Gjiknuri: Aderimi në NATO, Shqipëria e pamundur të realizojë zgjedhje të lira
Partia Socialiste ka dhënë alarmin se mos pajisja e të gjithë shtetasve me letërnjoftime po i çon zgjedhjet parlamentare në rrezik tepër serioz. Nënsekretari për Çështjet Ligjore në PS, Damian Gjiknuri deklaroi se zgjedhjet e lira janë në rrezik, për shkak të indiferencës së qeverisë ndaj problemit real të pajisjes së shtetasve me letërnjoftimet e reja.
Ai nënvizoi se kanë mbetur më pak se tre muaj nga zgjedhjet, dhe akoma një e pesta e votuesve shqiptar nuk mund të ushtrojnë të drejtën e votës. Gjiknuri tha se një vend anëtar i NATO-s, po privohet nga zgjedhjet në një të pestën e votuesve të tij, për shkak të pamundësisë ekonomike të tyre. Ai theksoi se një qeveri e një vendi anëtar të NATO-s, në vend të zgjidhjes së një problemi që e ka krijuar vetë, lëshon demagogjinë e radhës se do rimbursojmë tarifat disa kategorive të popullatës, ndërkohë që këta shtetas nuk kanë asnjë mundësi ekonomike të paguajnë tarifën fillestare. NATO, si një organizatë e sigurisë kolektive që ngrihet në themele të shëndosha demokratike, nuk mund pranojë si të barabartë një qeveri, e cila dështon në angazhimin më themelor të saj, përgatitjen e zgjedhjeve të lira, u shpreh Gjiknuri. Lidhur me propozimin e bërë nga opozita për kartat falas për kategorinë në nevojë, Gjiknuri tha se kokëfortësia e qeverisë ndaj çdo propozimi të arsyeshëm për qasjen ndaj problemit, e bën atë plotësisht fajtore për delegjitimin e zgjedhjeve në vendim më të ri anëtar të NATO-s.