E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri në përpjekje për të fshehur krizën me atë burrin

Nga Antena brenda familjes

Flamuri nuk i ka punët mirë me atë burrin. Dikush i ka bërë një letër anonime dhe ka shkruar se Flamuri ka abuzuar me fondet e fushatës për NATO-n. E ka paraqitur si shumë të rëndësishme të shtypë nja 200 mijë postera me fjalinë “Shqipëria në NATO” te shtypshkronja e Visit dhe letra e akuzon se vetëm kanë ndarë lekët dhe nuk kanë shtypur as një të dhjetën.

Ai burri ka turfulluar dhe i ka prerë vështrimin. Ka dy ditë që nuk e ka marrë fare në telefon dhe nuk i ka raportuar për asgjë. Kjo e vuri në siklet dhe ka dy ditë që bën sikur është në krye të punës, që mos të kuptohet që i ka prerë vështrimin ai burri.

Dje bënte sikur koordinonte takimet e deputetëve në rrethe. Genc Rulin e nisi në Kurvelesh. E merrte disa herë në telefon dhe i thoshte: “Kam porosi nga ai burri t’i biesh Ramës.”

- Po përse t’i bie Ramës në Kurvelesh? - tha Ruli.

- Për lejet e ndërtimit, - i tha Flamuri.

- Po kush çan kokë këtu për leje ndërtimi, - tha Ruli, - këtu shtëpitë janë njëqindvjeçare, s’ka njeri leje ndërtimi.

- Nuk e di, kështu e kam porosinë nga ai burri, - i tha. -Thuaj që Rama është i korruptuar dhe nuk ka pasur kurrë programe për qeverisje.

- Jo mo, programe ka pasur ai, - tha Ruli, - por nuk i ka zbatuar.

- Unë të them që s’ka pasur, - i tha Flamuri.

- Ka pasur, se ia kam bërë unë nga Instituti, - i tha Ruli, -por të them që s’i ka zbatuar.

- Nejse, thuaje si të duash, mua ma raportoi, siç ta thashë, - i tha Flamuri, - se do t’ia them atij burrit.

Pasi u ndanë, Flamuri mori një militant në telefon nga Tepelena dhe i tha, të më raportosh ç’do thotë Ruli në takim në Kurvelesh. Militanti i dha fjalën se do t’i raportonte.

Të nesërmen militanti e mori në telefon.

- Si kaluat? - i tha Flamuri.

- Po si të them, - i tha militanti, - si gjithmonë. Na kishin pjekur një mish dhe na thanë “ejani për drekë”. Ne shkuam me qejf. Ruli hiqej si njeri popullor.

U ngrit një nga ata pleqtë, po janë shumë të poshtër, se të tallin. E pyeti Rulin: “Merr ndonjë çikë vesh nga mishi i pjekur apo jo?”

- Marr, - i tha Ruli.

- “Kur kuptohet që është pjekur?” - e pyeti plaku. - Mua në fakt më dogji, se e dija që do tallej. Iu afrova Rulit te veshi dhe i thashë: “Kur i pëlcasin sytë”. Ia tha Ruli i shkretë: “Kur i pëlcasin sytë”.

- Epo mirë, - tha plaku, - vazhdoni si e keni nisur, se ne s’na kanë plasur akoma.

Ruli s’kuptoi gjë në fillim, por unë shpejtova t’ia shpjegoja…

- Po as këtë s’paska kuptuar, - tha Flamuri, - kjo është e thjeshtë, domethënë që, derisa t’u plasin sytë, do na votojnë ne…

- Po, po, kështu e kuptoi dhe Ruli, - i tha militanti, - por puna është se ata nuk janë qengja që nuk e dinë kur u pëlcasin sytë, janë të gjallë.

- Nejse, vetë e kanë thënë, - tha Flamuri. - Po për Lul Bashën çfarë thoshin aty në Kurvelesh?

- Aty ka bërë përshtypje të madhe, - tha militanti, - se Lulin e kanë dhëndër në fshat, në Rexhinë. Ai plaku i poshtër, kur u ngrit për një dolli, tha: “Ta ngremë për këtë dhëndrin e Isufajve, se e përcolli dhe një tjetër Xhania.”

- Kush është Xhania? - tha Flamuri.

- Xhania është vjehrra e Lul Bashës, dhe mbesa e Vehbi Alimuçës. D.m.th., e kishte fjalën, siç përcolli Vehbiun, po e përcjell dhe dhëndrin.

- Epo, ai qenka plak i zgjuar, - tha Flamuri. - Kur të vijë Jozefina aty, do ta takosh pak, se ajo ka nevojë për njerëz të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›