E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: E vërteta e darkës së Samitit

Nga president.al

Intervistë e presidentit Topi për emisionin “Ora e debatit”, të gazetarit Alfred Peza, në televizionin “Ora News”

Ju, veç të tjerash do të mbaheni mend si Presidenti i Shqipërisë që ishte përfaqësuesi zyrtar në momentin e anëtarësimit në NATO, një nga evenimentet, të quajtura tashmë nga të gjithë, si historike për Shqipërinë. Si e përjetuat? Çfarë do të thotë të ishit në atë pozicion?


Natyrisht, emocion i veçantë, të cilin kurrsesi nuk do ta interpretoja si një shans personal, por si një shans për të gjithë shqiptarët që unë përfaqësoj. Por, për të qenë ekstremisht i sinqertë, njeriu nuk mund t’i ndajë gjërat e mëdha pa emocionet personale. Është një moment historik për Shqipërinë, një moment kur, pas një rrugëtimi shumë të gjatë, pas dilemave të shumta dhe një aspirate të mirëshprehur, nuk ka rëndësi, nëse është shifra 94% apo 96%. Unë mund t’ju them që është rast unikal në vendet e Evropës Lindore, ish-komuniste, që shprehën një dëshirë kaq të zjarrtë dhe të paepur, si ditën e parë kur në Shqipëri triumfoi demokracia, deri në orën e fundit, momentin e anëtarësimit në NATO. Shqiptarët, pavarësisht pozicionimit të tyre politik, të gjithë u sinkronizuan rreth kësaj dëshire, e cila është një dëshirë historike. Dhe kjo është një gjë e madhe, jo thjesht për formatimin në një tryezë të tillë sesa te filozofia e kësaj Aleance që është më e madhja e paqes dhe e sigurisë në botë. Impresionet janë të jashtëzakonshme, sepse, pavarësisht nga përmasat e vendit, jemi midis më të fuqishmëve, për të diskutuar në radhë të parë dhe për të marrë vendime. Dhe filozofia e Aleancës është shumë interesante. Asnjëherë nuk i ka marrë vendimet te mazhoranca e numrave, por të gjitha vendimet janë konsensuale, çka do të thotë që të gjithë janë koshientë rreth përqafimit të kësaj filozofie, që në thelb është një filozofi e mirëndërtuar mbi bazat e forta të qytetërimeve demokratike që kanë këto vende. Kështu që Shqipëria sot është futur në një fazë të re, në një fazë të konsolidimit të të gjitha gjërave që ka arritur, të perfeksionimit të politikave të saj, dhe mbi të gjitha të politikave që do të jenë në funksion të çdo qytetari, pavarësisht se e kemi thënë. Madje, e bukura e kësaj filozofie është të marrësh në konsideratë atë që është ndoshta në terma figurativë më i papërfilluri, te qytetari më i thjeshtë, kudo ku ai jeton.

Dy fjalë që lindin pas kësaj që ndodhi, është nëse na integruan apo u integruam, zoti president?


Kjo natyrisht i ka të dyja pa diskutim, sepse, së pari kemi një pozicion mjaft të favorshëm gjeografik në Adriatik, pikërisht në portat hyrëse të Ballkanit, në një rajon tradicionalisht të trazuar, qoftë nga retorikat politike të pozicioneve nacionaliste, shpeshherë radikale, por edhe në situata të luftërave ndëretnike. Por, nga ana tjetër, ky shans që iu dha Shqipërisë, u kthye në një motiv të thellë për të qenë të angazhuar dhe për të plotësuar çdo lloj detyrimi, çdo lloj angazhimi që ka të bëjë me reformat që kërkohen. Por, padyshim, përtej vendosjes së Shqipërisë në një pozicion të favorshëm, do të thoja që ka pasur një punë titanike nga të gjithë, për të qenë të gatshëm për të arritur ato standarde që të pranohemi. Sado ti të kesh një pozicion të favorshëm gjeostrategjik për t’u bërë pjesë e NATO-s, kurrsesi nuk mund të futesh në NATO, pa realizuar standardet dhe detyrimet. Dhe po të kthehemi në retrospektivën e afërt dhe të mesme të të gjitha proceseve politike që kanë ndodhur në Shqipëri, të reformave, qoftë të karakterit legjislativ, të karakterit politik, administrativ, ekonomik, të sistemit të drejtësisë dhe aq më shumë të një konsensusi të gjerë për çështjet madhore, pjesëmarrja e Shqipërisë në misione të përbashkëta japin të kuptosh se Shqipëria de facto ka qenë pjesë e Aleancës, dhe de jure u realizua pikërisht në takimin e Strasburgut e Këlnit, që nga ana e vet, përtej gëzimit, presupozon një rritje të ndjeshme të përgjegjësive dhe të angazhimit, të përgjegjësive individuale, institucionale dhe të projektimit të këtyre përgjegjësive në të gjithë shoqërinë shqiptare.

