Gjurmëve të paraardhësve

Shoqata Kulturore italo-shqiptare Vatra e Torinos organizon ditën e shtunë, me datë 16 janar, në Circolo dei Lettori në Palazzo Granieri della Roccia, në Torino, konferencën arkeologjike 'Alla scoperta dell'antica Illiria' ('Në gjurmët e Ilirisë së lashtë').
Kjo konferencë arkeologjike është konceptuar si një udhëtim i ilustruar arkeologjik nëpër
tokën shqiptare, gjatë të cilit pjesëmarrësit do të njihen me qendrat kryesore të zbuluara të Ilirisë, si edhe me pasuritë që ato përmbajnë.
I ftuari kryesor i takimit është eksperti i shquar i kësaj fushe, arkeologu i mirënjohur shqiptar, profesor Neritan Ceka, i cili është anëtar i Këshillit Shkencor në Institutin e
Arkeologjisë në Tiranë, anëtar i Institutit të Arkeologjisë në Berlin dhe i Institutit Koldeway Gesellschaft në Gjermani. Që nga viti 1991, Ceka gjithashtu është zgjedhur disa herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Në takim do të marrin pjesë gjithashtu edhe Sandro Caranzano (arkeolog), Chiara de Filippis (historiane dhe profesoreshë e Universitetit të Torinos) dhe Benko Gjata (gazetar, korrespondent i akredituar i ATSH-së në Itali).
Kjo veprimtari zhvillohet në kuadër të projektit 'Festivali i kulturës shqiptare' i ideuar nga shoqata Vatra dhe i realizuar me mbështetjen e rajonit të Piemontit, projekti parashikon zhvillimin e veprimtarive që synojnë promovimin dhe vlerësimin e pasurisë historike, artistike, kulturore dhe letrare të popullit shqiptar.
Takimi është realizuar me bashkëpunimin e F.I.A.P., Federata e shoqatave shqiptare, italo-shqiptare dhe arbëreshe të Piemontit dhe të Zyrës së përfaqësimit të dhomës së tregtisë dhe industrisë së Tiranës në Torino.
Vatra është themeluar në Torino në vitin 2002 me nismën e një grupi qytetarësh shqiptarë dhe italianë. Ajo zhvillon veprimtari të cilat kanë për qëllim integrimin sa më të mirë e më të shpejtë të qytetarëve shqiptarë në shoqërinë italiane, duke vlerësuar njëkohësisht
identitetin kulturor të bashkësisë.
Falë veprimtarisë së saj të dendur kulturore dhe institucionale, Torino është shndërruar këto vitet e fundit në një nga qendrat më mikpritëse ndaj artit dhe kulturës shqiptare në Europë.