E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca rrëzon Çomon, por humbet numrat në Kuvend

Votimi Opozita largohet nga salla. LSI, PDU dhe Sterkaj, qëndrim të ndryshëm me PD-në

Votimi i anëtarëve për Gjykatën e Lartë ka ‘shkërmoqur’ numrat e mazhorancës në Kuvend. Shumica parlamentare nuk ka mundur dot të mbajë nën kontroll rrjedhjen e votave, duke grumbulluar vetëm 64 vota për të rrëzuar kandidaturën e Sokol çomos, i dekretuar nga Presidenti Bamir Topi për Gjykatën e Lartë. Partia Demokratike ka miratuar fillikat e vetme rrëzimin e kandidaturës së çomos, duke u lënë në baltë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila 4 votat e saj i ka dhënë pro kësaj kandidature. Demokratët kanë humbur edhe një votë nga spektri i tyre blu, pasi deputeti demokrat i Shkodrës, Paulin Sterkaj, ka abstenuar. Në të njëjtën mënyrë si deputeti Sterkaj kanë votuar edhe dy deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri. Opozita u largua nga seanca plenare përpara fillimit të votimit, duke e cilësuar si një proces të montuar politikisht procesin e votimit të kandidaturave për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Votimi u krye në mënyrë të hapur dhe të gjithë deputetët votuan në mënyrë individuale, pasi Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u përmendte emrat.

Votimi

Kandidati Medi Bici ka marrë 71 vota pro nga Kuvendi për të qenë anëtar i Gjykatës së Lartë. Partia Demokratike, Partia për Drejtësi dhe Unitet dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë bashkuar votat pro për kandidaturën e Medi Bicit. Në votim morën pjesë edhe të gjithë ministrat e kabinetit “Berisha”, të cilët ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit. Ndërsa ‘tensioni parlamentar’ erdhi më vonë, kur në sallën e Parlamentit u hodhën për votim kandidatura e Sokol çomos. Demokratët kishin mungesë votash edhe për shkak të mosprezencës së disa prej deputetëve të tyre në Kuvend. Aldo Bumçi, Majlinda Bregu, Lefter Maliqi dhe Gazmend Oketa nuk ndodheshin në sallën e Parlamentit, që për shkak të impenjimeve të tjera për çështje pune, ndodheshin jashtë Shqipërisë. Paulin Sterkaj deklaroi votën abstenim për kandidaturën e çomos, duke dalë kundër rrymës së grupit parlamentar ku bën pjesë. Të njëjtin veprim bën edhe dy deputetët e PDU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri. Ndërsa katër deputetët që përfaqësojnë siglën e LSI në Parlament, Ilir Meta, Dritan Prifti, Nasip Naço dhe Lefter Koka votuan pro kandidaturës së Sokol çomos për Gjykatën e Lartë. Kryeministri Sali Berisha menjëherë pasi ka thënë fjalën “votoj kundër” për kandidaturën e çomos, është ngritur nga karrigia dhe është larguar nga salla e Parlamentit, ndërkohë që votimi vazhdonte për secilin deputet. Për të mos qenë prezent në sallën e Kuvendit gjatë kohës kur LSI do të hidhte votën në kundërshtim me vendimin politik të PD-së për dekretin e Presidentit Topi, konkretisht për kandidaturën e Sokol çomos, Kryeministri Berisha ka preferuar që të mos jetë prezent në sallë. Për rastësi, numri 64 është i njëjtë me numrin total të deputetëve të opozitës në Parlament, çka tregon se mazhoranca në vendime të tilla pritet të hasë vështirësi në të ardhmen në rast se do të ketë oponenca të këtij lloji.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›