Mediet botërore i dhanë një rëndësi shumë të madhe 60-vjetorit të NATO-s dhe gjithashtu, mediet shqiptare është e natyrshme që i dhanë shumë rëndësi dhe tri ditë me radhë janë pasqyruar të gjitha aktivitetet që u zhvilluan në Samit. Ka pasur momente të ndryshme për paraqitjen në televizionin shqiptar, një prej të cilave lidhet me protokollin. A është zbatuar protokolli, sepse ka pasur shumë diskutime për momentin, që ju jeni paraqitur me Zonjën Tuaj në darkën e Samitit, ndërkohë që Kroacia, vend tjetër që u bë anëtar, u paraqit me presidentin dhe kryeministrin?


Unë mund t’ju them që delegacioni ka qenë integral, ka qenë i ndërtuar mbi bazën e një protokolli të shtetit dhe është zbatuar nga të gjithë në mënyrë shumë të disiplinuar. Duhet të dini që protokolli i organizimeve të tilla bëhet pikërisht nga organizatorët dhe kurrsesi nuk mund të ketë hapësirë për keqkuptime. Kemi qenë në harmoni të plotë, sikurse e kërkon rregulli i bashkëpunimit ndërinstitucional, dhe pavarësisht nga komentet që mund të bëhen në media, ju siguroj që delegacioni ka funksionuar në mënyrë shumë serioze, shumë harmonike, gjë që u pa deri në momentin e arritjes në Rinas, të prezantimit dhe të finalizimit të një procesi, i cili ishte sa substancial, aq dhe formal. Në të dyja këto pikëpamje, mendoj që Shqipëria ka bërë një prezantim mjaft dinjitoz, mjaft të bukur, çka demonstron për të gjithë shoqërinë shqiptare, që Shqipëria është një shtet i konsoliduar, mjaft serioz dhe që premton shumë në të gjitha drejtimet.

Pra, ju i mohoni totalisht zërat që flasin për një anashkalim, ose një spostim le të themi, ose një mungesë harmonie të plotë mes jush dhe kryeministrit?


Zoti Peza, unë nuk kontestoj. Unë pohoj dhe ju referojuni pohimit tim që delegacioni ka qenë perfekt, harmonik, në të gjitha prezantimet e tij.

Si President i Republikës, por dhe si një njëri politik, i angazhuar prej vitesh në këtë fushë, a ndjeni ju një lloj përpjekjeje të njërit apo tjetrit krah, të njërit apo tjetrit faktor për ta privatizuar, le të themi, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për të marrë më shumë ‘aksione’, siç mund të thuhet në disa raste.


Unë nuk do të dëshiroja të futesha në analizën e mënyrës së sjelljes, sepse, si President i Republikës, më intereson pikërisht ajo që thashë. Dëshiroj që ky mesazh të merret si i tillë nga të gjithë. Ky është zëri i Presidentit të Republikës. Pastaj, çdo formacion politik ka të drejtë të bëjë bilancin e vet. Në mënyrë absolute të prezantohet me performancën e vet dhe është e drejtë e cilitdo. E rëndësishme është që Presidenti i Republikës flet me mesazhin që ka të bëjë me interesin e të gjithë shoqërisë, e të gjitha institucioneve. Në një vend demokratik, institucionet janë më të rëndësishme dhe pavarësisht nga performanca apo rotacioni politik, është e rëndësishme që pushteti të përdoret për të forcuar shtetin dhe në këtë sens, cilido pushtet, jam i bindur që e ka këtë lloj pozicionimi, që të punojë sa më shumë, që të forcojë imazhin e shtetit. Dhe në rastin konkret, imazhi i shtetit, pas anëtarësimit në NATO, është një imazh më i fortë, një imazh do të thoja më premtues për një të ardhme, e cila do të shërbejë edhe për integrimin në Bashkimin Evropian.

Do të doja shumë të flisnim në këtë intervistë edhe për pjesën e politikës së brendshme. Ka pasur spekulime të shumta në media rreth raporteve tuaja me kryeministrin, liderin e mazhorancës. Si janë marrëdhëniet tuaja në fakt, duke dashur ta dëgjojmë nga goja juaj?


Unë e kam thënë dhe herë tjetër që marrëdhëniet janë shumë institucionale dhe në këtë plan janë mjaft marrëdhënie korrekte. Dua ta përkufizoj këtu dhe besoj me kaq të gjithë ata që dëshirojnë të marrin informacion, le ta marrin atë.

