Historia e fushatave, shpenzimet në rritje progresive
Fatura e fushatave elektorale në Shqipëri ka pësuar rritje në mënyrë progresive zgjedhje pas zgjedhjesh. Zgjedhjet e para pluraliste të zhvilluara në vitin 1992 kanë pasur edhe fushatën më të varfër financiare për vetë gjendjen ekonomike të Shqipërisë në atë kohë, por edhe për vetë faktin që partitë konkurrente në këto zgjedhje sapo ishin krijuar. Fushata elektorale e vitit 1996 pati disa shpenzime, të cilat ishin më së shumti në nivel modest dhe të përballuara kryesisht nga Partia Demokratike, e cila ishte në pushtet në atë kohë, ndërkohë që të gjithë e mbajnë mend shumë mirë fushatën modeste të zhvilluar nga Partia Socialiste në atë kohë. Rritja të konsiderueshme të shpenzimeve në fushatën elektorale ndodhi pikërisht në atë të vitit 2001, kur gjatë fushatave u konstatuan shpenzime të konsiderueshme, që kishin të bënin kryesisht me elementët e posterave dhe koncerteve festive me elektoratin. Por kulmin i shpenzimeve arriti pas futjes së një elementi të ri në fushatën elektorale siç ishin spotet televizive. Kjo ndodhi gjatë zgjedhjeve të vitit 2005, kur partitë shpenzuan shuma të konsiderueshme, për një element që rezultoi i rëndësishëm dhe produktiv në komunikimin me elektoratin. E njëjta gjë ndodhi edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2007, ku spotet elektorale “bombarduan” çdo shqiptarë në mënyrë të vazhdueshme. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në zgjedhjet e ardhshme të këtij viti.
15 Janar 2009