E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregu i bonove, dy arsyet pse do tu bjerë çmimi

Autori i Lajmit: Redaksia
Vendimi i Qeverisë që riktheu në vëmendje bonot e privatizimit e rriti vlerën e tyre artificialisht, nga 3 apo katër për qind që shiteshin më parë kapën shifrën rekord deri në 20 për qind. Por, mesa duket kursi ndryshoi sërish për këtë treg. Burime zyrtare të Bankës së Shqipërisë bëjnë me dije parashikohet ulje e ndjeshme e çmimit të Letrave me Vlerë për dy arsye kryesore: Ashtu sikurse pritej nga të gjithë vëzhguesit dhe subjektet e fushës së financave, në ankandin zyrtar, të zhvilluar në Bankën e Shqipërisë për llogari të Ministrisë së Financave, janë ulur interesat e bonove të Thesarit të shtetit. Shkak për këtë ka shërbyer ulja e normës së interesit bazë nga ana e Bankës së Shqipërisë javën e kaluar, në masën 0.5 për qind, nga 5.7, në 5.25%. Kjo ka ndikuar për lehtësimin e bankave të nivelit të dytë nga një kosto tepër e lartë detyrimi ndaj BSH. Këto të fundit e ndjejnë veten më të sigurta për të përdorur një sasi më të madhe lekësh në tregun e letrave me vlerë të qeverisë, çka rrit ofertën dhe ul interesin. Bonot me afat 12-mujor maturimi janë shitur me një interes mesatar 9.31 për qind, nga 9.43 për qind, që ishin në ankandin e fundit, të zhvilluar në tetor. Po kështu, ka pasur një ulje të lehtë edhe për bonot tremujore, interesi i të cilave ka kaluar nga 6.36 në 6.32 për qind. Për ekspertët, arsyeja e dytë që pritet të ulë ndjeshëm çmimin e bonove të privatizmit është projektligji për sipërmarrjet e investimeve kolektive, i miratuar së fundi nga qeveria. Sipas këtij projekti të gjitha bonot e privatizimit të mbledhura në fondet e investimeve do tu rikthehen individëve.

Bëhet fjalë për sasi të mëdha të letrave me vlerë, që shkojnë në disa miliarda lekë, të mbledhura gjatë viteve nga fondi piramidë Anglo-Adriatika me qëllim privatizimin e aseteve shtetërore e që kanë mbetur të paaktivizuara. Rishpërndarja e këtyre bonove tek qytetarët që i investuan ato, pritet të rrisë sasinë e letrave me vlerë në treg, duke sjellë rrjedhimisht edhe zhvlerësimin e ndjeshëm të tyre. Aktualisht bonot e privatizimit tregtohen për 18-19 për qind të vlerës, shifër tepër e lartë, po ta krahasojmë me vetëm 3 muaj më parë, kur kishim të bënim me nivele që nuk kalonin 2 deri 3 për qind, nivel që pritet të rikthehet gjatë muajit në vazhdim. Rritja me disa-fish e vlerës së bonove të privatizimit në treg u shkaktua nga premtimi i Kryeministrit për përdorimin e tyre edhe në procesin e legalizimit, për pagesën deri 80 për qind të detyrimit të qytetarëve ndaj ALUIZNI-t.

Fondi mister “Anglo Adriatika”

Fondi “Anglo Adriatika”, i përket vitit 1995 dhe u licencua nga qeveria e asaj kohe “Meksi” me një propagandë të madhe. Ky fond tërhoqi investimet në Letra me Vlerë të mbi 45 000 familjeve shqiptare, të cilat ende presin, që këto letra të shndërrohen në aksione, gjatë privatizimeve të premtuara nga qeveria. Por ndërkohë, ky fond prej 13 vjetësh ka mbetur jashtë privatizimeve, që do ti bënte shqiptarët aksionerë. Qeveria e kohës lidhi kontratë me fondin, ku tërhoqi investimet e mbi 10% të Letrave me Vlerë të emetuara nga qeveria e asaj kohe. Letrat me Vlerë të shqiptarëve u grumbulluan nëpërmjet Bankës së Kursimeve, të atëhershme.

Rivlerësimi i bonove

Një udhëzim i Ministrisë së Financave pritet të përcaktojë procedurën e rivlerësimit të bonove të privatizimit. Në fakt, ekziston një projekt, i vjetër i cili pretendonte të vlerësonte bonot e privatizimit në masën e 20-përqindëshit të vlerës së tyre, të cilat do të konvertoheshin në aksionet tek kompaninë publike, të privatizuar tashmë. Po ti referohemi ligjit, rezulton se në nenin 12, ligji 8306 dt. 14.03.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, caktohet se pjesëmarrja e letrave me vlerë për privatizim, në privatizimin e ndërmarrjeve dhe shoqërive të sektorëve me rëndësi të veçantë, përcaktohen në formulën e privatizimit, por në çdo rast ajo nuk do të jetë më e lartë se 20 për qind e kapitalit të llogaritur. Mënyra e përfaqësimit të mbajtësve të aksioneve e të drejtat që rrjedhin prej tyre caktohen nga Këshilli i Ministrave. Ndërsa në ligjin 8334 dt. 23.04.1998 "Për privatizimin e shoqërive tregtare që veprojnë në sektorët jo-strategjikë", neni 2, parashikohet se formula e privatizimit në këtë rast caktohet nga Ministria e Ekonomisë pas caktimit të pjesës së aksioneve për ish-pronarët e truallit dhe punonjësit e shoqërisë. Paketa e aksioneve në këtë ligj caktohet si pjesa e aksioneve që i ofrohet publikut dhe punonjësve të shoqërisë, në këmbim të bonove dhe lekëve të privatizimit.

Gjendja e bonove të privatizimit

Bonot e privatizimit ose siç njihen në gjuhën e përditshme letrat me vlerë, u shpërndanë në fillim të viteve 90-të në formë aksionesh të ndërmarrjeve shtetërore që qeveria iu ofroi qytetarëve gjatë privatizimit të tyre. Janë mbi 700 mijë persona ata që morën në atë periudhë letra me vlerë, ndërsa mospërdorimi i tyre për një kohë të gjatë mendohet të jetë bërë shkak edhe për humbjen apo neglizhimin nga përfituesit. Sipas të dhënave, rezulton se në total janë rreth 7.5 miliardë lekë të emetuara në letra me vlerë, nga këto vetëm 5.1 miliardë janë shpërndarë në duart e përfituesve të kohës. Gjithashtu rezulton se, gjatë privatizimeve në fillim të viteve 90-të është përdorur vetëm një pjesë e vogël e letrave me vlerë të shpërndara, diçka më pak se 1.1 miliardë.

Ky lajm është publikuar: 05/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›