E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e një pikture që ka mbetur në Pogradec prej 1943-shit

Në një nga rrugicat karakteristike të Pogradecit, ndodhet pranë shtëpisë së tij, studioja e “Piktorit të Merituar” Anastas Kostandini. Miqësia fëminore me piktorin, më shtyn shpeshherë të shkoj në studion e tij për të parë ndonjë krijim të fundit. Para pak ditësh, krejt befasisht, më tërhoqi vëmendien një akuarel i veçantë me një pamje nga manastiri i Shën Naumit. Një akuarel me tone krejt të veçanta ngjyrash.

-“Nuk është puna ime”, - thotë Anastasi , - “ja shiko këtu, lexohet fare qartë firma e autorit, Mario Kasteli, punuar më 24 maj 1943. Po, si ndodhej ky akuarel i vitit të largët 1943 në studion e Piktorit të merituar Kostandini ? Kush është italiani anonim?

“Që kur kam qënë i vogël, ky akuerel më ka përkëdhelur pasionin dhe dëshirën time për t’u marrë me pikturë. Ka qenë dhe një shkak tjetër; babai im, Gjergji, këtë pikturë të ushtarit italian e ka quajtur si një gjë me vlerë, jo vetëm si vepër arti që është e përkryer, por edhe si një relike që i sillte një kujtim njerëzor me Mario Kastelin”.

Mbresat e babait të Anastasit (tani ai nuk jeton më) vetë koha i ka mbështjellë me një tis romantik dhe emocionues. Vetë piktori, Anastas Kostandini, i sjell këto mbresa krejt të gjalla. Ja, akuareli paraqet një pamje nga Shën Naumi, ky manastir nga më të mëdhenjtë e Ballkanit, ku zhvilloheshin panaire dhe rite fetare nga i gjithë rajoni, ku, siç thoshte i ati i Anastasit, këtu shpirti gjente paqe.

Në këtë akuarel ndjehet qëndrimi romantik i autorit. Puna dëshmon për një pikturë tepër profesionale dhe njohje të teknikës. Babai më ka thënë se ushtari italian ishte marrë nga bangat e shkollës ku studionte për pikturë. Ishte një djalosh me shpirt human paqësor që e urrente luftën dhe fashizmin.

Shpesh, Mario, i thoshte babait të Anastasit, se ne italianët nuk jemi për luftë, por vetëm për punë. Kjo pikturë ndoshta nuk ishte e vetmja që Mario ka bërë në Pogradec, ku ishte vendosur reparti ushtarak i italianëve gjatë luftës së dytë botërore. Mario Kasteli, ia dhuroi në shenjë miqësie babait të Anastasit, Gjergjit.

Me kapitullimin e Italisë fashiste, Mario vazhdoi të qëndronte në Pogradec, por vetëm pak ditë pas kapitullimit të fashistëve italianë, në qytetin e Pogradecit hyri Gjermania naziste. Një ditë me mjegull, në qytet, nazistët organizuan një masakër. Popullsia civile, së bashku me ushtarët italianë që strehonte u nisën me vrap nëpër kodrat e qytetit, në drejtim të rrugës së Mokrës. Gjermanët hapën zjarr masiv mbi popullatën e pambrojtur dhe humbën jetën dhjetëra qytetarë. Midis të vrarëve ishte edhe Mario Kasteli. Një plumb e kishte kapur Marion në pjesën e prapme të kokës. Gjergji derdhi lotë të nxeta për mikun nga Italia dhe e ka marrë trupin e pajetë të djaloshit Mario Kasteli për ta varrosur pranë kishës së qytetit të Pogradecit. Anastasi tregon që për të mos harruar dhe për të mos ngatërruar varrin e Mario Kastelit, babai vendosi mbi varr si shenjë dalluese një balestër makine.

Kur erdhi gjenerali italian në Pogradec në vitet `60 për të marrë eshtrat e ushtarëve italianë, i ati i Anstasit, Gjergji, u tregoi atyre varrin e mikut të tij, Mario Kasteli. Ata hapën varrin dhe morën eshtrat e ushtarit italian, piktorit që kishte lënë studimet në mes dhe humbi jetën në mes të ëndrrave të tij rinore.

“Ja kështu ka mbetur ky akuarel i piktorit italian në familjen Kostandini. Për ne është një relike me shumë vlerë, nga një djalosh që donte jetën dhe jo luftën”. -thotë Anastasi .

Historia e 16 robërve italianë në Pogradec

Më 8 shtator, fashistët italianë kapitulluan dhe, si vepër të fundit, atë ditë të kapitullimit, ishte djegia e shtëpisë së shkrimtaritMitrush Kuteli. Shtëpia ende edhe sot qëndron ashtu si 65 vjet më përpara në një nga rrugicat karakteristike të qytetit, kur fashistët italinë e dogjën deri në palcë, aty mbetën vetëm themelet.

Vetëm para një viti, më 13 shtator 2007, aty u vendos guri i themelit nga djali i Kutelit, Pandeli Pasko dhe kryetari i bashkisë, Artan Shkëmbi dhe u premtua se do të kthehet në shtëpi-muze dhe njëherazi do të përfundojë edhe monumenti i Kutelit, i cili do të vendoset pranë atij të Lasgush Poradecit

Por, megjithëse fashistët italianë erdhën si pushtues, pas kapitullimit, tani ata kërkonin mëshirë. Populli i Pogradecit, ashtu si gjithë Shqipëria, i kishte parë avionët e tyre që lëshonin bomba nga qielli, kishte parë edhe topat e artilerisë “Obice 149”, që kishin rrahur brigje dhe kishin shkatërruar edhe shtëpi dhe kishin vrarë njerëz. Populli i Pogradecit i kishte ende të gjalla skenat e luftës së Pojskës, e cila më 16 korrik 1943, kulloi gjak, ku u vra komandanti i batalionit “Mokra”, Reshit Çollaku, me 10 partizanë të tjerë. Megjithatë, pas kapitullimit, me një bujari hyjnore, pogradecarët u afruan atyre shtëpinë dhe ushqimin. Haxhi Lufua nga Velçani, që mori në shtëpinë e tij 16 robër, u tha; “Do të flini këtu ku flenë vëllezërit e mi, do të hani edhe më shumë se ata, do të punoni më pak se unë dhe gjermani mund t’ju vrasë, vetëm pasi të më ketë vrarë mua”.

Një prej këtyre 16 mijë robërve që u mbajtën nga pogradecarët si djemtë e tyre, ndonëse kishin ardhur si pushtues, ishte edhe piktori Mario Kasteli, i cili humbi jetën, por la si kujtim një pikturë që ia fali në shenjë mirënjohjeje familjes pogradecare Kostandini …

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›