Përveç atij takimi publik në Samitin e NATO-s, kur ka qenë hera e fundit që ju e keni takuar kryeministrin Berisha në rrugë institucionale?


Unë nuk mundem tani të rikthehem në referenca ekzakte, por ne kemi pasur raste të takohemi dhe përderisa ju thashë që kemi marrëdhënie korrekte institucionale, pavarësisht ku janë bërë takimet dhe si janë zhvilluar, besoj që nuk ka vend për të fiksuar takimet dhe kohën e tyre.


Pra, është një rutinë dhe ju nuk keni pse t’i fiksoni?


Ashtu është!


Por, nga ana tjetër mediet, por dhe ambientet politike flasin dhe për një marrëdhënie të tendosur tuajën me kryetaren e parlamentit, zonjën Topalli. Si janë marrëdhëniet?


Unë ju siguroj që jam shumë korrekt në këto marrëdhënie dhe ky pozicion më shumë se çdo institucion tjetër të imponon që të kesh marrëdhënie shumë korrekte institucionale. Unë i qëndroj këtij pozicioni shumë korrekt dhe tentoj që çdo ditë të përsos marrëdhëniet ndërinstitucionale.


Po marrëdhëniet me liderin e partisë më të madhe të opozitës, zotin Edi Rama, si janë?


Besoj që kanë qenë marrëdhënie korrekte, gjithashtu të karakterit institucional.


Gazeta “55”, një gazetë pranë kryeministrit Berisha, ka shkruar disa javë më parë për një takim të mundshëm tuajin me zotin Edi Rama në vilën e Pezës. Ka një të vërtetë në këtë njoftim?


Jo, absolutisht!

Ju keni bërë ndonjë sqarim zyrtar si institucion i Presidentit?


Ka pasur një sqarim të ekipit të zyrës së Presidentit. Natyrisht që nuk jam unë që merrem me këtë pjesë. Unë vetëm mund të pyetem rreth versionit, dhe presidenti mund të jetë shumë lakonik për të thënë ‘po’, ose ‘jo’. Presidenti duhet të besohet. Ndryshe, në rast presidenti nuk konfirmon një gjë që është reale, atëherë nuk ka shanse të jetë më president. Kështu që mjafton të thotë një ‘po’, ose ‘jo’ dhe atëherë besoj që çdo lloj thashethemnaje duhet të rrëzohet menjëherë poshtë.


Pra, në këtë rast përgjigjja juaj ka qenë ‘jo’?


Jo! Në mënyrë absolute jo. Nuk ka pasur asnjë lloj takimi. Të jeni i sigurt zoti Peza, që unë takohem në mënyrë konfidenciale në shtëpinë time, vetëm me miqtë e familjes. Çdo njeri duhet të dijë të ndajë jetën e institucionit me jetën familjare dhe jetën e tij personale. Ndërsa, të gjitha takimet zyrtare jam munduar që t’i bëj shumë transparente dhe në faqen e internetit të Presidencës, jo vetëm që bëhen prezent të gjitha takimet, por shoqërohen dhe me fotografi.


Zoti Topi, një pyetje tjetër që lidhet në njëfarë mënyre me drejtësinë për raportet tuaja me prokurorinë në përgjithësi dhe me Prokurorinë e Përgjithshme në veçanti. Ka pasur gjithmonë akuza politike të ardhura kryesisht nga mazhoranca, një prej të cilave lidhet me kryeministrin e vendit, që ka thënë që po e përdorni prokurorinë si një parti politike. Ju keni dhënë një përgjigje për këtë?


Nuk kam dëgjuar që të ketë një vlerësim të drejtpërdrejtë. Ndoshta një analizë mund të aludohet. Unë ju siguroj që qoftë në natyrën time, qoftë të Institucionit, deklaratat publike kanë qenë mjaft lakonike, por shumë të qarta, që interesi më i madh i institucionit të Presidentit, është rritja e autonomisë, brenda raporteve ligjore të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe absolutisht nuk ka pasur raporte të tjera. Do të vazhdoj të prononcohem në funksion të plotësimit të këtyre institucioneve, të punës që duhet të bëjnë prokurorët, Prokuroria e Përgjithshme dhe prokurorët e thjeshtë në funksion të realizimit të drejtësisë, të cilën ne e dëshirojmë të gjithë. Nuk mendoj që mund të ketë aludime rreth këtyre raporteve, sepse më shumë se çdo institucion tjetër, institucioni i Presidentit është shumë i monitoruar.


Ju, pra, nuk keni tentuar as direkt dhe as indirekt të influenconi në linjë institucionale ose jo, hetimin e çështjeve të tilla, në të cilat preket mazhoranca, siç është rruga Durrës-Kukës, çështja Fazlliç apo çështja e Gërdecit?


