E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e 60 vjet gjakmarrjeje çmim në Montpellier

Autori i Lajmit: Gerilina Kodheli
“Alive”, është historia e një djaloshi, student dhe i lumtur me dashurinë e tij.... por gjithçka në jetën e tij do të shëmbej si një kala rëre, kur do të mësonte se ishte pjesë e një historie të nisur 60 vjet më parë. Me sa duket jo fabula më shumë se sa mbështetja teknike e filmit “Alive/ Gjallë” të regjisorit Artan Minarolli do të vlerësohej në Festivalin e 31-të Ndërkombëtar të Filmit në Montpellier të Francës. Ky film është vlerësuar me një ndër pesë çmimet që jep juria e këtij festivali. Sipas deklaratës së Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit, "Gjallë" i Minarollit ka marrë çmimin për mbështetjen teknike, që konsiderohet mjaft i rëndësishëm dhe ka vlerën e 5500 eurove. Edicioni i 31-të i këtij festivali nisi në 23 tetor për të përfunduar një ditë më parë. Gjatë dhjetë ditëve të festivalit u prezantuan plot 46 filma, ndër të cilët 12 filma me metrazh të gjatë, 24 filma me metrazh të shkurtër dhe 10 dokumentarë. Në këtë edicion të festivalit janë dhënë 5 çmime të rëndësishme si Antigona e Artë, Çmimi i Kritikës, Çmimi për Muzikën më të Mirë, Çmimi për Mbështetjen Teknike dhe Çmimi për të Rinjtë. Për filmin "Gjallë" çmimi i marrë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Montpellier të Francës është i dyti i marrë për këtë vit, pas çmimit special të marrë në Festivalin Ndërkombëtar të Durrësit. Ndërkohë ky prodhim kinematografik është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë. "Gjallë" është një bashkëpunim i "Wildart Film" në Vjenë, "Art Film" në Tiranë dhe "Agat Films & Cie" në Paris. Ky film u prezantua për herë të parë në Festivalin Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, ndërsa prezantimin për publikun e pati në mbrëmjen e 4 shtatorit në kinemanë Imperial në Tiranë. Në qendër të këtij filmi është një histori gjakmarrjeje, e cila kalon nga gjyshi tek nipi në një hark kohor prej 60 vitesh. Për të përcjellë tek publiku këtë subjekt interesant, të trajtuar ndryshe nga herët e tjera, ku gjithçka vinte e veshur me normalitet dhe diku me nota humori, regjisori ka zgjedhur një kast aktorësh si Nik Xhelilaj, Nijada Saliasi, Besart Kallaku, Xhevdet Ferri, Arqile Lici, Bruno Shllaku, Luljeta Bitri, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Sulejman Dibra, etj. Në qendër të këtij subjekti është Koli, një djalë 22 vjeçar, student në universitetin e Tiranës. Jeta e tij rrjedh normalisht deri në çastin kur ai mëson se mbi familjen e tij vazhdon të zbatohet kanuni i Lek Dukagjinit për shkak të një vrasjeje të bërë nga gjyshi i tij 60 vjet më parë. Mes aventurave në kërkim të shpëtimit, Koli largohet nga shtëpia e tij për tu transferuar në një fshat. Por jeta që bënte më parë ia vështirësonte përshtatjen dhe ndaj ai rikthehet sërisht në Tiranë pranë njerëzve dhe jetës së tij të mëparshme. Ndërsa në momentet e fundit të filmit e shohim atë tek hipën në një anije të vjetër emigrantësh ilegalë për tu larguar njëherë e përgjithnjë nga Shqipëria. Por ironia e fatit bën që personazhi që tenton ti largohet vrasjes nga gjaksi, gjen vdekjen në mes të detit. Kjo pjesë e subjektit është huazuar prej regjisorit nga tragjedia e Otrantos, ku njëri prej të mbyturve, kishte hipur në atë anije për t`i shpëtuar gjakmarrjes. Regjisori Artan Minarolli u lind më 13 maj 1958. Ai ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve, dega dramë në vitin 1982 dhe ka kryer një specializim në Danimarkë për regjisor pranë shkollës Evropiane të Filmit në vitin 1993. Filmin e tij të parë ai e ka realizuar në vitin 1991, film-dokumentar "Për një centimetër", me të cilin fitoi çmimin e parë në Festivalin e Torinos. Filmi i parë artistik me metrazh të shkurtër vjen në vitin 1994 "Qind për qind", në bashkëpunim me Petrit Rukën, me të cilin realizoi edhe filmin "Plumbi prej plasteline" në 1996. Së fundmi ai ka realizuar dhe filmin "Kronikë provinciale".

