E Diel, 1 Nëntor 2026

Rasti Bushati, një ndëshkim që e meritojmëNga Mero BazeKolegu ynë, Andi Bushati, një nga emrat më autoritarë në gazetarinë shqiptare, dha dje dorëheqjen nga TV “Klan”. Pronari i televizionit, Aleksandër Frangaj, i ka kërkuar atij censurimin e tri dok

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rasti Bushati, një ndëshkim që e meritojmëNga Mero Baze

Kolegu ynë, Andi Bushati, një nga emrat më autoritarë në gazetarinë shqiptare, dha dje dorëheqjen nga TV “Klan”. Pronari i televizionit, Aleksandër Frangaj, i ka kërkuar atij censurimin e tri dokumentarëve për tri figurat kryesore politike në vend, Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën. Emisioni i tij shumë i shikuar në vend, “Zonë e Ndaluar”, zhbironte në këto tri dokumentarë detaje të jetës së tyre politike, ulje-ngritjet e tyre dhe natyrisht mungesat e parimeve në shumë nga momentet e tyre politike. Aleksandër Frangaj e bllokoi transmetimin e dokumentarit të parë për Edi Ramën, që duhej të transmetohej të hënën në orën 21.00, dhe sot Andi Bushati nuk është më pjesë e TV “Klan”.

Shumë kolegë u tronditën nga kjo ngjarje dhe janë gati të përfshihen në fushata sensibilizuese për lirinë e medias në Shqipëri. Natyrisht, diçka duhet bërë dhe në këtë drejtim. Por i gjithë ky ritual më ngjan si një ankesë e gjatë për pafuqinë e gazetarisë shqiptare.

Ne mund të ankohemi gjatë për këtë që ndodhi. Unë mund dhe do përpiqem ta transmetoj atë që u censurua në emisionin tim. Mund të ndodhë ta bëj këtë dhe ndonjë koleg apo kolege tjetër që kanë emisione televizive. Por asgjë s’do të kemi zgjidhur përfundimisht. Fakti që censura goditi tashmë një nga gazetarët më të mirë të Shqipërisë, do të thotë që sistemi është bërë arrogant dhe ka tejkaluar frikën nga autoriteti i gazetarisë. Ne të gjithë e dimë se këtu censurohen gjërat e vogla, se këtu censurohen reporterët, vetëcensurohen redaktorët, dhe vetëpërmbahen shpesh gazetarët e njohur konformistë. Por ende nuk ishte guxuar të censuroheshin gazetarët shumë të njohur. Ia arritëm dhe kësaj duke prekur fundin. Tani s’na mbetet gjë tjetër përveçse të kundërvihemi dhe jo vetëm të reagojmë.

Duke qenë një gazetar “veteran” i brezit të ri, nga gjithë fushatat elektorale që kam ndjekur me shumë përkushtim dhe shpesh me tifozllëk që nga viti 1991, kjo është fushata elektorale më e censuruar dhe e fabrikuar e historisë së Shqipërisë. Me një përsosje të teknologjisë së trukimit të veprimtarive publike, dy partitë kryesore, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, kanë imponuar për mediet vizive pamje të regjistruara të takimeve të tyre dhe nuk lejojnë medien të jetë dëshmitare e historisë së tyre elektorale. Sali Berisha ka mobilizuar Gardën e Republikës të mbajë larg kamerat e paautorizuara nga takimet e tij dhe u ofron me dhunë televizioneve pamje të trukuara nga regjia e tij. Të njëjtën gjë e bën dhe Edi Rama, natyrisht pa përdorur Gardën e Republikës. Ky trukim, i cili i ka hequr përfundimisht medias misionin e saj si dëshmitare e historisë elektorale në këtë vend, është një fyerje e madhe për autoritetin e saj dhe një turp i pafundmë për standardin që po i imponon politika pronarëve të medieve. Fale tolerimit të një imami në xhaminë e Tiranës, që na lejoi të filmonim një minutë mitingun e hapjes së PD në sheshin “Skënderbej”, unë zbulova në emisionin tim sheshin bosh dhe dëshpërimin e Sali Berishës, i cili u detyrua të largohej nga mitingu i mërzitur. Pamjet që na solli pastaj në TV zyra e PD, të krijonin idenë se sheshi ishte plot me qindra-mijëra njerëz. Kjo histori përsëritet në çdo miting, në Elbasan, në Korçë, në Durrës në Fier, kudo. Dhe përsëritet njësoj për të dy palët. Disa drejtues lajmesh po përpiqen të tregohen më të ndershëm duke futur titrat “Pamje PD” apo “Pamje PS”, por kjo nuk ndryshon asgjë. Thelbi i gazetarisë është të dëshmojë dhe askush nuk mund t’ia mohojë as këtë të drejtë, as Garda e Republikës së Sali Berishës, as kompanitë e imazhit të Edi Ramës. Ata kanë të drejtën e tyre të prodhojnë imazh të trukuar dhe të na i ofrojnë, por ne kemi të drejtë të hetojmë dhe të zbulojmë të vërtetën, për ta balancuar informacionin te shikuesi.

