Kreditë bankare, bizneset më problematikë se individët
Të jesh biznesmen në ditët e sotme, jo domosdoshmërisht do të thotë se je i pasur. Shumë biznese kanë shpallur falimentin, të tjerë kanë një xhiro vjetore shumë të ulët, ndërkohë që ka edhe nga ato biznese që po mbahen në këmbë me kredi bankare, të cilat nuk po i investojnë, por i po përdorin për të shlyer pagat apo taksat. E gjithë kjo situatë që rrjedh nga kriza ekonomike, ka vënë në vështirësi edhe vetë bankat, të cilat janë të shqetësuara për moskthimin e kredive. Madje disa banka shprehen se bizneset janë bërë më problematike se vetë individët në kthimin e kredive.
Kredia e biznesit
Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se kredia e biznesit po përkeqësohet me ritme shumë më të shpejta se ajo e individëve. Sipas Ministrisë së Financave, vetëm për 9 muajt e parë të vitit të kaluar, kreditë e pashlyera të biznesit u rritën me 5.2 pikë përqindje, nga 2.6 për qind që u rritën ato të individëve. Shifrat tregojnë se bizneset janë më problematikët për bankat.
Diferenca me individët
Në shtator, kredia e keqe e biznesit arriti sa 26 për qind e totalit, ose gati 10 pikë përqindje më shumë nga ajo e individëve. E shprehur në vlerë diferenca është shumë më e madhe, për shkak se shuma e kredisë së marrë nga sipërmarrjet është deri në tre herë më e lartë nga ajo e familjeve. Shifrat e Ministrisë së Financave dëshmojnë se kredia e biznesit është përkeqësuar me ritme të shpejta veçanërisht në dy vitet e fundit. Në fund të vitit 2010 kredia me probleme e biznesit ishte 15.5 për qind. Në më pak se dy vjet ajo u rrit me 10.5 pikë përqindje, që e shprehur në vlerë është përafërsisht mbi rreth 500 milionë dollarë. Që pas 2010-ës biznesi është përballur më kohë të vështira.
Fitimet e kompanive
Vitin e kaluar për shkak të rënies së konsumit, fitimet e kompanive në tërësi, sipas të dhënave të buxhetit, ranë me rreth 15 për qind. Por ky nuk është shkaku i vetëm që ka përkeqësuar gjendjen e tyre financiare. Paralelisht me rënien e shitjeve, shumë ndërmarrje, veçanërisht ato që kryejnë punë publike janë përballur me vonesa në arkëtimin e parave nga Qeveria. Vetë shoqatat e biznesit pretendojnë se borxhi që u ka Qeveria në formën e punëve të papaguara por edhe TVSH-së së pashlyer arrin në mbi 200 milionë euro.
3
herë më e lartë është shuma e kredisë me probleme të marrë nga sipërmarrjet në krahasim me atë të familjeve
200
milionë euro është borxhi që qeveria iu detyrohet sipërmarrjeve për punët e papaguara ndër vite
500
milionë dollarë është rritur në dy vitet e fundit kredia me probleme e biznesit, ose thënë ndryshe me 10,5 pikë përqindje