E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e një shkrimi të paralajmëruar

Zhurma e shkrimit të botuar dje në "New York Times" kishte më shumë se një javë që kishte plasur në vend, përpara se ai të botohej. Gjatë një interviste për "Shqip" këtë e bëri të ditur publikisht gazetari i njohur Mero Baze, nga Kryeministri Berisha në Parlament, por edhe drejtuesit e opozitës. Në intervistën e tij për "Shqip", Baze thekson se "duke gërmuar më doli përpara një histori e tërë tipike mafioze, të cilën isha bërë gati ta bëja publike pa ditur se do të ndodhte shpërthimi. Për të qenë i sinqertë, unë do të fokusohesha te historia e korrupsionit dhe jo te rreziku civil që ajo përbënte, se për të nuk isha vetë aq i ndërgjegjshëm. Madje jo vetëm unë, por dhe një koleg gazetar i gazetës "New York Times", me të cilin konsultova disa prej fakteve që kisha grumbulluar lidhur me kompaninë amerikane, nuk kishte parandjenjën se aty do të ndodhte ndonjë tragjedi siç ndodhi, por kishte thjesht idenë se kishim të bënim me një trafik të pastër në industrinë ushtarake të mbështetur nga ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu". Pas kësaj interviste, reaguan ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe Kryeministri Berisha, të cilët hodhën poshtë akuzat që u thanë se do të botohen në gazetën prestigjioze amerikane. Madje Kryeministri theksoi se i kishte dërguar një letër "New York Times"-it, ku theksonte se akuzat e bëra ndaj tij janë të pavërteta mbi përfshirjen e djalit të Berishës në aferën e kontratave të municioneve. Kryeministri u deklaroi deputetëve të Berishës se artikulli nuk ka për t‘u botuar. Menjëherë pas kësaj zhurme, disa media publikuan transkritimin e një bisede telefonike të përgjuar mes presidentit të AEY Efraim Diveroli dhe biznesmenit shqiptar, Kosta Trebicka, në të cilën bëhej fjalë për përfshirjen e ish-ministrit Mediu, djalit të Kryeministrit dhe ish-drejtorit të MEICO-s në afera korruptive në kontratat e shitjes së municioneve. Por këto akuza u kundërshtuan ashpër nga Berisha dhe Mediu, të cilët kishin një shpresë se shkrimi në "New York Times" nuk do të botohej. Por kjo shpresë u shkri dje në mëngjes, kur prestigjiozja "New York Times" dhe suplementi i saj evropian "International Herald Tribune" hapën faqen e para me skandalin e municioneve kineze, të shitura në SHBA, municione të cilat paskan qenë edhe në fshatin pranë Vorës më 15 mars, duke shkaktuar katastrofën e tmerrshme të Gërdecit...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›