Historia e një nëne që dinte ç'është dashuria
Jetojmë në kohë të tilla, kur çdo ditë sapo zgjohemi në mëngjes dhe tek ndjekim lajmet në televizor apo shfletojmë gazetat përplasemi me kronikën e zezë: "Babai përdhunon bijën", "Vëllai vret vëllain" e plot të tjera. Të duket sikur gjithçka në jetën tonë duhet të jetë e keqe, e ndyrë. Ndërsa ne kemi aq shumë nevojë vetëm për pakëz dashuri e ngrohtësi njerëzore.
Do të rrëfej për një ndodhi të cilën e mësova ashtu si rastësisht. Hamdi Çavolli, muzikant, erdhi nga Kosova në Tiranë në vitin 1943, erdhi "me kërku dhe me gjet Shqipni". Pas çlirimit të vendit e degdisën në Berat, atje ai krijoi bandën frymore, pastaj disa vite më vonë krijoi edhe bandën frymore në Kavajë. Kudo ku punoi ishte njeri i nderuar dhe i respektuar. Kalonin vitet dhe ai i zhgënjyer nga jeta nuk po vendoste të krijonte familje. U martua me vonesë me një grua shumë më të re se vetja. I lindën njëri pas tjetrit katër djem dhe dy vajza. Për fat të keq djali i katërt, lindi para kohe dhe mbeti tërë jetën me zhvillim të vonuar. Pas vdekjes së Hamdiut, gruaja e tij Ylvija, vazhdoi përkujdesjet për Titin, djalin që nuk ishte si gjithë të tjerët, por që nuk u binte në qafë njerëzve, nuk ishte agresiv. Përkundrazi, të tjerët, qytetarët e Beratit e donin sepse edhe ai ishte shumë i dashur me ta. Kur ndërroi jetë Ylvija, asaj i doli shpirti duke lënë amanet vetëm Titin, për të cilin ishte kujdesur aq shumë gjatë gjithë jetës. Titit i doli për zot i vëllai, Skënderi, vetëm se meritat më të veçanta në këtë rast i takojnë Nadit, gruas së Skënderit. Ajo sakrifikoi tërë kohës për kunatin e saj të sëmurë, ajo kishte edhe dy fëmijët e saj për t'u përkujdesur, por vëmendja e saj kryesore mbeti Titi. Ajo nuk flinte në dhomë me bashkëshortin, por në dhomën e të sëmurit. Ajo e lante, i hekuroste rrobat, ia ndërronte çdo ditë duke menduar se po t'i ndodhte ndonjë aksident të ishte i larë e i ndërruar të mos e shihnin me tesha të pista.
Dy motrat e Titit dhe Skënderit, Melika dhe Engjëllushka ndodhen emigrante në Itali e nuk kishin mundësi të kujdeseshin për vëllain. Titi vdiq kur ishte pesëdhjetë vjeç dhe i gjithë Berati e varrosi, po ashtu i gjithë qyteti përulet me nderim para fisnikërisë të asaj zonje, Nadit. Pra, le të ndezim një qiri, le të vlerësojmë këtë grua të përkushtuar, këtë nënë të mrekullueshme, që bëri aq shumë sakrifica si një shqiptare e vërtetë dhe gjithçka e bëri në emër të dashurisë për njeriun.