Historia e Parlamentit EvropianNga Erisa Zykaj, BrukselNë kontekstin e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, ja rruga që Parlamenti Evropian ka përshkuar për t’u bërë i domosdoshëm në procesin e vendimmarrjes së Bashkimit Evropian. Ai influencon, ndrys
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Historia e Parlamentit EvropianNga Erisa Zykaj, BrukselNë kontekstin e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, ja rruga që Parlamenti Evropian ka përshkuar për t’u bërë i domosdoshëm në procesin e vendimmarrjes së Bashkimit Evropian. Ai influencon, ndryshon dhe mund të bllokojë sot dy të tretat e vendimeve të BE
Winston Churchill do të përdorte për herë të parë termin Parlamenti Evropian në gusht të 1949 me rastin e seancës së hapjes së Asamblesë së Këshillit të Evropës. “Në këtë qytet kaq të plagosur nga luftërat dhe historia shpresoj që kjo Asamble e parë e Këshillit të Evropës do të bëhet ndoshta një ditë Parlamenti Evropian”, - ju drejtohet ai 20.000 qytetarëve të Strasburgut. Një parandjenjë që do bëhet realitet 7 vjet më vonë.
Tre vjet më pas, më 10 dhjetor 1952, mblidhet në Strasburg Asambleja e parë e Komunitetit Evropian të çelikut dhe qymyrit, e kryesuar nga Paul Henri Spaak, që i vë vetes qëllim t’iu dhurojë 6 shteteve evropiane që përbënin komunitetin (Francë, Gjermani, Itali, Belgjikë, Luksemburg dhe Holandë) një projekt politik. Por ajo dështon me dështimin e Komunitetit Evropian të Mbrojtjes.
Më 1958 do të lindë ai që është sot Parlamenti Evropian. Presidenti i Asamblesë Parlamentare zgjidhet Robert Schuman. Ai mban një diskutim të seancës, ku falënderon shtypin për vullnetin e treguar dhe Këshillin e Evropës për mikpritjen, pasi në atë moment nuk kishte ndërtesë të Parlamentit Evropian.
Viti 1979 është një vit historik për Parlamentin Evropian, pasi është hera e parë që deputetët zgjidhen drejtpërdrejt nga populli. Por është gjithashtu hera e parë për një presidente të parë femër të Parlamentit, aq më tepër me një të kaluar familjare në kampet naziste. “Ajo kishte shumë për zemër të drejtat e njeriut”, - tregon, ish-drejtori i Përgjithshëm i Informacionit në Parlamentin Evropian, Paul Collowald. “Më kujtohet që ajo ftoi në Parlamentin Evropian presidentin e atëhershëm të Egjiptit, Sadat.
Sadat mbajti një fjalim të jashtëzakonshëm në Parlamentin Evropian. Ishte muaji shkurt 1981 dhe 9 muaj më pas atë e vranë. Ne ishim pa fjalë, kur kujtonim fjalimin e tij të paharrueshëm mbi paqen në Parlamentin Evropian”, - shprehet Collowald.
Parlamenti filloi të merrte kompetencat e tij në fushën buxhetore gjatë viteve ‘70 dhe gjatë ‘80 ai nuk humbi rastet për ta treguar pushtetin e tij. Presidenca e Pierre Pflimlin është një rast i qartë, siç kujton dhe Paul Collowald, që në vitet ‘86 ishte shefi i kabinetit të tij: “Ishte ai që firmoste buxhetin. Këtë e harrojmë disa herë. Duhet firma e presidentit të Parlamentit Evropian që buxheti të aprovohet. Por Pierre Pflimlin nuk firmosi shifrën e Këshillit të Ministrave, por atë të Parlamentit. Shumë shtete anëtare dhe vetë Këshilli i Ministrave u ankuan para Gjykatës së Drejtësisë në Luksemburg. Dhe ai më tha me shaka: “E imagjinon Paul, në moshën që kam, të më çojnë para gjykatës? S’më ka ndodhur ndonjëherë.” Si përfundim, Gjykata e Drejtësisë mbështeti shifrën e Parlamentit. Ne fituam”, - tregon Collowald.
Është Traktati i Maastrichtit i vitit ‘92, që i jep pushtet të vërtetë Parlamentit Evropian, duke e vënë atë në të njëjtin nivel me Këshillin e Ministrave në disa fusha si tregu i brendshëm, kërkimet shkencore, arsimi, shëndeti dhe mjedisi. Është procedura e bashkëvendosjes (co-decision). Parlamenti mund të bllokojë vendime dhe të detyrojë Këshillin që të zmbrapset me anë të kësaj procedure.
“Procedura e bashkëvendosjes është një procedurë për të cilën kam punuar gjatë presidencës time nga 1987 deri në 1989. Kjo procedurë është marrëveshje trepalëshe midis Këshillit të Ministrave, Komisionit dhe Parlamentit. Parlamenti me këtë procedurë filloi të piqet, pasi para kësaj nuk ishte gjë tjetër veçse një vend diskutimesh, në sensin që Këshilli i Ministrave vendoste, nëse do merrte në konsideratë qëndrimin e Parlamentit ose jo”, - shprehet ish-presidenti i Parlamenti Evropian, The Lord Plumb.
Kur unë u bëra president, Traktati i Maastrichtit sapo kishte hyrë në fuqi. Ne duhet të aprovonim një sërë rregulloresh të reja, që të ishim në përputhje me traktatin. Unë propozova dhe ia dola që të vendosnim sistemin e dëgjimit të komisionerëve para se të votonim Komisionin Evropian. Më parë ne vetëm sa jepnim pëlqimin tonë. Tani është rregullore që të gjithë komisionarët duhet të kalojnë nga seanca dëgjimesh në Parlamentin Evropian, para se Parlamenti të shprehet mbi aprovimin ose jo të Komisionit Evropian”, - shprehet presidenti i PE në vitet ‘94-‘97, Klaus Hänsch.
Traktati i Amsterdamit shtoi edhe më shumë pushtetin e Parlamentit. Ai arriti në 1999 që të tregojë forcën e tij lidhur me kontrollin e mënyrës së shpenzimit të buxhetit nga ekzekutivi, Komisioni Evropian. Parlamenti detyroi Komisionin Santer që të japë dorëheqjen së bashku me 26 komisionarët e tij për shkak të korrupsionit në kontratat e jashtme të lidhura me ndërmarrje të ndryshme.
Zgjerimi historik i BE dhe ai i Parlamentit Evropian ishte ai me 10 vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në 2004 dhe pastaj në 2007 me Rumaninë dhe Bullgarinë.
“Ky ishte një projekt politik shumë i bukur. Por nuk u përgatit mirë, nuk u shpjegua mirë dhe si rrjedhim nuk u kuptua mirë nga popullsia. Vetë termi zgjerim, s’është i qartë. Evropa zgjerohet deri ku, deri kur?” - shprehet presidentja e Parlamentit Evropian, Nicole Fontanie, në vitet 1999 deri në 2002.
Në vitin 2008, Parlamenti Evropian u bë dhe kryeqendra e Konventës Evropiane, që hartoi traktatin kushtetues, sot Traktati i Lisbonës, që pritet të aprovohet përfundimisht nga një referendum i dytë në Irlandë.
Parlamenti Evropian influencon dhe ka pushtetin që të ndryshojë sot dy të tretat e vendimeve që merren në Bashkimin Evropian, që kanë një impakt të drejtpërdrejtë mbi qytetarët evropianë në shumicën e politikave evropiane.