Kreu i Arsimit: S’kisha dijeni për heqjen e emrit nga shkolla
BURREL/ HASAN PASHA
Tema më e debatueshme dje në qytetin e Burrelit ka qenë kërkesa për heqjen e emrit të shkollës 9-vjeçare “Ilia Qiqi”. Ajo është cilësuar më tepër si veprim nacionalist dhe ekstremist të djathta, për të cilin nuk është koha të diskutohet. Çudia më e madhe vjen pasi mëson se këtë çështje kaq delikate, këshilli bashkiak i Burrelit e futi të premten në rendin e ditës, pa u konsultuar më parë me komisionin e arsimit. Ndërkohë që për të nuk kishte dijeni as vetë kreu i Zyrës Arsimore në Burrel. Të parët që reaguan ishin këshilltarët e majtë, të cilët kanë kontaktuar me një pjesë të mësuesve të shkollës “Ilia Qiqi”, duke marrë si përgjigje se jo i gjithë stafi i tyre ka pranuar kërkesën për ndryshimin e emrit të mësuesit hero. Mungesa e argumentimit dhe mjaft mangësi të tjera kanë bërë që këshilltarët e majtë të kërkojnë me shpejtësi hedhjen në votë të propozimit të tyre, që kjo çështje të shtyhet për në një mbledhje tjetër. Në momentet e para të mbledhjes, atëherë kur është kërkuar votimi për heqjen nga rendi i ditës i pikës për heqjen e emrit të Ilia Qiqit nga shkolla, ata kanë arritur së bashku me aleatët dhe këshilltarë të partive të tjera me prirje nga e majta ta fitojnë “betejën” me këshilltarët e PD-së.
Drejtori i Arsimit: S’është koha
Por, e papritur kjo kërkesë nuk ka qenë vetëm për qytetarët. Drejtori i zyrës arsimore Mat, njëkohësisht sekretari organizativ i degës lokale të Partisë Demokratike të këtij rrethi, Flamur Stafasani, tha në linjë telefonike se nuk kishte pasur dijeni për të, as si drejtues i sektorit të arsimit dhe as si drejtues i forcës politike qeverisëse në këtë rreth. “Sipas gjykimit tim - nënvizoi Stafasani, - nuk është situata e duhur për heqjen e emrit të Ilia Qiqit nga shkolla 9-vjeçare e Burrelit. Nuk na ka prishur dhe nuk do të na prishë asnjë punë emri i tij në këtë objekt arsimor. Unë mendoj se kjo gjë nuk duhet bërë dhe për faktin tjetër, se ka individë të caktuar që mund ta shfrytëzojnë si ndarje krahinore jug-veri, heqjen e emrit të minoritarit nga fasada e shkollës”. Kjo deklaratë ka lënë të kuptohet se veprimi ka qenë i nxituar nga hartuesit e tij brenda shkollës “Ilia Qiqi”, e më pas nga zyrtarët e bashkisë, të cilët e renditën menjëherë për shqyrtim.
Si do të pagëzohej shkolla?
Ata që kanë dorëzuar disa shkresurina në këshillin bashkiak kanë dhënë sugjerimet e tyre në lidhje me emrin e mundshëm të shkollës. Këshillit bashkiak i janë afruar disa variante, me mendimin se njëri prej tyre do të miratohej që në mbledhjen e të premtes. Mes tyre janë: “17 Shkurti”, “Liria e Kosovës”, “Dituria”, “Kuvendi i Dukagjinit”, “Rexhep Pashë Mati”, etj. Janë disa nga variantet e propozuara, variante që nuk u morën në shqyrtim fare nga këshilli bashkiak, për shkak të heqjes nga rendi i ditës të kësaj pike të debatueshme. Nga ana tjetër, intelektualët e Matit, mes tyre historianët, kanë shprehur habi pse një pjesë e këshillit bashkiak vazhdon të merret me figurat historike, akoma pa u shuar debati për heqjen e bustit të heroit tonë kombëtar, Skënderbeu.
Historiani: Këshilltarët të ndërgjegjësohen
Historiani Sefer Duka, ish-drejtori i Muzeut Historik të rrethit, tha se fillimisht kishte dëgjuar se këshilli ia kishte arritur ta hiqte emrin e heroit Ilia Qiqi nga shkolla e qytetit. “Sot në mëngjes më thanë se këshilli ka miratuar heqjen e emrit të shkollës Ilia Qiqi. Sapo mësova këtë lajm ndjeva habi dhe keqardhje. Më vonë mësova se heqja e emrit të shkollës është shtyrë për në një mbledhje tjetër. Kjo gjë më lehtësoi pak. Them se këshilltarët, edhe ata që kanë pasur mendimin për heqjen e emrit të Ilia Qiqi nga shkolla, do t’i thërrasin ndërgjegjes së tyre, se nuk kanë vepruar mirë që kanë tentuar të heqin emrin e mësuesit të talentuar, që la vendlindjen e tij në Dropull dhe sakrifikoi për të mësuar fëmijët matjanë”. Duka pohon se ka reaguar dhe në rastin e përpjekjes për heqjen e bustit të Skënderbeut, se para heqjes së një emri nga një objekt social-kulturor, rrugë apo shesh duhet të mendohet më parë ku do të vendoset ky emër, në cilin objekt ai përshtatet më mirë.