E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: Burg dhe gjobë për ish-zyrtarët që favorizuan në tendera



Tiranë - Prokuroria kërkon burg dhe gjobë për ish-zyrtarët. Prokurori i ka kërkuar dje gjykatës që Spartak Gjini të dënohej me 5 vjet burg dhe 2.1 milionë lekë gjobë. Për Llambi Tarkën katër vjet burg dhe 2.1 milionë lekë gjobë. Ndërsa për Fiqiri Palin vetëm 900 mijë lekë gjobë. Pas pretencës së përfaqësuesit të akuzës, avokatët kanë kërkuar kohë të përgatisin mbrojtjen përfundimtare ndaj klientëve të tyre. Gjykata e Tiranës pranoi një seancë më parë gjykimin e shkurtuar për ish-zyrtarët që u arrestuan për favorizim në tendera. Gjykimi për ish-zyrtarin e lartë të Ministrisë së Punës dhe Shanseve të Barabarta Spartak Gjini dhe për të arrestuarit e tjerë ka nisur prej pak ditësh. Trupi gjykues, që kryesohej nga gjyqtari Martin Deda, ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për gjykim të shkurtuar në gjendjen siç ishin aktet në dosje. Gjini para se të arrestohej ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës, mbi të rëndoi akuza e favorizimit në tendera si dhe ajo e “korrupsionit pasiv dhe aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Spartak Gjini u arrestua në nëntor të vitit të kaluar gjatë operacionit të koduar “Rikonstruksioni”, i cili u organizua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me “Task-Forcën” në Prokurorinë e Tiranës. Gjatë këtij operacioni u arrestuan edhe shtetasit Llambi Tarka, 51 vjeç, ish-anëtar në Komisionin e Prokurimeve në Ministrinë e Punës, si dhe Fiqiri Pali, 39 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë, pronari i një shoqërie me aktivitet ndërtimi. Edhe për këta të arrestuar u pranua gjykimi i shkurtuar. Sipas të dhënave hetimore dyshohet se shtetasi Spartak Gjini, në bashkëpunim me shtetasin Llambi Tarka, në këmbim të përfitimeve të paligjshme kanë paracaktuar fitues të tenderit të datës 14.09.2007 me objekt rikonstruksionin e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, firmën ndërtuese “Siret”, me pronar shtetasin Fiqiri Pali, duke detyruar firmat e tjera pjesëmarrëse të heqin dorë nga konkurrimi.

Pranga tre personave ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale

TIRANË - Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Policinë e Tiranës, mundësoi gjatë 24 orëve të fundit kapjen e tre shtetasve të shpallur në kërkim. Burime nga Policia e Tiranës bënë të ditur se në prangat e uniformave blu ranë Klaus Sula, 18 vjeç, Marsel Gjonçaj, 25 vjeç e Ilirian Poloska, 37 vjeç, që të tre banues në Tiranë. Sula, ishte shpallur në kërkim për veprën penale të “vjedhjes”, pasi Gjykata e Tiranës, e ka dënuar me dy muaj burgim. Për Gjonçaj, Gjykata ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurimit “Detyrim paraqitje njëherë në dy javë”, në Policinë Gjyqësore. Ndërsa Poloska, është dënuar me vendim të formës së prerë me 6 muaj burg për veprën penale të “mashtrimit”.

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›