Me gjithë respektin që kam, kur tentoni të ribëni pyetje në të njëjtin sens, bëni një gabim, sepse gjërat janë më se të qarta. Mund t’ju siguroj se nuk ka pasur absolutisht asnjë lloj tendence. E rëndësishme është që drejtësia të lejohet që të punojë, por nga ana tjetër dhe vetë drejtësia duhet të punojë, detyrat janë të qarta, e përsëris, të forcojë integritetin moral dhe nga ana tjetër të rrisë profesionalizmin. Gjithçka tjetër duhet të bëhet brenda kornizave ligjore dhe eksperienca ka treguar dhe do të tregojë që ky institucion asnjëherë nuk do të interferojë në asnjë lloj çështjeje.


Këto janë çështje të vetme, të cilat ju i diskutoni me Prokuroren e Përgjithshme, zonjën Ina Rama?


Raportet midis institucioneve janë mjaft të përcaktuara në linjat e funksionimit ligjor. Përtej formatit ligjor, Presidenti, qoftë me Kryeprokuroren, qoftë me përfaqësues të ndonjë institucioni tjetër nuk mund të bëjë asnjë bisedë tjetër. Në zyrë dhe jashtë zyre, në pozicionin tim jam jashtëzakonisht institucional dhe absolutisht nuk merrem me probleme të tjera, që nuk më takojnë mua të merrem.


Gjatë javëve të fundit, por edhe ditëve të Samitit të NATO-s, ju keni prekur një çështje, e cila është ndoshta ngjarja më e rëndësishme politike e këtij viti që janë zgjedhjet e 28 qershorit. Çfarë meraku keni për këto zgjedhje?


Merakun që kanë të gjithë, që këto zgjedhje të zhvillohen në një atmosferë të qetë, këto zgjedhje të jenë të lira, në atë përcaktimin e famshëm zgjedhje të lira, të drejta, demokratike, të mos kontestohen, çka presupozon që të gjithë duhet të angazhohen që këto zgjedhje të shkojnë realisht në këtë linjë. E kam thënë dhe e ripërsëris që kjo është prova e parë, më e madhja pas momentit të anëtarësimit. Por nga ana tjetër, këto zgjedhje do të projektojnë patjetër një perspektivë të konsolidimit të mëtejshëm të institucioneve dhe të marrjes së një krediti të fortë dhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Mendoj që deri tani të gjitha palët që janë të angazhuara qoftë politikisht, qoftë nga pikëpamja institucionale, askush nuk është prononcuar ndryshe nga ky prononcim i imi, por shpresoj që gjërat në terren të jenë të tilla që këto zgjedhje vërtet të mos kenë asnjë lloj mangësie nga pikëpamja infrastrukturore, gjithçka të realizohet në kohë, pastaj është në opsionin e partive politike që të bëjnë një prezantim dinjitoz dhe vizionar të programeve të tyre dhe tek e fundit ta konsiderojnë ditën e zgjedhjeve jo një ditë beteje, por, sikurse e thamë një ditë normale feste në një vend demokratik, sepse edhe shembujt rajonalë janë të tillë që edhe zgjedhjet që u realizuan në vendet fqinjë kanë qenë të tilla, që kanë marrë një notë pozitive nga faktorët ndërkombëtarë.


Çfarë i rrezikon le të themi potencialisht, në realitet, pra në terren zgjedhjet dhe kush është mesazhi juaj për klasën politike?


Unë nuk mund të hyj në analizën se çfarë i rrezikon, sepse zgjedhjet rrezikohen gjithmonë nga shmangia e detyrimit ligjor dhe çdo njeri dhe çdo institucion e ka të qartë se cili është detyrimi ligjor për zgjedhjet. Por, mesazhi im është shumë i qartë. Besoj se Shqipëria dhe shoqëria shqiptare ka ardhur në një moment historik. Pra, sot është aleat i vendeve më të rëndësishme të botës demokratike dhe duhet ta konsiderojë ditën e zgjedhjeve në mënyrë të tillë që duhet të marrin pjesë sa më shumë në votime. Së dyti, duhet patjetër që deri në momentin e zgjedhjeve të aplikojnë me urgjencë për kartat e identitetit, ata që nuk i kanë dhe, e treta, që ka të bëjë me vullnetin e tyre, që të dëshmojnë që dinë të votojnë si qytetarë të lirë të një bote të lirë dhe më e rëndësishmja pastaj është administrimi i procesit zgjedhor dhe administrimi i të gjitha përgjegjësive, që vijnë nga ky proces zgjedhor kaq i rëndësishëm sikurse janë zgjedhjet politike në vend.

Marrë me shkurtime

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›