Historia me Gjermaninë

Tifozët e futbollit që u brengosën se do t’u mungon futbolli festiv veror, që u zhvillua më 2010 në Afrikën e Jugut, do të gëzohen nga programi i kësaj vere.
Derisa COCACAF Golf Cup dhe Kampionati evropian U-21 shkojnë drejt përmbylljes, një tjetër garë e rëndësishme do të zhvillohet brenda një muaji dhe fillon të dielën – Kampionati botëror i femrave në Gjermani.
Edhe pse futbolli i femrave ka vështirësi të zgjojë interesim dhe përkrahje fanatike që gëzon ai i meshkujve, Kampionati botëror sjell një mundësi të shkëlqyeshme që loja të tregojë vlerat e saj si spektakël sportiv.
Në historinë e fundit Gjermania ka dominuar botën e futbollit të femrave, duke fituar dy edicionet e fundit të Kampionatit botëror, por SHBA, Brazili dhe Franca e përmirësuar kanë kualitete të sfidojnë epokën e dominimit gjerman.
Dyshimet rreth kualitetit të futbollit të femrave do të përgjigjen menjëherë nga talenti i yjeve si Marta dhe Birgit Prinz, që do të shpalosin aftësitë e tyre në katër javët e ardhshme.
Në elitën e futbollisteve kulmore hyn edhe kosovarja Fatmire Bajramaj, mesfushorja ofensive e cila sikurse Prinz ka qenë anëtare e rëndësishme në triumfet e kaluara të Gjermanisë.
“Do të japim gjithçka për të ngritur edhe njëherë trofeun. Synimi ynë është të jemi sërish kampione të botës”, tha Bajramaj për agjencinë e lajmeve AFP.
Futbolli i femrave e posaçërisht Kampionati botëror i tyre di të jetë jashtëzakonisht atraktiv dhe këtë e dëshmojnë edhe statistikat e garës së fundit më 2007, ku u shënuan mesatarisht 3.4 gola për ndeshje, ndërsa në ngjarjen e vitit të kaluar të meshkujve ishin 2.2.
Nikoqiri Gjermania hyn në garë si favorit për të fituar titullin e tyre të tretë të njëpasnjëshëm në Kampionat botëror. Brazili mund të kishte marrë shumicën e lëvdatave në garën e vitit 2007 për qasjen e tyre sulmuese, por Gjermania po ashtu luajti futboll të rrjedhshëm - posaçërisht në shkatërrimin e Argjentinës me rezultat 11-0 në fazën e grupeve – dhe fitores 2-0 ndaj Brazilit në finale që i siguroi atyre triumfin në Kinë.
Kampioni në fuqi fitoi titullin e tij të pestë të njëpasnjëshëm në Kampionat evropian më 2006, duke fituar 6-2 në finale kundër Anglisë dhe selektorja Silvio Neid ka ftuar shumicën e futbollisteve të njëjta për garën e ardhshme. Skuadra ka 51 çmime ndërkombëtare mes vetes dhe vetëm katër prej 21 futbollistëve në skuadër – Lena Goessling, Almuth Schult, Verena Faisst dhe Alexandrra Popp – kurrë nuk kanë shijuar në ndonjë garë të rëndësishme. Ekipi i Neidit është pa dyshim favorit për të fituar sërish titullin.
Grupi A
Gjermania
Kanada
Nigeria
Franca
Grupi B
Japonia
Zelanda e Re
Meksika
Anglia
Grupi C
SHBA
Koreja
Kolumbia
Suedia
Grupi D
Brazili
Australia
Norvegjia
Guinea e Ekuatorit