E Diel, 1 Nëntor 2026

Historia de Vita et Gestis Scanderbegi , Rreth kronologjisë së botimit të parë dhe ndryshimeve në ribotime

Përgjigje për nismën e dr. Musa Ahmetit, dr. Ardian Marashit e dr. Aurel Plasarit
I nderuar dr. Musa  Ahmeti, kemi marrë e-mailin tuaj, datë 29 prill 2009. Në lidhje me çështjen konkrete, ndër të tjera ju shkruani: Jam shumë i interesuar për një bashkëpunim korrekt dhe të sinqertë me ju. Pas disa ditësh, në Gazeta Shqiptare (në shtojcën e kulturës Milosao), do të botojmë një shkrim rreth vitit të botimit të ksomblës së M. Barletit, Historia. Ne kemi në dorë një informacion se kjo ksombël është shtypur në vitin 1493 në Romë, nga Bernardinus de Vitalibus. Ksombla ndodhet në Budapest. Ne kemi riprodhimin dixhital të saj. Në studimin tonë do të botohen edhe faksimilet dhe informacionet e tjera të domosdoshme. Natyrisht kemi biseduar me dr. Ardian Marashin dhe dr. Aurel Plasarin. Më duket se jemi para realizimit të një ideje, që ksombla e Budapestit të sillet në Tiranë për 4 ditë pune dhe të ballafaqohet me 4 ose 5 ksombla të tjera të librit të M. Barletit dhe ato që mendojmë ne me këto ksombla: 1. Ksombla nga Biblioteka Kombëtare, Tiranë; 2. Ksombla e ULG Shkodër; 3. Ksombla e Prishtinës; 4. Ksombla e BAV, Vatikanit; 5. Ksombla e Londrës; 6. Ksombla e Budapestit. Organizimin për një gjë të tillë do ta bëjë dr. A. Marashi dhe dr. A. Plasari (QSA-BKT). Ndoshta të enjten, mund ta dërgoj shkrimin që është botuar në revistën e përmuajshme ALBANICA që botohet në Prishtinë dhe aty ka më shumë informacione. Kemi dorëzuar për botim librin, Statuti i Katedrales së Drishtit. Ishte në Milosao të GSH, të dielën një informacion për këtë. Ju falënderojmë për idenë dhe për punën konkrete, që po bëni për një bashkëpunim korrekt  dhe për një ballafaqim ksombolash dhe mendimesh e analizash kolektive, në një tryezë në Tiranë. Meqenëse, jam marrë qysh herët dhe kam botuar në këtë temë, në emrin tim, edhe në emrin e magistër A. Ballaj, dëshiroj tju kthej këtë përgjigje krejtësisht miqësore. Nuk e di nëse i keni lexuar një serial botimesh (pas publikimit te Shqip-i) tonat te gazeta Sot, prill 2009. Ju sugjeroj që ne nga Shkodra mund të sjellim edhe botimin, CRONICORVM TURCICORVM, Frankfurt mbi Main, 1578 me autor, Filip Loniçerus, Vëll. I-II dhe vëll.III, ribotim, me autor M. Barletin, ku përfshihen edhe Historia e Skënderbeut edhe Rrethimi i Shkodrës me ilustrime grafike. Duhet të theksoj se, krahas literaturave shumë të rëndësishme, që kishte shfrytëzuar F. Bardhi më 1636, në polemikën e famshme kundra Jan Tomkut, figuronte edhe Philippus Lonicerus dhe babai im Gj. Luka këtë ma kishte lënë të shënuar. (F. Bardhi, Skënderbeu, Apollogji, bot. 1957, shën 146, f 40 e kishte ngatërruar gabimisht me Johan Loniçerus.*) Për sa i përket Ksomblës së Shkodrës të shtypur në Romë, përveç të tjerave që janë thënë nga disa autorë autoritete me emër, të huaj dhe vendas (modestisht edhe nga unë), përsëri  mbetem te konstatimi  se, te faqja e fundit e librit/Kapitullit XIII, keni një element kronologjik, mjaft të vështirë për tu anashkaluar! (shih riprodhimin e skanuar të botimit të Romës). Ribotimet e mëpasme gjermane, më konkretisht ai i vitit 1537 në Argentorat, dhe ribotimi i vitit 1578, në Cronicorvm Turcicorvm, konkretisht te kjo faqe e fundit, janë pothuajse identikë. Dhe, siç e dini te ribotimi gjerman i Argentoratit, tetor 1537, sipas përkthimit shqip të Stefan Priftit, shkruhet kështu: Skënderbeu u varros në qytetin e Lisos, në kishën më të madhe të Shën Kollit. Ceremonia e varrimit të tij, sipas zakonit të të parëve, u bë me madhështi të paparë; trupi i tij u përcoll me vaj nga të gjithë ushtarët dhe me pikëllim, sipas zakonit të vendit, nga të gjithë princ dhe kapedanët. Dhe eshtrat e tij, që u vunë në atë vend, pushuan në paqe, gjersa Mehmeti, prijësi i turqve, erdhi në Albani dhe në Epir për të sulmuar qytetin e Shkodrës. Për këtë sulm apo fushatë ne kemi shkruar më gjerë dhe më gjatë në një libërzë që kemi botuar. (HS, bot. 1967, f 494). Kështu, bazuar te viti i publikimit të libërzës De obsidione Scodrensi/Rrethimi i Shkodrës, Shtypur në Venedik