Skandali i dytë i madh i kësaj fushate elektorale është se kryeministri, Sali Berisha, ka marrë pozitën e shefit të shtypit të Komitetit Qendror, ndërsa Edi Rama ka hyrë në spiralen e tij dhe vazhdon të fusë medien në një qorrsokak informativ. Ndërsa ligji elektoral detyron TV t’u japin hapësirë gjithë partive, Sali Berisha ndan ekranet ku do të shfaqet dhe ekranet ku nuk do të shfaqet. Kolegët e mi që duhet të drejtojnë debatet televizive janë bërë me makthe nga përgjigjet pa kuptim të Majlinda Bregut apo Endri Fugës. Praktikisht, Berisha dhe Rama funksionojnë si dy kryeredaktorë televizionesh, me turne, që diktojnë listën e të ftuarve vetëm për ata gazetarë që “kanë sjellje të mirë”, që nuk ua kanë prishur qejfin dhe që kanë besim që nuk i pyesin gjatë emisionit. Nga ana tjetër, është poshtëruese që ata, përveçse diktojnë listat e tyre, diktojnë dhe zhdukjen nga ekrani të Polit të Lirisë dhe LSI, dy koalicioneve të dyta që kanë të drejtë të jenë pjesë e debatit publik. Për të pavarurit dhe të vegjlit as që bëhet fjalë. Ky diktat pa fund i medias në këtë fushatë i ka bërë ekranet qendra zëri propagandistike dhe ka zhdukur gazetarinë nga fushata elektorale. Dhe kjo e ka rritur aq shumë arrogancën e tyre ndaj atyre që tentojnë të bëjnë gazetari, sa guxuan dhe hoqën nga ekrani më të mirin e gazetarëve të sotëm të medias shqiptare, Andi Bushatin.

Andi Bushati kishte kohë që përdorej si alibi për gjithë akuzat që i bëheshin TV “Klan” si TV klientelist, joprofesional dhe gjobaxhi. Sa herë ngriheshin me të drejtë akuza të tilla në adresë të Frangajt, Andi Bushati ishte një alibi e gatshme. Ai mund të kritikonte dhe Sali Berishën, dhe Edi Ramën, dhe Rezart Taçin, dhe Shkëlzen Berishën dhe Fatmir Mediun. Maksimumi që bënte Frangaj në këto raste, merrte viktimat në telefon dhe i sqaronte që Bushati u duhej ashtu “disident”. Tashmë zullumi është trashur kaq shumë, sa as kjo alibi nuk i hyn më në punë. Sistemi ka prodhuar një super-arrogancë ndaj lirisë së fjalës, dhe sot gazetaria është vërtet në ditën e saj më të zezë. Jo për Andi Bushatin, jo për emisionin e tij, por për guximin për të ndalur nga ekrani një zë që përpiqet të tregojë me gisht nga e vërteta. Duke guxuar të ngrihen kundër tij, ata, kryeredaktorët realë të shtypit shqiptar, kanë guxuar të thonë: “Mbyllni gojën, se s’jeni asgjë veçse shërbëtorët tanë!” Ky është alarmi real që duhet të nxisë reagimin tonë ndaj kësaj arrogance.

Në këtë aspekt duhet të shikojmë dhe vlerat pozitive që ka gjesti arrogant ndaj Andi Bushatit, kësaj “maske” prej dylli mbi fytyrën e gënjeshtërt të një ekrani që është servis manipulativ i qeverisë. Ndëshkimi ndaj Andi Bushatit është në njëfarë mënyre fat për betejën tonë, dhe mbi të gjitha fakt për protestën tonë reale. Tashmë, TV “Klan” është më i sinqertë në dashurinë e tij për pushtetin dhe në bilancin marramendës të miliona eurove që përfundojnë në arkën e tij nga servise jogazetareske dhe gjoba në emër të pushtetit. Ky është po ashtu një moment i mirë për të gjithë ata që duan të kuptojnë se steka e arrogancës së këtij sistemi është ngritur lart mbi çdo kokë gazetari.

E kuptoj se kjo nuk është betejë që mund ta përballojnë të gjithë. E kuptoj se ky sistem ka triumfuar pikërisht nga mungesa e solidaritetit dhe nënshtrimi ndaj së keqes së radhës. Po jam optimist nga ana tjetër se për beteja të tilla të mëdha nuk duhen shumë vetë, nuk duhen qindra apo mijëra, duhen disa, qoftë dhe me një numër të paktë, por që thonë të vërtetat që duan të varrosin. Para njëqind medieve që thonë të njëjtën gënjeshtër, një zë që thotë të vërtetën e kundërt, ka fuqinë e atyre 100 gramafonave që flasin, por nuk mendojnë, që shkruajnë, por nuk lexojnë, që përfillen, por nuk dëgjohen, që krekosen, por nuk respektohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›