Historia e një rruge të harruar
Rruga Shkodër-Hani i Hotit, 36 km e gjatë, mund të jetë segmenti i vetëm i një rruge nacionale, që disa dekada më parë është shtruar me metodën e penetrimit dhe vazhdon të jetë akoma edhe sot në një gjendje të mjerueshme. Para rreth 12 vjetësh, qeveria italiane akordoi një shumë prej 22 milionë eurosh për ndërtimin e kësaj rruge, projekti i së cilës tashmë ka përfunduar, por rruga nuk po ndërtohet. Arsyeja kryesore tani janë paratë, sepse shuma e dhënë në fillim është e pamjaftueshme. Me çmimet e reja firmat e ndërtimit kërkojnë edhe 10 milionë euro të tjera.
Nënprefekti i Koplikut doli me një prononcim për media dhe sqaroi se, mungesën e parave do ta kompensonte qeveria shqiptare. Kryeministri Berisha kishte premtuar personalisht, por, që nga ajo kohë, pak gjë është bërë e njohur për publikun. U përhapën fjalë se tani, në prag fushate, Berisha do të vinte vetë në Shkodër dhe do të priste shiritin e fillimit të punimeve. Ai me zonjën Topalli u panë disa herë, në ndonjë qoshe rruge të riveshur të Shkodrës, ku fliste për tredhjen e Ramës apo për pedonalen e përfunduar, por rruga Shkodër-Hani i Hotit, u la në harresë.
Pse nuk bëhet kjo rrugë, kur paratë janë dhënë me kohë?!
Shkaku kryesor tani duket se është rritja e çmimit të saj, nga neglizhenca dhe mosreagimi në kohën e duhur i strukturave tona qeverisëse. Pati edhe hamendësime për ndërhyrje bllokuese nga jashtë, si në kohën kur mossuksesi konsiderohej vepër e armikut të brendshëm dhe të jashtëm. Fqinji ynë jugor supozohet se nuk dëshiron që Shqipëria të lidhet me Evropën nga veriu, por vetëm nga jugu. Rasti i rrugës Durrës-Kukës-Morinë e hedh poshtë këtë argument, pasi reagimi negativ nga fqinji jugor, në këtë rast, kishte gjasa të ishte më i madh.
Një teori tjetër më e besueshme është fakti se investimet e huaja të këtij lloji, i pengojnë titullarët lokalë e qendrorë, se nuk marrin 10% a më shumë të vlerës së investuar (pa TVSH), pasi paratë lëvrohen nga italianët. Të paktën kështu vepronte ish-deputeti Lekë Çukaj në kohën e tij, i cili kishte më shumë dëshirë të merrej me investime publike të brendshme sesa të jashtme. Sipas dëshmive të dhëna nga bashkëpunëtorët e tij, ai parapëlqente pará nga buxheti i shtetit dhe jo nga donacionet e huaja. Në të njëjtën mënyrë duket se veprojnë edhe përfaqësuesit e sotëm të mazhorancës aktuale.
Sido që të jetë, ka shumë mundësi, që arsyeja kryesore e mosbërjes së kësaj rruge të rëndësishme, është pikërisht paaftësia e përfaqësuesve tanë, si në Shkodër, ashtu edhe në Malësinë e Madhe, për të thithur fonde të tilla dhe për ta bërë këtë rrugë në kohën e duhur. Përfaqësuesit tanë, të gjithë të hijezuar nga një zonjë e rëndë, e cila me egoizmin dhe protagonizmin e saj ekstrem, sheh në ëndërr rrugë me 4 apo 6 korsi (në udhëtimet e saj jashtë shteti, me siguri), por nuk e ngre zërin asnjëherë për një aks rrugor të domosdoshëm në domenin e saj, të lënë në harresë, siç është rruga Shkodër-Hani i Hotit. Zonja Topalli kujdeset më shumë për të vënë injorantë të nënshtruar në drejtim, të cilët i vënë kapak mendimit të lirë dhe reagimit kërkues e pozitivist të komunitetit sesa për punë të mira në shërbim të njerëzve.
Rruga për në Shkodër nuk ka gjasa të fillojë as në këtë pranverë, pavarësisht se jemi para fushatës elektorale dhe PD ka nevojë për votat e banorëve të kësaj zone. Duke parë reklamat në TV, si në Orwell ‘84, banorët kujtojnë se u bë nami me investime në rrugën Durrës-Kukës-Morinë apo në rrugët e jugut. Banorët e jugut nga ana tjetër mendojnë se u bë nami me investime në veri. Realisht ka pasur investime. Por mund të ishte bërë më shumë, sidomos në rastin konkret. Qyteti i Shkodrës, i tharë nga mungesa e vazhdueshme e investimeve, ka bërë ndryshime të vogla në fasada, shatërvanë e trotuare etj., domethënëse për një qytet të uritur për investime e vende pune. Demokratët e zonjës Topalli i kanë bërë këto ndryshime, por duhet më shumë se vullneti dhe kontributi i saj për ta ndryshuar Shkodrën.
Në zonën e mbi-Shkodrës, demokratët në pushtet nuk kanë ofruar shumë gjëra, përveç parave që u kanë dhënë pushtetarëve lokalë për ndonjë rrugë lokale me cilësi të dobët, që ata kanë ndërtuar. Ndërtimi i rrugës Shkodër-Hani i Hotit do u jepte atyre shkas për t’u vetë-lavdëruar me të drejtë, përndryshe ata mund të humbin shumë vota nga mosndërtimi i kësaj rruge. Lënia në harresë për vite me radhë e një rruge me rëndësi është tregues domethënës i një komuniteti të harruar.