Ndalohet drejtuesi i mjetit, aksidentoi një motoçiklist
TIRANE - Një drejtues mjeti u arrestua dje nga Policia, pasi aksidentoi rëndë drejtuesin e një motoçikletë tek kthesa e Bathores, Tiranë. Policia bëri të ditur dje se specialistët e policisë rrugore kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Bashkim Doçi, 45 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 11:30 në segmentin rrugor të kthesës së Bathores. Doçi, duke drejtuar mjetin e tij tip fugon “Bens”, me targa Tr. 8336 N, me drejtim lëvizje Zall Herr – kthesa e Bathores, është përplasur me motorin tip “Yamaha”, pa targë, të drejtuar nga Ahmet Stafa, 32 vjeç. Për pasojë, u aksidentua drejtuesi i motorit, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia kreu veprimet procedurale dhe materialet hetimore i kaluan Prokurorisë për hetime të mëtejshme për veprën e mësipërme penale.
Shisnin lëndë narkotike, policia arreston dy të rinj
TIRANË - Forcat e Policisë së kryeqytetit, arrestuan dje dy shtetas pasi dyshohen për shitje të narkotikëve në zonën e Kodër Kamzës, në Tiranë. Policia e Tiranës bëri të ditur të martën, se të arrestuarit janë Sined Kola, 25 vjeç dhe Edison Stambolli, 18 vjeç për veprën penale, “të prodhimit dhe shitjeve të lëndëve narkotike”. Arrestimi i tyre u mundësua dje rreth orës 19.00 në Kodër Kamzë, me një sasi pluhuri të dyshuar si lëndë narkotike e llojit heroinë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 10.8 gr pluhur, e dyshuar si narkotik e llojit heroinë, e ndarë dhe ambalazhuar në 7 porcione, 6.8 gr pluhur me ngjyrë të bardhë, e dyshuar lëndë narkotike e llojit kokainë e ndarë dhe ambalazhuar në 6 porcione, si dhe 24 tableta të dyshuara si lëndë narkotike dhe katër aparate telefoni celular. Policia kreu veprimet procedurale dhe materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për hetime të mëtejshme për veprën e mësipërme penale.
2 Prill 2008