Kriza, FMN thellon skepticizmin ndaj qeverisë, do të administrojë vetë paratë që do japë
Qeveria shqiptare nuk do të marrë pará si mbështetje buxhetore nga fondet e krizës që do të japë Fondi Monetar Ndërkombëtar për vendet e varfra dhe Bashkimi Evropian për vendet e Evropës Lindore. Zyrtarë të Ministrisë Financave thanë dje se paratë që mund të marrë vendi do të jenë të përcaktuara se në cilin zë shpenzimesh do të shkojnë dhe nuk do të jenë mbështetje buxhetore. Qeveria shqiptare nuk do të ketë asnjë mundësi t’i përdorë ato pará, sipas asaj që mendon. Paratë që mund të marrë vendi ynë do të jenë në sasi të vogël dhe kryesisht do të shkojnë për projekte asistence, thanë zyrtarë të Ministrisë së Financave. Shqipëria është duke u parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si një vend, ku ekonomia ka hyrë në krizë dhe kjo ka bërë që vëmendja e tyre të kthehet përsëri te shqetësimet e lidhura me keqpërdorim e shpenzimeve dhe rritjen e borxhit. Paratë që do të marrë vendi ynë nga të dyja burimet e pritshme, Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, do të largojnë qeverinë nga administrimi i këtyre parave. Ky është një kusht që e ka vendi ynë në rastin e tanishëm, sidomos duke qenë edhe një vit elektoral, ndonëse të njëjtën gjë Fondi Monetar Ndërkombëtar do të bëjë edhe me shumë vende të tjera. Programet e asistencës që do të financojnë paratë e ardhura për krizën do të kenë të bëjnë kryesisht me projekte në arsim, në shëndetësi dhe në trajnime. Zyrtarë të Ministrisë së Financave thanë se megjithatë qeveria nuk ndjehej entuziaste për këto pará pasi ato nuk pritet të jenë në vlera shumë të mëdha, ndonëse qeveria prej më se dy javësh ka kërkuar të jetë pjesë e përfitimeve për shkak të krizës. Ndaj qeverisë shqiptare Fondi Monetar Ndërkombëtar është shumë skeptik dhe ky skepticizëm ka ardhur në rritje për shkak të programimit të shpenzimeve në shumë zëra për qëllime elektorale dhe për shkak të rritjes së borxhit publik. Në shumë raste më herët financimet e huaja në kuadër të programeve të ndryshme kanë qenë me destinacion të përcaktuar nga institucionet që i japin ato, por edhe shumë financime të tjera kanë qenë me destinacion, të cilin mund ta zgjidhte qeveria shqiptare. Tashmë, është bërë e qartë se paratë që vendi do të marrë për shkak të krizës (sado të vogla), do të jenë plotësisht të përcaktuara.