E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e vrasjeve të rrugës Bardhyl

Kronologji

Vrasja e djeshme ka kthyer edhe një herë në vëmendje krimet e egra të ndodhura në vitet ‘90. Emri i Franc Konomit ka qenë i dyshuar për disa krime, megjithëse asnjëherë nuk është vërtetuar fajësia e tij. Një prej ngjarjeve është ajo që njihet “vrasjet e djemve të rrugës Bardhyl”. Sipas policisë dhe prokurorisë, Franc Konomi është i fundit nga një radhë e gjatë djemsh të rinj, që kanë banuar në këtë rrugë apo pranë saj. Gjithçka ka nisur më 7 prill të vitit 1992, kur është ekzekutuar në vendin që quhet “Xhamlliku”, Gazmend Muça, një djalosh 27-vjeçar që njihej jo vetëm në këtë lagje, por edhe në të gjithë Tiranën për bëmat e tij. Një personazh që kishte bërë disa vite burg në Spaç, jo për agjitacion e propagandë, por për plagosjen e një fshatari që i kishte marrë më parë kalin. Muça u bë personazh i njohur në atë që quhet revoltë në stadiumin e Barit, ku qindra emigrantë shqiptarë që ikën në Itali me anije e shpërthyen këtë stadium, duke i ikur policisë vendase. Në atë kohë, disa nga gazetat më të njohura në Itali, shkruanin për “bëmat e një djaloshi me emrin Gazmend Muça”. Por, rikthimi i tij në Tiranë e bëri Muçën një personazh edhe më me emër. Ai njihej si një djalë i plotfuqishëm dhe që vërtet nuk kishte frikë nga asgjë. Aq e vërtetë u bë kjo saqë deputeti i asaj kohe, Azem Hajdari iu drejtua socialistëve në një seancë në Parlament me fjalët: “Përse e lini të lirë Gaz Muçën, që vret e pret”. Kjo solli një nga takimet historikë, atë të të fortit të rrugës “Bardhyl” dhe të fortit të politikës demokrate. Askush nuk e di se çfarë biseduan Azem Hajdari dhe Gazmend Muça në atë takim. Ata të dy nuk jetojnë më. Pas asaj, Muça mori një dozë më shumë nga fama e tij. Por më 7 prill 1992 nga një makinë u derdh në trupin tij një karikator me fishekë. Policia akuzoi në atë kohë Naim Zyberin dhe Franc Konomin dhe varianti i ngjarjes jepej me një motiv vërtet banal: Vëllai i Gazit, Taulant Muça, i kishte marrë pa leje motorin Franc Konomit dhe ky i fundit e kishte qëlluar me pëllëmbë. Megjithatë asnjëherë akuzat ndaj Franc Konomit nuk u zyrtarizuan. Në vitin 1999 vritet edhe Taulant Muça, por Konomi nuk u akuzua për këtë krim. Emri i tij doli sërish nga policia për gjobëvënie. Këtë radhë, pikërisht në vitin 2001, emri i tij del në dritë me një tjetër të dyshuar nga policia, Flamur Reçi, i cili njihej si pronari i bingos “Ylli”. Të dy u akuzuan se në fillim të muajit dhjetor 2001, kishin kërcënuar me jetën e familjes Ymer Ademin. Ky i fundit ka shpjeguar se ata i kishin kërkuar 100 mijë dollarë dhe nëse nuk i jepte do t’i hidhnin në erë familjen. Sipas dëshmisë në gjykatë, telefonuesi i ishte prezantuar si komandant “çerçizi” dhe “ushtari” që gjoja shërbenin në Ushtrinë çlirimtare të çamërisë. Megjithatë, edhe për këtë akuzë, Konomi doli i pafajshëm. Pas kësaj, ai u zhduk nga lista e policisë dhe u mor me biznes privat, ndërkohë që drejtësia dyshon se ka kryer aktivitet kriminal edhe gjatë kësaj kohe, duke e lidhur edhe vrasjen e tij me ngjarje të tilla.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›