Rama: Votat, jo qëllim i turit tonë
Turi i Kryetari Socialist, Edi Rama “Dialog me Shqipërinë”, është ndalur dje në qytetin e Kukësit. Ndalesa e radhës ishte pikërisht në komunën Shishtavec, ku kryetari socialist ka biseduar me banorët e kësaj zone rreth problemit që hasin ata, lidhur me mungesën e tregut për produktet bujqësore të fshatit. Për këtë arsye ai është shprehur se qëllimi i turit të tij “Dialog me Shqipërinë” është ta bëjë politikën pjesë të qytetarëve, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për të ardhmen, duke bashkëpunuar me vetë njerëzit. Gjithashtu, Rama theksoi se turi i tij, më shumë sesa votat, ka për qëllim që të njihet me hallet dhe problemet dhe të mbështesë njerëzit për zgjidhjen e tyre. “Nuk kemi ardhur këtu për t’ju kërkuar apo marrë votat, por jemi këtu për t’ju dëgjuar dhe për të kuptuar më mirë hallet tuaja dhe shpresat tuaja, problemet dhe ëndrrat tuaja, sepse në këtë zonë të thellë, ka shumë probleme, halle, shqetësime të përditshme”, - u shpreh kreu socialist. Më pas turi vazhdoi në një tjetër fshat të Kukësit, pikërisht në fshatin Uninisht. Në fjalën e mbajtur gjatë bashkëbisedimit me banorët e këtij fshati, Rama, sërish theksoi rëndësinë e shkëputjes nga politika e vjetër dhe nevojën e një bashkimi që do t’i shërbejë së ardhmes. “Jam këtu për t’ju thënë se pas kaq vitesh në liri, është koha për të nxjerrë një mësim të madh, se jeta jonë duhet dhe mund të ndryshojë duke lënë pas politikën e vjetër të së shkuarës, të politikanëve që flasin përditë në emrin tonë, që flasin përditë për interesat tona, por që në fakt emrin tonë e përdorin vetëm për interesat e tyre dhe për shkak se interesat tona nuk kanë qenë të tyre, Shqipëria është në këtë gjendje. Le të bëhemi bashkë dhe ta lëmë pas politikën e vjetër të së shkuarës, sepse e ardhmja kërkon prej nesh këtë bashkim, dhe për këtë bashkim unë jam këtu dhe në emër të këtij bashkimi, unë me të gjithë shokët e tjerë, do t’ju dëgjojmë, sepse nuk kemi ardhur për një fjalim dhe të ikim, por të marrim me vete shqetësimet, problemet, dëshirat dhe ëndrrat tuaja, që së bashku nesër t’i bëjmë realitet”, - tha në fund të fjalës së tij Rama.