Historia e 7 vjeçarit autik, që e përzunë nga shkolla
Është rubrika më e re që do të vazhdojë në Tirana Observer, dhe që do iu shoqërojë çdo fundjavë. Histori dhe personazhe reale do të rrëfejnë përmes faqeve të gazetës sonë dramën e jetës së tyre. Nuk janë filma as telenovela, por histori të vërteta që fare mirë mund të shërbenin edhe si skenarë kinemaje. Dhunë, varfëri, diskriminim janë këto fenomene që plagosin dhe vrasin çdo ditë ata që jetojnë pranë nesh. Sot ishte dikush që s’e njihnim, por nesër mund të jemi vetë ne pre, apo viktimat e radhës. Qëllimi jonë është thjesht një sensibilizim drejtuar shoqërisë që hesht para fenomeneve të tilla dhe një apel i fortë i shkon institucioneve përgjegjëse që të marrin masa dhe të forcojnë ligjin kundër ndodhive të tilla negative; që çdo ditë e më shumë po deformojnë shoqërinë shqiptareNëse edhe ju keni një histori për të treguar, tuajën apo të të afërmve tuaj, ngrijeni zërin; denonconi. Sot ne do të publikojmë, dramën e një fëmijëve autik i cili në mënyrë të papërgjegjshme është përzënë nga mësuesja kujdestare në klasën ku ai mësonte ndërsa nga dita në ditë kishte përmirësime të dukshme. Historia e vogëlushit Mateo. B nga Gjirokastra shërben njëherësh edhe si një thirrje për të gjithë opinionin publik shqiptar pasi rasti i Mateos nuk është i vetmi. Të gjithë ngjarjen e rrëfen nëna e Mateos e cila momentalisht është shumë e dëshpëruar për gjendjen në të cilën ndodhet fëmija i saj, i vetmuar dhe i veçuar padrejtësisht nga shokët e tij. Madje e kontaktuar edhe nga gazeta përmirësimin e dukshëm në shkollë të 7 vjeçarit e ka pohuar edhe vetë psikologja e tij, që thekson se vogëlushi nuk është si pjesa dërrmuese e fëmijëve me autizëm, ai pothuaj është fëmijë normal, vetëm që gjendja e tij kërkon një kujdes të vazhdueshëm dhe një prej detajeve të terapisë është shoqërizimi dhe puna në grup që psikologja duhet të bëjë me 7 vjeçarin. Ndërsa asnjë masë nuk është marrë as nga Ministria e Arsimit apo edhe nga vetë Drejtoria Arsimore në qytetin e Gjirokastrës nëna e Mateos bën apel për zgjidhje pasi ajo duhet të mendojë edhe për punësimin e saj pasi nuk ka asnjë të ardhur në familje duke jetuar e ndarë nga bashkëshorti prej disa vitesh. Kjo nënë e rrëfeu edhe pse me shumë vështirësi, dhe dhimbje dramën e jetës së saj dhe të fëmijës që ajo po rrit, i cili fatkeqësisht është pjesë e racizmit të paskrupullt të fëmijëve që ekziston ende edhe në Shqipërinë e 2013-ës. Merrni guximin! Denonconi edhe ju në tiranaobserer@gmail.com. Ju mirëpresim
Nëna: Bëj apel për ndihmë, kërkoj rikthimin e djalit në klasë
Historia e 7 vjeçarit autik, që e përzunë nga shkolla
Arta AGOLLI
Në sytë e vogëlushit 7 vjeçar, Mateo. B mund të shohësh një qetësi e një dashuri që rrallë herë mund ta hasësh në fëmijët e tjerë. Ai është një fëmijë shumë i bukur me një buzëqeshje që vetëm ndonjëherë i zvogëlohet në fytyrën e tij të brishtë, ndërsa shkathtësia e tij, bie në sy vazhdimisht. Fatkeqësisht vogëlushi vuan prej vitesh nga sëmundja e vështirë e autizimit, dhe mund të cilësohet si një ndër rastet e rralla kur mësuesja kujdestare dhe vetë drejtori i shkollës ku vogëlushi mësoi për rreth dy vite, në sistemin parashkollor e më pas në klasën e parë, e kanë përzënë nga klasa në mënyrë të paprecedentë. Historia e dhimbshme dhe gati e pabesueshme që arrin ekstremin e racizmit për më tepër për një fëmijë me probleme autike, duket se e ka lënduar pa masë nënën e 7 vjeçarit e cila pranon të rrëfejë gjithë shqetësimin e saj dhe ankthet e fëmijës që kur e kanë larguar nga shkolla. Gentjana H. është një nëna e 7 vjeçarit e cila bën apel nëpërmjet gazetës që djali i saj i vogël të rikthehet në klasë me shokët e tij në shkollën Koto Hoxho në Gjirokastër.
