E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e dashurisë së Gjin Markut me korrieren e bukur serbe

Lidhja e Gjin Markut me partizanen e bukur, Natali Virioviç. Lindja e katër fëmijëve dhe nisja e kalvarit për familjen

Gjetë Ndoj*

Njohja e Gjinit me Natali Virioviçin duhej të ishte një simbol i miqësisë së popujve, i farkëtuar në Luftën e Dytë Botërore. Por realisht nuk ndodhi kështu. Përkundrazi. Gjin Marku udhëhoqi Divizionin VI Sulmues në luftën çlirimtare në viset jugosllave në pranverën e vitit 1945, për afro tre muaj në Kosovë, Mitrovicë, Vuçitërnë, Prishtinë etj. Aty, si kudo, këto forca konsideroheshin si shpëtimtare për popullin pa pasur dallime nacionale. Ky divizion, gjatë qëndrimit në Mitrovicë e Vuçitërnë, jo vetëm ndikonte në vëllazërimin midis popullit shqiptar dhe atij serb, por u bë garanci për të neutralizuar veprimtarinë kriminale të çetnikëve, të cilët për një periudhë kohe u bënë bashkëpunëtorë me nazistët gjermanë. Një ditë prilli te Komanda e Divizionit vjen një korriere e Shtabit të Mbrojtjes së Vuçitërnës (strukturë e Ushtrisë Jugosllave, e përbërë nga shqiptarë, serbë, boshnjakë dhe malazezë). Ajo quhej Natali Virioviç dhe ishte vajzë shumë e bukur. Natalia ishte veshur me uniformë partizane. Drejtuesve të Divizionit VI u bëri përshtypje dhe u prit me shumë respekt edhe nga vajzat partizane të Divizionit VI. Dukej nga gjuha se korrierja partizane ishte me përkatësi dhe nacionalitet sllav.
“Shoqet partizane e shoqëruan Natalinë te komandanti për të dorëzuar dokumentet që bënin fjalë për koordinimin e veprimeve mes forcave partizane jugosllave dhe atyre shqiptare, bashkëpunim ky që kishte nisur që kur Divizioni VI kishte nisur operacionet luftarake në tokat e Jugosllavisë (dhjetor 1944). Përveç komandant Gjinit, në lidhjen e kësaj miqësie ndikuan edhe partizanet, duke e manifestuar dashurinë dhe respektin ndaj partizanes Natalie”, - thotë një nga dëshmitarët e kësaj ngjarjeje.
Kush është Natali Virieviç
Natalia ishte vajzë e lindur në një familje sllave (babai i saj, Martini, ishte prift me origjinë nga Mali i Zi, ndërsa nëna e saj ishte serbe), me një veprimtari intensive antifashiste. Vëllai i saj i madh, Nedelka, kishte qenë prift, por kishte dhënë një kontribut të madh në fushën e arkeologjisë dhe ishte një albanolog i njohur në Kosovë. Vëllai i dytë, i cili është akoma gjallë (84 vjeç), ishte pjesëmarrës aktiv i luftës në brigadat jugosllave që vepruan kryesisht në Kosovë. Pas çlirimit ai mori gradën “Kolonel”, por më vonë u shkëput nga ushtria. Natalia, bashkë me të vëllain e saj dhe me motrën morën pjesë aktivisht në luftë. Motra u vra dhe u shpall më vonë heroinë e luftës kundër fashizmit. Pas këtij momenti dëshira për luftë dhe urrejtja për gjermanët pushtues te Natalia u rrit më tepër. Ndërsa fëmija i pestë i kësaj familjeje ishte djalë, por akoma shumë i ri. Familja Virieviç ishte e respektuar në të gjithë Kosovën në atë periudhë. Pas luftës, shumë shqiptarë, të cilët për shumë arsye ishin detyruar të bashkëpunonin me nazistët, gjenin strehë-mbrojtje te Natalia dhe vëllai i saj. Kanë qenë dhjetëra e qindra shqiptarë të tillë, të cilëve Natali Virieviçi u jepte dëshmi, sikur ata kishin qenë pjesë e formacioneve antifashiste. Veprime të tilla u shpëtuan jetën shumë shqiptarëve, të cilët rrezikonin ndëshkimin nga komunistët jugosllavë për kolaboracion me gjermanët.
Lidhja me Gjin Markun
Në vitin 1945 u bë njohja dhe Gjini bën fejesën me Natalinë. Në vitin 1947 u bë martesa dhe Zoti i fali këtij çifti të mrekullueshëm katër fëmijë, dy vajza e dy djem, përkatësisht: Svetllanën, më 31 tetor 1948, Aleksandrin më 1950-n, pastaj Ritën në vitin 1952 dhe i fundit lindi Kastrioti, në vitin 1954.
Që në vitin 1963, kur Gjini internohet në Zvërnec, bashkëshortja Natali dhe të katër fëmijët internohen në fshatin Hoxharë të Fierit. Kjo solli ndarjen për së gjalli të babait me fëmijët e tij. Që në atë periudhë nis një kalvar vuajtjesh, i cili nuk është mbyllur as në ditët e sotme. Shumë vonë fëmijët e Gjinit do të mësojnë arsyet që çuan në ndëshkimin e tyre nga regjimi. Ata u përballen me mungesën e babait, diskriminim në shoqërinë shqiptare, përndjekje sistematike nga organet e Sigurimit të Shtetit, varfëri ekonomike, humbje të së drejtës për t’u arsimuar etj. Kjo ishte fatura e rëndë e kësaj familjeje, e cila pati një fat tragjik. Megjithatë, është interesant fakti se asgjë nuk e ndau shpirtërisht familjen e Gjin Markut. Qëndrimi i papërkulur i Natali Markut (Virioviç) bashkëshortes së tij, kuraja e Svetllanës, femra e bukur, me shpirt të madh dhe me një karakter të papërkulur e heroik. Po ashtu, djemtë, Kastrioti dhe Aleksandri, u shquan për sakrificë dhe sfidim me dinjitet të vuajtjeve. Pjesë e vlerave të kësaj familjeje ishte edhe Margarita, e cila reflektoi pa reshtur vlerat më të mira të babait dhe nënës së saj.
Asnjë anëtar i familjes së Gjin Markut nuk e ndërroi mbiemrin; as përballë ndëshkimit që iu bë gjeneralit nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe as përballë vuajtjeve dhe torturave që kaluan vetë ata për disa dekada.

Gjetë Ndoj është autor i librit “Gjin Marku dhe lufta”
Shkrimi i mësipërm është pjesa e fundit e serialit të përzgjedhur për t’u botuar nga gazeta

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›