Re të zeza mbi Shqipërinë
Në qendër të Tiranës u dyndën të dielën që shkoi mijëra njerëz për “Festën e Lirisë”. Një koncert me muzikë pop, i organizuar nga qeveria, një turmë e entuziazmuar me flamuj, kapele dhe bluza me mbishkrimin NATO, dhe në fund një spektakël pompoz me fishekzjarrë.
Ndërsa në mbarë botën, sigurisht dhe në shumicën e vendeve të Evropës Lindore dhe Jugore, tema kryesore që dominon aktualitetin e ditës është kriza ekonomike, Shqipëria këto ditë njeh vetëm një temë: hyrja e vendit në NATO.
Por, pas fasadës së momentit historik, me hyrjen në NATO po bëhet intensivisht politikë dite.
Më 28 qershor do të mbahen zgjedhjet parlamentare, dhe kryeministri, Sali Berisha, nuk lë rast pa shfrytëzuar që ta paraqesë hyrjen në NATO si triumf të politikës së tij.
Që në fillim të vitit, ai nisi një turne në të gjithë vendin me titull “Shqipëria në NATO”. Prej javësh në të gjitha stacionet më të mëdha televizive transmetohen spote (!) për anëtarësimin në NATO. Berisha në SHBA, në Bruksel, ministri shqiptar si partner i Perëndimit: Ajo çka transmetohet në çdo shtëpi, duke u shpenzuar pará taksapaguesish, nuk është informacion mbipartiak, por reklamë zgjedhore për qeverinë. Kështu funksionoi dhe me koncertin e madh në qendër të Tiranës, ku kryeministri e përdori ngjarjen për t’u përshëndetur nga masat.
***
Berisha ia ndjen nevojën frymës që sjell nga pas anëtarësimi në NATO. Megjithëse ai nuk është lodhur duke thënë se Shqipëria nuk është prekur nga kriza globale, mbi shtetin ballkanik po mblidhen re të zeza.
Shqipëria përjetoi një bum ekonomik me një rritje prej pesë për qind, bilanci i tregtisë me jashtë megjithatë tregon për një deficit të madh. Kursi i këmbimit të valutës vendase pësoi ulje të ndjeshme, ndërsa që në vjeshtë qeveria ka bërë të ditur se do të rrisë pensionet dhe rrogat, një veprim që prej ekonomistëve kritikohet si i papërgjegjshëm.
Në krahasim me Ukrainën dhe me Serbinë, Shqipëria është ende mirë. Por edhe nëse këtu rritja ekonomike do të thyhej, vendi mund të rrëshqasë në një krizë dëshpëruese.
* Martin Prochazka është një analist politik për Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë