E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë dhe të vegjlit, spektatorë në TKOB

Projekti
“Arrëthyesi” çel shfaqjet koncertore dhe skenike për publikun e ri

Në kuadër të projektit “Opera për të rinjtë dhe të vegjlit 2010”, skena e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit i përket një kategorie tjetër spektatorësh, ndryshe nga ata që jemi mësuar të shikojmë zakonisht aty. Falë një bashkëpunimi mes TKOB-së, Drejtorisë së Arsimit, nën patronazhin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke filluar prej datës 16 janar në këtë skenë do të paraqiten për publikun e ri, një paketë shfaqjesh koncertore dhe skenike të gjinive të ndryshme. Realizuar për nxënës shkollash projekti “Opera për të rinjtë dhe të vegjlit” vjen me qëllim edukimin e shijeve të shëndetshme artistike e muzikore, afrimin e publikut të ri përmes shfaqjeve tërheqëse për moshat e tyre, rritjen e nivelit të njohurive muzikore që ata kanë marrë, ngjalljen e ndjenjave të kënaqësisë përmes vlerave të artit botëror dhe atij kombëtar, si dhe njohjen nga afër me artistët më të shquar të skenës kryesore artistike të vendit. Kështu do të nis këtë projekt në datat 16 dhe 17 baleti “Arrëthyesi”, i cili vjen në koreografinë e Ilir Kërnit. Pas kësaj për më të vegjlit, në datën 19 janar, vjen një propozim i dansit alternativ të titulluar “Një ndodhi në pyll”. Do të jenë më pas artistët e ansamblit popullor dhe folkloristët e vegjël, të cilët do të vijnë në datën 20 me një shfaqje të titulluar “Gjerdani i perlave popullore”. Shfaqja e fundit e projektit “Opera për të rinjtë dhe të vegjlit” do të jetë “Tirana by night” novelë koreografike rinore, e cila do të ngjitet në skenë për të rinjtë më datë 22 janar.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›