E Diel, 1 Nëntor 2026

Historia e shtetit shqiptar, në librin "Shqipëria Politike 1912-1939"

Sapo ka dalë nga shtypi dhe është hedhur në qarkullim një libër i ri nga akademiku Arben Puto "Shqipëria Politike 1912 -1939". Autor i njohur i veprave me karakter historik, analitik e diplomatik, pas 6 viteve pune intensive ai ka sjellë për lexuesin shqiptar historinë e krijimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, që nga Ismail Qemali e deri në fundin e Mbretërisë së Zogut me pushtimin fashist të vendit në prill të vitit 1939. Kjo është historia e periudhës vendimtare të Pavarësisë, lindjes dhe ndërtimit të shtetit kombëtar shqiptar. Është hartuar mbi një bazë të gjerë punimesh, arkivave të brendshme dhe të jashtme, të plotësuar me burime bibliografike dhe dokumentare. Në rrethanat e reja të lirisë së krijimtarisë, autori u përmbahet rigorozisht burimeve dhe jep gjykimet e tij për faktet dhe ngjarjet, i çliruar nga çdo ndërhyrje jashtëshkencore i ndarë nga çdo version zyrtar. Ideja kryesore që e përshkon gjithë veprën është se Pavarësia dhe krijimi i shtetit shqiptar janë produkt i lëvizjes kombëtare shqiptare. Pa mohuar rolin e faktorit ndërkombëtar, kryesisht imperialist, kundërshtohen tezat e vjetra e të reja që e quajnë Shqipërinë e pavarur krijesë të diplomacisë së Fuqive të Mëdha. Libri u jep përgjigje problemeve të shumëllojshme që dalin në jetën e brendshme të vendit e në procesin e dyanshëm të arritjeve të rëndësishme dhe të kufizimeve të regjimit represiv.
Në politikën e jashtme nuk gjendet alternativë kundrejt marrëdhënieve gjithnjë e më të shpeshta me Italinë që e ktheu Shqipërinë në një sferë ekskluzive të interesave të saj.
Agresioni i prillit 1939 është përfundimi logjik. Në kohën kur bëhet një zhurmë e madhe, shpesh abuzive dhe për qëllime politike për rishikimin e Historisë së Shqipërisë dhe të kaluarës së popullit shqiptar, libri i prof, Putos është një kontribut dhe shembull se si duhet parë Historia e Popullit Shqiptar nën dritën e të dhënave dhe dokumenteve të reja, të panjohura më parë për arsyet nga më të ndryshme, dhe përse duhet vlerësuar fjala dhe vepra e studiuesve të fushës, shkencëtarëve të historisë për të arritur në përfundime e konsiderata sa më të drejta për të kaluarën. Ndërkohë që sot Instituti i Librit dhe i Promocionit Toena në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave organizojnë paraqitjen e librit "Shqipëria politike 1912-1939" të Akademikut Arben Puto, në sallën e Akademisë së Shkencave. Arben Puto ka lindur në Gjirokastër në vitin 1924. Nxënës i Liceut francez të Korçës (1935-1939), Liceut francez dhe Liceut klasik në Romë (1940-1942). Mori pjesë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, fillimisht në Gjirokastër dhe prej vitit 1943 në Tiranë. Arsimin e ndërprerë e përfundoi pas Çlirimit në Gjimnazin e Tiranës më 1946. Po atë vit shkoi në Moskë ku ndoqi dhe mbaroi Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Moskës, dega e së Drejtës Ndërkombëtare Publike më 195. Me hapjen e Universitetit të Tiranës më 1957 ka punuar si pedagog dhe punonjës shkencor në Fakultetin Juridik derisa doli në pension më 1990. Është autor i një numri veprash në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare dhe Historisë së Diplomacisë. Në dhjetor 1990 u angazhua në veprimtari shoqërore duke u vënë në krye të organizatës së parë joqeveritare Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, më vonë Komiteti Shqiptar i Helsinkit (1990-2000).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›