E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria premton rihapjen e çështjes “Basha”

Nga Bledar Lumani

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, u shfaq triumfues dje pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të mbyllur çështjen e tij. Ajo çka kishte ndodhur nuk përputhej aspak me filozofinë, me të cilën kishin ardhur në pushtet të djathtët në vitin 2005, por kjo nuk kishte shumë rëndësi. Basha tashmë është i lirë...

Por jo për shumë kohë. Prokuroria ka deklaruar se do të nisë sërish procedurën nga e para, duke pasur parasysh se Kodi i Procedurës Penale ua lejon këtë gjë, nëse ata gjejnë prova të reja, çka duket krejt e mundshme, për shkak se rruga ende nuk ka përfunduar dhe ajo është kthyer në një gropë të zezë.

Megjithatë, Basha duket se i ka bërë planet nën dritën e zhvillimeve politike. Imuniteti atij iu hoq për shkak se mazhoranca kishte deklaruar se ajo kishte vullnetin për të luftuar korrupsionin. Por, sapo iu hoq imuniteti, kryeministri Sali Berisha dhe vetë Basha nisën sulmin ndaj prokurorisë duke e quajtur hetimin politik. Tashmë, nëse prokuroria do të kërkojë të kryejë të tjera veprime ndaj Bashës, ky i fundit ka përgatitur terrenin për të deklaruar se ai është një viktimë politike e prokurorisë dhe, nëse e djathta do jetë sërish në pushtet, nuk do të lejojë që mbrojtja ligjore t’i hiqet. Në rast të kundërt, nëse Basha do të jetë në opozitë, ky prapë do ishte një motiv i mirë për të mobilizuar militantët në mbrojtje të tij si një i persekutuar politik.

E gjithë kjo skemë po funksionon, por duhet thënë se një gjë e tillë po synohet të luhet dhe me dosjen Gërdeci, ku i akuzuar është një tjetër person me imunitet, deputeti republikan, Fatmir Mediu.

Ky i fundit po synon që seancat ndaj tij të shtyhen dhe gjithçka të futet në hullinë e procedurave, duke mundësuar që Mediu të rivishet me imunitet. Më pas, do jetë mazhoranca që nuk do e lejojë atë të zhvishet më. Në rast të kundërt, nëse ai do jetë në opozitë, karta e të persekutuari politik do të luhet fort. Vetë kryeministri, Sali Berisha, po lobon që Mediu të jetë një nga fituesit e listave zgjedhore, duke i dhënë shanset që të jetë në Kuvend.

Në këtë fund mandati, duhet theksuar se mazhoranca nuk përmbushi një nga premtimet kryesore që u pati dhënë shqiptarëve, kur u mori votën. Bëhet fjalë për zhveshjen nga imuniteti. Edhe pse ka votuar për të hequr imunitetin e njerëzve të saj, ajo prapë nuk e ka lejuar drejtësinë të hetojë, duke e veshur me petkun e politikës çështjen.

Tashmë, falë politikës Basha do jetë një njeri që nuk do gjykohet. Ndërsa të tjerë persona që nuk kanë fatin të jenë politikanë, vuajnë pasojat e kësaj drejtësie që nuk njeh standard, e më keq nuk njeh precedentin e vet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›