Topi nuk shprehet për “hapjen e dosjeve”, ligji hyn në fuqi
Presidenti Bamir Topi vendosi të mos mbajë qëndrim për ligjin për verifikimin e pastërtisë së figurës të zyrtarëve të lartë. Dje përfundoi afati kushtetues në dispozicion të kreut të shtetit për të dekretuar ose jo ligjin e miratuar në Kuvend vetëm me votat e deputetëve të Partisë Demokratike. Gjatë periudhës prej 20 ditësh, Presidenti nuk mori asnjë vendim për ta dekretuar ose jo ligjin. Por në Nenin 84 të Kushtetutës është parashikuar e drejta e Presidentit për të mos u shprehur për ligjin, i cili hyn në fuqi menjëherë pas kalimit të afatit 20-ditor që përfundoi pikërisht dje. Ligji i dosjeve u kundërshtua jo vetëm nga opozita e vendit, por edhe nga ndërkombëtarët, të cilët kërkuan rishqyrtimin e tij. Kreu i shtetit duket se e mori vendimin për të heshtur për këtë ligj pas konsultimeve që zhvilloi me grupe interesi, veçanërisht me shtresën e ish-të përndjekurve politikë. Kjo shtresë ka qenë pro miratimit në Parlament të ligjit, por ka shprehur kundërshtitë pasi ligji ngushtoi hapësirën e personave të cilëve duhej t’u hapeshin dosjet.
15 Janar 2009