Java e kulturës zvicerane, e cila do të organizohet në katër qytete, Prishtinë, Prizren, Tiranë dhe Shkup, do të prezantojë aktivitete të ndryshme si shfaqje teatrale, vallëzim modern, videoinstalacion etj.

Shqiptarët një javë në Zvicër

Për pesë ditë më radhë në katër qytete shqiptare do të shënohet “Java kulturore zvicerane”. Tirana, Prishtina, Shkupi dhe Prizreni do të jenë mikëpritësit e ngjarjeve dhe aktiviteteve kulturore, të cilat do të organizohen duke nisur nga sot e deri më 11 nëntor. Gjatë këtyre ditëve, adhuruesit e artit do të kenë mundësi të shijojnë performanca teatrale, vallëzim bashkëkohor, videoinstalacione etj. Koordinatori i Javës kulturore zvicerane “Triple bill” në Ballkan, Resul Jusufi, ka thënë se kjo javë është shumë e rëndësishme për bashkëpunimin kulturor ndërmjet vendeve të Ballkanit gjegjësisht Kosovës dhe vendeve të tjera. “Gjatë kësaj jave në Prishtinë, Tiranë, Prizren dhe Shkup, do të ketë disa aktivitete kulturore, të cilat do të jepen për publikun e tre vendeve. Do të ketë një performancë nga “Compagnie Linga”, me koreografë Katarzine Gdaniec dhe Marko Cantalup, kurse do të vijë edhe reperi i njohur zviceran Roberto Garieri”, ka thënë ai. Jusufi ka thënë se do të ketë edhe një ëorkshop, duke shtuar se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm dhe hap rrugën që të ketë bashkëpunime tjera në të ardhmen ndërmjet artistëve kosovarë dhe atyre nga vendet e tjera.

“Princeshat dhe Dragoi”, jo vetëm për fëmijët

“Princeshat dhe Dragoi” do të jetë shfaqja më e re në Teatrin e Kukullave. Në sallën që nuk është vetëm për fëmijë... nesër do të zhvillohen provat gjenerale, të shfaqjes me regji të Drejtorit dhe regjisorit të Teatrit të Kukullave të kryeqytetit Sofje, (Bullgari) Kyriakos Argiropulos, As/ Regjisor Stanislav Stanev, në bashkëpunim me trupën profesioniste të aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kukullave, Sokol Myzeqari, Shegushe Bebeti, Leonard Daliu, Florinda Mazreku, Jorida Meta, Manjola Mërlika. Pjesa flet për 4 princesha krejt të ndryshme për nga paraqitja dhe karakteri i tyre, e para është kapricioze, e dyta është qaramane, e treta është e qeshur dhe shumë e bukur, dhe e katërta është shumë e zgjuar. Ai që nuk ndryshon në të katërta përrallëzat që përmban kjo shfaqje është personazhi i dragoit i cili shfaqet që nga fillimi e deri në fund të shfaqjes me dëshirën për tu martuar me një princeshë dhe gjatë shfaqjes takohet me katër princesha të ndryshme. Situatat janë të ndërlikuara dhe komike. Shfaqja nxjerr në pah një moral të cilin vetë fëmijët e nxjerrin nëpërmjet karaktereve të ndryshme të katër princeshave. Si duhet dhe si nuk duhet të sillen.

Antropologu Claude Levi-Strauss ndërron jetë

Ndërron jetë antropologu i famshëm francez, Claude Levi-Strauss, i lindur në 28 nëntor të vitit 1908 në Bruksel. Ai është bërë i njohur me veprën “Të Trishtë dhe Tropikë” dhe e ka kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij me studimin e popujve primitivë, strukturat dhe simbolet e tyre. Sipas Strauss, të gjitha aspektet e kulturalizmit të një shoqërie drejtohen nga strukturat fondamentale. Libri “Të Trishtë dhe Tropikë” bazohet në shënimet e udhëtimit të kryer rreth viteve 60 në pyjet amazonikë ku ai studioi populljt tribu. “Asgjë, në gjendjen aktuale të kërkimit nuk na lejon të konfirmojmë superioritetin ose inferioritetin e një race ndaj një tjetre”, shkruan mes të tjerash Strauss. Kjo fjali vë në dukje gjenialitetin e shkencëtarit dhe antropologut, si një nga më të mëdhenjtë e botës moderne. Shkrimet e Strauss kanë tronditur edhe ambientin shkencor. Studimet e para Strauss i kreu në Paris, ndërsa në vitin 1935 ai u transferua në San Paolo dhe më pas u transferua në SHBA. Në vitin 2008 u festua 100 vjetori i lindjes së tij.

Ky lajm është publikuar: 05/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›