Konferenca/Pakica katolike në Evropën Juglindore kërkon njohjen e të drejtave
“Njëzet vjet pas rënies së regjimeve totalitare në vendet e Evropës Juglindore e pavarësisht nga vendosja e demokracisë, mbetet shumë për të bërë në fushën e njohjes së të drejtave të pakicave fetare”. Kështu shkruhet në dokumentin përfundimtar të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, i cili pasqyron rezultatet e takimit të kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës Juglindore në Kishinau të Moldavisë. Mbledhja filloi më 25 shkurt dhe përfundoi të dielën, më 28 shkurt. Në komunikatë thuhet se problemi kryesor i Kishave në këto vende është kthimi ose kompensimi i pronave të sekuestruara nga komunizmi. Shqipërinë në konferencë e përfaqësoi ipeshkvi i Sapës, imzot Lucian Avgustinit, në vend të imzot Rrok Mirditës, që nuk mundi të shkojë.
Falenderimi i të krishterëve irakianë pas thirrjes së Benediktit XVI/Në Irakun, që po përgatitet për zgjedhjet politike të së dielës së ardhshme, vazhdon të ketë jehonë thirrja e Papës Benedikti XVI në favor të të krishterëve të vendit, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot. Fjalët e Papës - “mos u lodhni së qeni tharm i së mirës për atdheun, të cilit i përkisni prej shekujsh” – ua mbushën zemrat të krishterëve irakianë, duke u dhënë guxim e hov të ri. Kështu pohon në mikrofonin e Radio Vatikanit, prokuratori i Kishës së kaldejve pranë Selisë së Shenjtë, imzot Filip Naxhim: “është një mesazh i Papës për të gjithë të krishterët e Irakut e mund ta ndajmë në dy pjesë. Në pjesën e parë, ai na bën thirrje të gjithë ne të krishterëve për të dhënë akoma dëshminë e fesë e për të mos u lodhur së qeni të krishterë, për të mbajtur kryqin që na takon e për ta jetuar Ungjillin. Pjesa e dytë i kujton secilit prej nesh se jemi qytetarë me të drejta të plota e se ky është atdheu ynë. Prandaj, përmes fesë, duhet të kontribuojmë në ndërtimin e këtij atdheu, sëbashku me vëllezërit tanë myslimanë. Që prej shekujsh, ne jetojmë në tolerancë e miqësi të plotë, jemi irakianë, duhet të përpiqemi të mbetemi në Irak, duhet t’i japim shtetit forcën tonë dhe të kontribuojmë në arritjen e sigurisë e në ndërtimin e së ardhmes së vendit”. Duke komentuar një parullë në shesh, ku thuhej: “Nuk durojmë më!” dhe që u referohej viktimave të Mosulit, ai thotë: “Me të vërtetë, populli është i lodhur nga këto diskriminime e persekutime: jemi njerëz! Tashmë, nuk shohim më rrugëdalje! Ne shpresojmë që paqja të mbretërojë një ditë, pasi vërtet është dhuratë e çmuar sot për sot, të jetojmë në paqe, të rilindim e të rindërtojmë Irakun e ri! Jemi të lodhur, sepse bashkësia ndërkombëtare na ka harruar e nuk ndërhyn për t’i dhënë fund këtij diskriminimi e persekutimi kundër pakicave të krishtera në të gjithë Lindjen e Mesme”.
Në Universitetin Papnor Gregorian, ditë studimi për atë Mateo Riçin, jezuit, ungjillëzues i Kinës/Ditë studimi sot, në Universitetin Gregorian të Romës, kushtuar jezuitit që u bë kinez ndër kinezët, atë Mateo Riçi. Jo më kot, tema e kësaj dite ishte “Gjithçka e bëra si ata”, për të nënvizuar procesin e jashtëzakonshëm të inkulturimit, që filloi jezuiti italian, në Kinën e epokës Ming, duke propozuar jo vetëm vlerat katolike, por edhe duke mësuar nga dialogu ndërfetar e ndëretnik me vendasit. Modeli i misionit të atë Mateo Riçit është pikë referimi edhe sot e kësaj dite për Shoqërinë e Jezusit. Siç u vu në dukje nga relatorët, ai ishte njeri i dialogut, por të kuptuar si dialog jete, dialog pune, dialog teologjik, duke u kthyer kështu në ndërmjetësues kulturor, që di ta përçojë mesazhin e krishterë, duke u nisur nga tjetri e duke gjetur në kulturën e tij, simbolet e gjuhën e përbashkët.
Marrë nga Radio Vatikani