Inspektoriarti i Pasurive: Gjoba për zyrtarët që nuk dorëzojnë deklaratën e pasurisë
Më 31 Mars 2008 përfundoi afati i dorëzimit individual i zyrtarëve që mbartin detyrim për deklarim të interesave private periodike/vjetorë për pasuri të krijuara deri më 31 Dhjetor 2007. Në një kohë kur ka edhe 15 ditë afat që Autoritetet Përgjegjëse të dorëzojnë të gjithë deklaratat, deri më tani janë dorëzuar rreth 70 për qind e tyre. Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, Fatmira Laska, tha dje se deri ditën e fundit të afatit për zyrtarët, pra deri më 31 Mars, në Inspektoratin e Lartë ishin të dorëzuara vetëm 50 për qind e deklaratave. Por, “koincidenca që po më 31 Mars, institucioni paraqitit në Kuvendin e Shqipërisë raportin vjetor për vitin 2007, ku u theksua edhe problematika e vonesave në deklarim, ndoshta ka ndikuar që vetëm një ditë më pas, numri i deklaratave të dorëzuara në ILDKP të arrijë në 72 për qind”. Megjithatë, Inspektorati i Lartë shpreh rezervat e tij edhe për këtë rezultat dhe e quan të pajustifikueshme mosdorëzimin e plotë të deklaratave nga institucionet qendrore.
Duke vlerësuar edhe bashkëpunimin e medias për përcjelljen e kujtesave të herëpashershme që ka bërë ILDKP për zyrtarët që të përmbushin në afat detyrimin ligjor, Laska ka theksuar se “në rast vonesash të pajustifikuara, do të vendoset masa administrative ‘gjobë’ për zyrtarët, por edhe për autoritetet përgjegjëse nëse do të verifikohet nga kontrollet që do të kryejë shumë shpejt stafi i ILDKP në institucionet publike.
Ambasada Gjermane mbështetje “mekanizmave të komunikimit deputet-qytetar”
Ambasada Gjermane në Tiranë ka nënshkruar dje një marrëveshje financimi me Forumin e Lirë Shqiptar. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mori pjesë Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë Bernd Borchardt, Zëvëndëskryetari i Forumit të Lirë Shqiptar, Dorian Duçka dhe anëtari i këtij forumi Klodian Gradeci. Marrëveshja konsiston në realizimin e projektit të quajtur “Përmirësimi i mekanizmave të komunikimit deputet-qytetar”. Ky projekt, synon që të afrojë më shumë të zgjedhurit dhe zgjedhësve në trajtimin e problematikave kryesore dhe shqyrtimin e mundësive për zgjidhjen e tyre. Ky projekt është ndër projektet e shumta të organizatave të shoqërisë civile, të cilat mbështeten rregullisht nga pala gjermane me fonde të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore. Shumica e projekteve të mbështetura do ti shërbejnë forcimit të shoqërisë civile. Forcimi i sektorit të drejtësisë dhe atij policor, si dhe lufta kundër korrupsionit janë pika të tjera të rëndësishme.
2 Prill 2008