nga venedikasi Bernardin de Vitalibus, më 10 janar 1504, nuk mbeten dyshime se botimi i kësaj serie të Historisë së Skënderbeut, të Romës, në fillim të shek XVI, është bërë mbas vitit 1504 (ose mbas 1505, mbasi ka një lloj paqartësie në lidhje me vitin venecjan. AL). Për krahasimin e ribotimeve me botimin e Romës, po sjellim këtu edhe skanimin e ribotimit gjerman të vitit 1578, ku dy veprat e njohura të M. Barletit janë ripublikuar së bashku me veprën e Philippus Lonicerus. Sikur të bazoheshim te viti 1493, siç e supozoni ju, ose siç ju rezulton sipas një informacioni, atëherë duhet shtyrë më poshtë edhe vetë botimi  i libërthit  Rrethimi i Shkodrës! Ju e dyshoni dhe e hidhni për diskutim se edhe libërthi Rrethimi i Shkodrës, ka pasur një botim të mëparshëm, përtej vitit 1493?! Dhe besoj se ka një arsyetim, për ta ngritur çështjen kështu. Vetë M. Barleti, në parathënien e RrSh (e citojmë me përzgjedhje), shkruante kështu: Unë isha shmangur nga detyra e një qytetari të ndershëm (për të shkruar këtë libër historik. AL) sepse mua ma merrte mendja se aftësia ime nuk i përgjigjej thuajse fare një subjekti të tillë e dija mirë dhe e rrëfeja sinqerisht se për një punë të tillë nuk kisha aq talent shtohej edhe fakti se vepra i duhej paraqitur një princi aq të madh dhe një senati aq të lartë se në qoftë e vështirë të shkruash në subjekte të tjera, aq më tepër  është e vështirë në histori  vetëm kur mu kujtua fatkeqësia e madhe e atdheut tim atëherë vendosa ti përvishem këmbë e kokë kësaj pune madhështore (RrSh, Parathënie, f 23-27). Kështu, sipas arsyetimit tim, mendoj se ky libri i vogël, Rrethimi i Shkodrës, duket se ka qenë eksperienca e parë fillestare dhe e madhe e M. Barletit, në subjektin historik. Siç e kisha shkruar qysh më 1983, e kam shprehur mendimin se ky libër u shkrua dhe doli në qarkullim me rastin e përkujtimit të 25 vjetorit të rënies heroike të Shkodrës. Te vepra HS, në Parathënien e librit/kapitullit të parë, M. Barleti kishte shkruar: Ka shumë vjetë tanimë që unë, - ju them sinqerisht të vërtetën -, po e bëj zap dëshirën për të shkruajtur, po i hedh poshtë lutjet e shumta të miqve për të shkruajtur për lavdinë e heroit e burrit aq të shquar, për ta shpëtuar nga harresa, që tanimë sapo vjen e i avitet e po trashet megjithëqë nuk pushojnë së botuari çdo ditë (më falni për shprehjen) fjalime të reja dhe Kujtime të panumërta, gjer në çpërdorim Nuk mund të qëndroja pra më gjatë në një turp të tillë (HS, f 51). Siç shihet nga e gjithë kjo parathënie, në këtë rast M. Barleti rrëfen se kishte pritur  disi gjatë, disa vite që të dilte një shkrimtar tjetër, që i dinte më hollësisht ato ngjarje etj, dhe nuk justifikohet më me pa eksperiencën. Logjika na çon qartë te konkluzioni se, M. Barleti, pasi ka pritur shumë vite, mbas vitit 1504, i është përveshur punës për shkrimin dhe botimin e Historisë së Skënderbeut. Më duhet tju them se ka edhe disa vende të tjera midis rreshtave, të cilat shkojnë të gjitha në këtë drejtim. Aktualisht, përveç çështjes që ju thoni se e keni ngritur dhe do ta shpallni edhe në shtypin e Tiranës, na ka dalë edhe një problem tjetër, i cili ishte premtuar me vakt e me kohë se do të zgjidhej nga albanologjia shqiptare. I ndjeri prof. Dh. S. Shuteriqi, që përkthyesin S. Prifti e kishte mjaft të afërt, shkruante se botimi i Romës dhe botimi gjerman i v. 1537, kishin disa ndryshime. Ndërkaq, kam lexuar te prof. K. Biçoku se këto ndryshime qenkan me qindra! (shih, Skënderbeu, bot. 2005, f 231). Dhe si duhet ti kuptojmë  këto ndryshime, janë minimale e pa asnjë farë rëndësie apo janë ndryshime të rënda e kundërthënëse?! Kjo shprehja qindra ndryshime, më duket e çuditshme, sepse unë  së paku, nuk kam asnjë dijeni nëse z. Kasem Biçoku, ka botuar ose paraqitur dikund ndonjë studim ku të analizoheshin minimumi disa dhjetëra ndryshime me rëndësi kapitale! Siç e shikoni del edhe ky problemi i ndryshimeve, i cili kërkon edhe ndihmesën e përkthyesve kompetente të latinishtes. Kështu, mos ndoshta më frutdhënëse do të ishte që, në këtë lloj tryeze të ishin prezentë edhe  historianë autor

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›