë të dorëzojë çdo dokument tjetër që ankimuesi gjykon të arsyeshëm për të realizuar mbrojtjen e tij. Njëkohësisht, formulari duhet të përmbajë gjeneralitetet e personit përkatës.

30 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›