Ngjarja
E gjendur e vetme, pasi para disa vitesh nëna e vogëlushit është përballur me divorcin nga bashkëshorti i saj, Gentiana rrëfen me detaje ngjarjen duke i bërë thirrje Drejtoria Arsimore të rrethit Gjirokastër, pasi sipas saj drejtuesit e shkollës dhe në veçanti mësuesja e klasës së parë ka gabuar duke e përzënë Mateon nga klasa e duke e larguar atë nga shokët. Nuk kam për ta harruar atë ditë që djalin e larguan nga shkolla për shkak se mësuesja ndihmëse që e kishte marrë në patronazh Mateon, që shërbente njëkohësisht edhe si psikologe në klasë u largua nga shkolla, për shkak të mbylljes së projektit, ajo ditë ka qenë dita më e vështirë e jetës time rrëfen Gentiana. Sipas saj Mateo është fëmijë i lëvizshëm dhe nëse ndihet i kërcënuar apo ngacmohet nga të tjerët i fillojnë krizat e sëmundjes, por ai është i aftë të mësojë gjithçka edhe pse me pak vështirësi. Që në momentin që është larguar nga shkolla, mërzitet qan, dhe shpesh herë ndihet keq pasi edhe sëmundja bën të vetën, ndaj i lutem Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorisë Arsimore të marrë masa të më ndihmojnë me djalin tim, dua vetëm të rikthehet në klasë. Ajo rrëfen se me djalin e saj ka punuar edhe vetë, ndërsa bën me dije se sipas edhe kontrolleve mjekësore, Mateo nuk është si shumica prej rasteve të ngjashme që vuajnë nga sindroma e autizmit.
Letra e Gentianës: Do luftoj me çdo mënyrë për fëmijën tim
Në letrën drejtuar fillimisht Institutit të Jetimëve, institucion i cili e adresoi këtë letër në redaksinë e gazetës Gentiana i bën një thirrje publike, drejtuesve të arsimit në Gjirokastër që të reagojnë në mënyrë njerëzore për rastin e fëmijës së saj. Prej disa vitesh përveç sëmundjes Mateo është vetëm me nënë e tij, dhe bën pjesë tek fëmijët jetimë, ndaj 37 vjeçarja rrëfen se djali i saj është gjithçka për të, dhe për këtë fakt ajo do të luftojë me çdo mënyrë për të gjetur zgjidhje për problemin e fëmijës së saj. Sipas Gentianës gjithçka ka nisur kur filloi edhe projekti për fëmijët autikë në të gjitha shkollat e vendit të cilët do të trajtoheshin me vëmendje të veçanta nga mësuese të specializuara që do të qëndronin me fëmijët në orën e mësimit e do ti ndiqnin ata vazhdimisht. Me fillimin e këtij projekti mësuesja e specializuar punonte me Mateon në një dhomë veç e më pas e dërgonte në klasën ku ishin edhe fëmijët e tjerë, por një ditë kur psikologja e kishte dërguar Mateon, pranë fëmijëve të tjerë mësuesja kujdestare Etleva e kishte nxjerrë fëmijën jashtë. Në këtë kohë pa debatuar me mësuesen Gentjana ka shkuar në drejtori dhe ka folur me drejtorin e shkollës dhe ai i kishte premtuar një zgjidhje për Mateon por kjo zgjidhje mbeti vetëm një premtim pasi zgjati vetëm disa ditë, derisa Gentjana u detyrua të shkonte në Drejtorinë Arsimore për tu ankuar lidhur me këtë problem. Që prej asaj kohe, Mateo nuk ka shkuar më në shkollë. Gentjana në rrëfimin e saj thotë se djali i saj, që prej kohës kur ai nuk shkon më në shkollë është shëndrruar në një fëmijë të vetmuar dhe shpesh herë bëhet tepër agresiv. Duke u gjendur në vështirësi për shëndetin e djalit apeli i kësaj nëne të re futja në një tjetër klasë ku Mateo të integrohet e të ndihet i barabartë me shokët e tij. Nëse këto kërkesa nuk i plotësohen Gentjana i bën apel drejtorisë Arsimore ta punësojë vetë atë në mënyrë që ajo që ajo të merret personalisht me djalin duke patur akses dhe arsimin e lartë që e ka kryer disa vite më parë.
Çfarë është autizmi
Sipas psikologëve Autizmi nuk është sëmundje (as sëmundje mendore, as psikozë)! Ai është një sindromë që paraqet një karakter të përhershëm. Mjekimi nuk ka për qëllim shërimin, por zhvillimin maksimal të potencialeve të personit, pa i kaluar, kufijtë e tij. Personat autik kanë nevojë përpara së gjithash për edukim dhe arsimim të specializuar dhe jo për trajtim psikiatrik (përveç ndonjë rasti të veçantë).