E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, tre të plagosur në lokal

 

SHKODER – Tre persona plagosen pas një grindjeje të nisur në tavolinat e një lokali nate në periferi të Shkodrës. Pronari i lokalit dhe i ati i tij janë shpallur në kërkim si autorët e plagosjes. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 të mëngjesit të së shtunës, në ambientet e lokalit pranë urës së Bunës. Sipas uniformave blu mësohet se sherri ka nisur fillimisht në një përleshje fizike mes tre klientëve dhe pronarit të lokalit Muharrem Shkjau, pas një debati për motive të dobëta. Më pas Shkjau ka qëlluar me armë vetëm një herë në drejtim të shtetasit Kastriot Mhilli. Ndërkohë që në ndihmë të Muharremit ka shkuar dhe babai i tij, Rustemi dhe në përleshje e sipër këta shtetas kanë qëlluar me mjete të forta në drejtim të shokëve të Kastriotit, Tonin Lisit dhe Ndoc Mirashit. Pasi i kanë lënë të tre këta shtetas të plagosur, babë e bir janë larguar në drejtim të paditur, për t’u shpallur në kërkim nga policia. Nga hetimet paraprake mësohet së tre klientët, të cilët kishin konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli, kanë filluar të debatojnë me personelin e lokalit. Pronari ka ndërhyrë për të qetësuar situatën, por kjo jo vetëm nuk ka ndodhur, por ai u përfshi dhe vetë në përplasje me ta. Pas ngjarjes ka ndërhyrë policia, duke bërë transportimin e të plagosurve për në spital. Mësohet se i plagosuri me armë zjarri, Kastriot Mhilli, është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Të tre personat e plagosur, shokë me njëri-tjetrin janë nga fshati Rranxë e Bushatit, rreth 20 km larg nga qyteti i Shkodrës. Mbi pronarin e lokalit dhe babanë e tij rëndojnë akuzat e “tentativës së vrasjes” dhe “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.                   r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›