E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një tjetër fond për restaurimin e objekteve të kultit

Nisma
Platforma për turizmin fetar përfshin objektet e trashëgimisë kulturore

Gjatë gjysmës së dytë  të vitit 2010, qeveria do të japë një fond tjetër për restaurimin e objekteve të kultit, pjesë e trashëgimisë kulturore. Kështu ka deklaruar dje Ferdinand Xhaferri, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, gjatë një veprimtare të zhvilluar prej Komitetit Shtetëror të Kulteve. Gjatë këtij takimi, ministri kërkoi bashkëpunimin e komitetit në lidhje me 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, ngjarje e cila sipas ministrit i kalon kufijtë e fesë. Ndërkaq, Komiteti Shtetëror për Kultet vazhdon të jetë i angazhuar për hartimin e platformës së turizmit fetar dhe në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës ka hartuar listën me objektet fetare që përbëjnë trashëgimi kulturore.
Gjatë këtij takimi, ministri Xhaferri ndër të tjera iu drejtua pjesëmarrësve duke thënë se ata kontribuojnë për tolerancë dhe harmoni fetare e cila është një nga vlerat e popullit shqiptar, të cilat tregojnë emancipim dhe nivel kulturor. Gjatë takimit, kryetari i komitetit të kulteve, Rasim Hasanaj, e vlerësoi vitin që lamë pas si një vit të suksesshëm. Sipas tij, duhet një bashkëpunim më i madh nga ana e shtetit për ruajtjen e ekuilibrave mes besimeve fetare. Ai tha se Komiteti Shtetëror i Kulteve është në përfundim të një projektligji ku përfshihen dhe besimet e tjera fetare. Ky projektligj është çuar edhe në Komitetin e Venecias për përmirësim.
Por sipas Hasanajt, problem mbetet regjistrimi i disa besimeve si OJF, gjë të cilën pritet ta përmirësojë projektligji në fjalë. Bëhet e ditur se qeveria shqiptare për vitin 2010 ka vënë në dispozicion 100 milionë lekë nga buxheti për financimin e bashkësive fetare. Ndërsa për sa i përket situatës së krijuar në zonën veriperëndimore të vendit për shkak të prurjeve të mëdha të ujërave, MTKRS ka ngritur një grup pune i cili po monitoron në mënyrë të vazhdueshme situatën edhe për të ruajtur e mbrojtur monumentet e trashëgimisë kulturore.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›